SFIDAT E GRAVE NË NISJEN E BIZNESIT

“Para se të nisni idetë tuaja mendoni që asnjë grua e suksesshme, në cilëndo fushë që vepron nuk e ka pas rrugën e shtruar drejtë, por çdonjëra ka kaluar nëpër sfida të caktuara të cilat sot ia ka lënë kohës”

SFIDAT KRYESORE

Fuqizimi ekonomik i gruas është një nga shtyllat kryesore për zhvillimin e një shoqërie të barabartë. Shumë gra udhëheqin biznese të vogla, shumë nga ato kanë ide për hapjen e bizneseve por sfidat me të cilat përballen ato gjatë rrugëtimit deri në realizimin e idesë janë të shumta dhe shtrihen në shumë fusha. Kryesisht puna e tyre realizohet në mënyrë joformale ku të gjitha meritat dhe vlerat duke filluar nga familja e duke u shtirë në shoqëri mbesin në hije derisa, në realitet, ato në të shumtën e rasteve janë burimi kryesor financiar në familje. Kjo kategori e grave, jo vetëm që janë të suksesshme në bizneset e tyre por ato janë shembulli dhe motivi më i mirë se si zhvillohet suksesshëm një biznes nga nisma për përmirësimin e kushteve jetësore ose ndryshe thënë nga hiçi të krijohet diçka.

Sfidat kryesore me të cilat mund të ballafaqohen gratë në fushën e biznesit janë të shumta por disa janë parësore. P.sh. :

BURIMET E KUFIZUARA TË FONDEVE

Jo të gjithë njerëzit të cilët duan të fillojnë biznesin e tyre janë me fat të kenë investitorë ose kapital për nisjen e punës. Disa edhe i drejtohen bankave apo institucioneve përkatëse për ndihmë por sa ato janë të gatshme të ndihmojnë diçka të pa filluar, të pabazuar në garanci për sigurinë e hapjes dhe zhvillimit të biznesit. Derisa këtu kur shtojmë çdoherë një grua në kokë të idesë gjërat janë më të komplikuara pasi që ato globalisht janë më së paku të mbështetura në këtë drejtim.

NDARJA E PËRGJEGJËSIVE

Pjesa dërmuese e grave krahas faktit që janë personalitete me karrierë ose menaxhere të bizneseve ato gjithashtu kanë jetë familjare ku kryesisht barrën më të madhe të përgjegjësive në shtëpi e mbajnë mbi supe. Ky presion i cili natyrshëm vjen në jetën e tyre bën që shumë gra të lënë anash zhvillimin e biznesit apo karrierës ose në raste të rralla në shoqërinë tonë për këtë arsye lënë anash familjen. Familja pret që ajo të jetë nenë, grua e përkushtuar derisa biznesi kërkon angazhim maksimal për zhvillimin e tij. Në këto raste kjo dëmton gratë të cilat kanë më pak mbështetje familjare dhe shoqërore, varësisht rrethit ku jeton. Disa gra arrijnë të menaxhojnë dy sferat e jetës, duke gjetur një bilanc mes punës dhe jetës private kurse të tjerat dështojnë.

FRIKA NGA DËSHTIMI

Duke marrë parasysh natyrën e brishtë të grave dhe kushtet që e rrethojnë, ideologjinë shoqërore dhe stereotipat si dhe më e rëndësishmja mbështetjen familjare, krijojnë një frikë dhe jo besim në vetvete dhe dorëzohen shpesh edhe para se të fillojnë të merren me biznes. Kjo vjen edhe si shkak I faktit që në biznes asgjë nuk mund të jetë e garantuar por nga ana tjetër asnjëherë nuk mund të dish se çka mundesh me humb derisa nuk tenton. Frika nga e njohura dhe panjohura tek gratë krijon konfuzion dhe në vend të suksesit I cili mund ti pret ato do të ballafaqohen me dështime.

KLIMA E PAPËRSHTATSHME E SISTEMIT PËR PËRKRAHJEN E BIZNESEVE

Vetë faktit të mendimit për dështim që shfaqet fillimisht tek gratë për arsye të lartpërmendura mund ti shtohet edhe përkrahja jo e barabartë në fushën e biznesit me botën e meshkujve. Sfidat më të mëdha ajo I sheh tek mungesa e mbështetjes duke filluar nga rrjeti I lidhjeve adekuate e duke vazhduar në gjetjen e qasjes financiare si dhe mbështetjen emocionale. Atyre ju duhen mentorë dhe persona profesionist që ti drejtojnë në rrugën e nisur derisa ky sistem kërkon mjete dhe detyron ato të heqin dorë nga diçka pa e filluar.

TRAJTIMI JO I NJEJTË NË ASPEKT GJINOR

Frymojmë në rreth ku si në aspektin fetar, kulturor, në fushën e drejtësisë apo politike shoqëria është e ndërtuar në bazë patriarkale. Gratë duhet të veprojnë dhe krijojnë në ambient biznesi ku çdo ditë përballen me diskriminime. Kjo vjen si pasojë e faktit që ligjet nuk implementohen në mënyrë të drejtë, ku do të duhet të krijohet klimë e njëjtë për zhvillimin e biznesit, por ato mbeten në letër dhe larg implementimit, dhe jo vetëm në sferën e biznesit.

QASJA E KUFIZUAR NË INFORMACIONE

Fuqizimi i gruas me njohuri rreth asaj që e bën dhe e krijon është vetëm një fillim i rrugëtimit të gjatë të cilin ajo do ta realizon në biznes. Jeta na mëson çdo ditë, zhvillimi i teknologjisë jep mundësi të reja dhe ne vazhdojmë të mësojmë. Fatkeqësisht qasja e grave deri në informacione bazike, mos të flasim për më shumë, është shumë  e kufizuar. Biznesi është një fushë garuese, prandaj kërkon në vazhdimësi njohuri të reja ndërsa në të shumtën e rasteve gratë preferojnë të kapin informacione bazike dhe praktike por jo zhvillimore.

KLIMA E PAPËRSHTATSHME PËR BIZNES

Nga shumë sfida vjen në sipërfaqe fuqishëm edhe ekspozimi i gruas në fushën e biznesit. Takimet e shumta, puna jashtë orarit, rrjetëzimi I kontakteve shpesh është në kundërshtim me vlerat etike të cilat një shoqëri I ka vendosur për veprimet e grave. Kështu që ato detyrohen të kenë partner të biznesit të gjinisë mashkullore ose të qëndrojnë të heshtura në bizneset e tyre, pa ekspozime vetëm e vetëm që të realizojnë idetë e tyre por edhe të sigurojnë pjesë të konsiderushme të financave familjare.

Bazuar në kushtet dhe sfidat e lartpërmendura shohim se të gjitha gratë kanë vështirësitë e njëjta në nisjen dhe zhvillimin e bizneseve të tyre. Një fushë e ashpër ku zhvillohen beteja në shumë aspekte e që bën shumë nga ato të dështojnë para fillimit. Motivin dhe forcën çdonjëra nga gratë e ka në brendi, në vetëbesimin e saj. Aq sa ajo I beson vetes do ti besojnë të tjerët. Asgjë pa filluar nuk duket dhe nuk ka sukses pa dështime. Gabimet në rrugëtimet tona na mësojnë të shtrojmë rrugët e suksesit ku veprojmë. Shembujt e grave të suksesshme na inkurajojnë të bëjmë më shumë dhe ti besojmë vetes. Para se të nisni idetë tuaja mendoni që asnjë grua e suksesshme, në cilëndo fushë që vepron nuk e ka pas rrugën e shtruar drejtë, por çdonjëra ka kaluar nëpër sfida të caktuara të cilat sot ia ka lënë kohës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.