NË RMV MBI 8000 PERSONA ME ARSIM TË LARTË PO KËRKOJNË PUNË

NË RMV MBI 8000 PERSONA ME ARSIM TË LARTË PO KËRKOJNË PUNË

Mungesa e interesimit për punësimin e personelit me arsim të lartë ka rezultuar në uljen e interesit të qytetarëve për të  ngritur nivelin e profesionalizimit. Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë rënie të numrit të studentëve të doktoraturës dhe masterit.

Mbi 8,000 persona me arsim të lartë kërkojnë punë në RMV. Në pritje të punësimit janë 7370 qytetarë me diplomë universitare, si dhe 622 master dhe 17 doktorë shkencash. Agjencia e punësimit ka shpallur 7061 vende të lira pune, por vështirë se dikush kërkon këtë lloj kuadri.

Më së shumti punëtorë nevojiten në industrinë përpunuese, tregtinë me shumicë dhe pakicë, si dhe në objektet e akomodimit dhe shërbimet e ushqimore.  Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave tregojnë një rënie të numrit të studentëve të doktoraturës ashtu edhe të masterit krahasuar me vitin 2021.

Një anketë për nevojën për aftësi në tregun e punës në Republikën e Maqedonisë së Veriut për vitin 2022 parashikoi se numri më i madh i punësimeve pritet në industrinë përpunuese – 39,5 për qind nga gjithsej punësimet e planifikuara, si dhe në tregti – aktivitete që kërkojnë personel me arsim bazë ose të mesëm.

Nevoja më e madhe për punësimin e kuadrit me arsim të lartë ose arsim pasuniversitar pritet nga punëdhënësit në fushën e informacionit dhe komunikimit, në arsim, veprimtari financiare dhe sigurime, si dhe në fushën e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale.

Kështu, 12.3 për qind e punësimit pritet të jetë një mundësi për studentët e diplomuar. Perspektivat më të mëdha për punësim kanë kuadrot e informatikës, programuesit, inxhinierët mekanikë dhe të ndërtimit, ekonomistët, farmacistët, doktorët e mjekësisë dhe arkitektët.

Punëdhënësit janë në kërkim të personelit që ka njohuri dhe diploma për aftësi të avancuara IT dhe njohuri të gjuhëve programuese, por edhe aftësi shitje, marketing dhe menaxhim. Këtë e tregojnë analizat e Agjencisë së Punësimit, për të bërë plane afatshkurtra dhe afatgjata për tregun e punës në vend.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.