QYTETARËT TË SHQETËSUAR NGA KRIZA EKONOMIKE

QYTETARËT TË SHQETËSUAR NGA KRIZA EKONOMIKE

Kriza ekonomike e shkaktuar nga lufta në Ukrainë ka ndikuar në rritjen e çmimeve. Derivatet e naftës po shtrenjtohen për çdo ditë, thonë për Ajo.mk qytetarët e Shkupit, duke shprehur shqetësimin e tyre se përveç shtrenjtimit mund të ketë edhe mungesë produktesh.

Ismeti nga Shkupi thotë se: “Në markete çmimet janë rritur shumë. Poashtu ka mungesë të disa produkteve. Dje vaj nuk kishte në disa markete, por edhe kur gjen në ndonjë market çmimet janë rritur shumë. Nuk di çka do të bëhet”.

Edhe një qytetar tjetër Sabriu thotë: “Çmimet janë të pa përballueshme. Me rrogë 21 mijë denarë, 6 anëtarë në familje nuk arin, nuk del muaji asesi.”

Bashkimi, një pensionist nga Shkupi thotë se: “Janë shtrenjtuar edhe ushqimet edhe ilaçet. Me një pension nuk del. Nëse vazhdon kështu duhet me i lënë ilaçet. Ka ardhur një kohë krize, shumë shumë e madhe. Ishalla nuk zgjatë, se jemi njerëz të varfër nuk e përballojmë”.

Qytetarët që kanë mundësi blejnë rezerva edhe pse autoritetet kanë thënë se ka sasi të mjaftueshme në rezerva ushqimore. Për tu dalur sado pak në ndihmë qytetarëve, buka, mielli dhe vaji deri më 31 Maj në Maqedoninë e Veriut do të shiten pa marzhë fitimi, përkatësisht me çmimet e furnizimit, kanë bërë të ditur nga Ministria e Ekonomisë.

Ndërsa Komisioni Rregullator i Energjetikës mbrëmë (10.03.2022) miratoi vendimin për rritjen e çmimeve të shitjes me pakicë të derivateve të naftës. Sipas këtij vendimi çmimet e shitjes me pakicë të benzinës ЕUROSUPER BS-95 dhe ЕUROSUPER BS-98 nuk ndryshojnë, ndërsa çmimi i shitjes me pakicë i ЕURODIZELIT (D-Е V) rritet për 3,00 denarë/litër. Shtrenjtimi i derivateve ka impakt direkt edhe te shtrenjtimi i produkteve tjera, përfshi produktet ushqimore bazë. Një ulje e lehtë e çmimit të derivateve pritet nga miratimi i pakos ekonomike të propozuar nga qeveria, e cila sot ndodhet para deputetëve. Ajo.mk

Leave a Reply

Your email address will not be published.