PAGA MINIMALE NË RMV NUK MJAFTON PËR GJYSMËN E NEVOJAVE MUJORE

PAGA MINIMALE NË RMV NUK MJAFTON PËR GJYSMËN E NEVOJAVE MUJORE

Rritja e çmimeve të produkteve ushqimore, shtrenjtimi i faturave të rrymës dhe ngrohjes, e ka goditur buxhetin e punëtorëve që marrin pagë minimale. Një nga ta është dhe Ferhat Ekrem, i cili thotë për REL se pas rritjes së çmimeve duhet të zgjedhë t’i paguajë faturat apo t’i sigurojë gjërat elementare ushqimore për familjen e tij gjashtë anëtarësh.

“Dy – tri bukë dhe vetëm një litër qumësht apo kos të blesh dhe ja shkuan 150 denarë (3 euro). Ku janë harxhimet e tjera për të për gatitur një vakt të vetëm?” thotë Ferhat Ekrem nga Shkupi.

“Për familjen time është luks të përgatitet një drekë me një kilogram patate, një kilogram kofshë pule dhe pak sallatë jeshile. Nëse e shtojmë dhe bukën, harxhimet shkojnë gati në 10 euro dhe ju tani shumëzojeni këtë me 30 ditë, ndërkohë që unë marr vetëm 250 euro, dhe këtu duhet të ndaj (para) edhe për pagesën e faturave”, shtoi ai.

Sindikalistët në Maqedoninë e Veriut kërkojnë që në janar të këtij viti shumica parlamentare të votojë Ligjin për rritjen e pagës minimale për 3 mijë denarë (50 euro) përkatësish nga 15 mijë denarë në (rreth 250 euro) në 18 mijë denarë (rreth 300 euro), pasi siç theksojnë, dy paga minimale nuk mjaftojnë për të mbuluar shpenzimet e shportës sindikale.

Në bazë të llogaritjeve të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë së Veriut, shpenzimet për shportën mujore për një familje prej katër anëtarësh në nëntor të vitit të kaluar, kanë arritur në 34 mijë e 893 denarë (570 euro). Afaristët thonë se do ta përballojnë rritjen e pagës minimale vetëm nëse Qeveria i subvencionon kontributet.

“Ajo që do të duhej të ishte si një masë e një interesi të përbashkët që të rritet paga minimale dhe nga ana tjetër të mos goditet në masë të madhe, propozimi ynë është që paga minimale të rritet në nivelin e 300 eurove, por mos të rritet edhe baza për pagesën e kontributeve që do të thotë kontributet të ngelin në nivelin aktual. Pasi çdo rritje e pagës me formulën e tanishme të kalkulimit të kontributeve ndaj shtetit, do të jetë e pa përballueshme për sektorin e biznesit në këtë gjendje krize”, thotë për REL Arben Halili nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore.

Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë së Veriut kanë paralajmëruar se nëse nuk realizohet kërkesa për rritjen e pagës minimale në 18 mijë denarë, që nënkupton rritjen edhe të pagës mesatare, do të organizojnë protesta.

Leave a Reply

Your email address will not be published.