GUXO DHE PROVO,NËSE DËSHTON PROVO PËRSËRI-TREGIM SUKSESI

GUXO DHE PROVO EDHE NËSE DËSHTON PROVO PËRSËRI-BIZNESI I GRUAS

“Për gratë do të kisha thënë se duhet të fillojnë prej diku, filloni prej shtëpisë suaj. Sot ka shumë mënyra se si mund të zhvillohet biznesi, ka zhvillim në rrjete sociale. Provo dhe nëse dështon provo përsëri. Nëse mendon se ke dhunti fillo puno, shpërndaj, merr guximin, mjafton fëmijët të shohin një shembull të mirë.” – Sevdije Kastrati-Omeroviç

Bizneset e zhvilluara nga gratë, të cilat punojnë në shtëpi, janë një nga burimet kryesore të cilat ju sigurojnë familjeve një pjesë të majme financiare. Duke e ndjerë nevojën për krijimin e kushteve më të mira për jetesë, gratë çdoherë kanë gjetur mundësi të ndihmojnë në përmirësimin e kushteve jetësore. Këtë në vazhdimësi e kanë bërë duke mos anashkaluar obligimet ditore, as përgjegjësinë e mëmësisë, as të bashkëshortes e as të gruas që duhet të përkujdeset për mirëmbajtjen e shtëpisë.

Sevdije Kastrati-Omeroviç është një nënë e re, e cila krahas punës dhe obligimit profesional krijon produkte të saj në bazë bimore, të përqendruara në elemente natyrale, për mirëmbajtjen e lëkurës dhe përkujdesjen e saj. Tanimë me zhvillimin e produkteve varësisht nga kërkesat e problematikave që parashtrojnë të interesuarat/it ajo përgatit kremra të ndryshme për fytyrë, duar , trup dhe në përgjithësi për trajtimin e llojeve të lëkurës të gjitha në bazë bimore. Ajo këtë obligim shtesë e sheh fillimisht si kënaqësi e më pas si nevojë për të plotësuar nevojat për një jetë sa më cilësore.

  1. A ke menduar ndonjëherë se do të merresh me këtë lloj biznesi dhe pikërisht me trajtimin e lëkurës? Duke marrë parasysh se në aspekt profesional bën punë tjetër.

Kam menduar për shumë gjëra dhe kisha plane të ndryshme sepse edhe ashtu çdo minutë e shfrytëzoj si me gatime qëndisje, punë dore me shtiza dhe në përgjithësi punë dore. Por se do të bëj ndonjëherë produkte natyrale si krem për mirëmbajtjen e lëkurës asnjëherë. Gjithmonë kam bërë eksperimente ne flokun tim, fytyrë, thonj, maska. Por që do të arrij deri në atë nivel të kem si biznes dhe të shërbej të tjerët, jo.

  1. Sa të kanë besuar rrethi dhe kryesisht familjarët në këtë drejtim?

Sa për besimin dhe mbështetjen e familjarëve mund të them se ata janë gjithnjë në pritje me diçka te re nga unë. E din se nëse humbëm diku jam duke eksperimentuar diçka. Kështu që kanë pritur arritje dhe kisha shumë besimin e tyre prapa meje. Kremi i parë ishte thjesht një tentativë eksperimenti vetëm për qejfin tim personal. Kisha rezultat. Pastaj provuan familjarët të njëjtin, kishte efekt. Më pas përmes tyre dhe të tjerë fillova të zgjerohem.

  1. Çdo nismë kërkon mund dhe mjete financiare, si ke arrit ti sigurosh ato?

Ishte vështirë së pari për mjete financiare e pastaj për gjetjen e materialit paketues por edhe përbërësve. Kutitë e zbrazëta, kutitë për mbështjellje, kavanozat si dhe përbërësit. Kur filluan kërkesat u shtua nevoja më e madhe për investim. Fillimisht e vështirë por më pas ia dola. Sot të vetmin problem e kam gjetjen e disa përbërësve, pasi në plan kam përgatitjen e shumë produkteve tjera të reja por nuk ka përbërës të mjaftueshëm në vend.

  1. Krahas kohës që duhet ti përkushtohesh përgatitjes të pengon kjo në obligimet e përditshme si nënë dhe grua? Si arrin ti koordinosh ato?

Koha është gjithmonë e limituar dhe çdo sekondë e shfrytëzoj maksimalisht ne vrap. Kam vajzën e vogël 4 vjet e gjysmë e cila kërkon angazhim dhe përpiqet të më kopjon, bilës tenton të ma kalojë. inatoset shumë, kërkon vëmendje por gjithsesi falë Zotit nuk jam e vetme.  Kam bashkëshortin, prindërit e tij, prindërit e mi dhe koordinohemi disi .

  1. Kur theksove idetë për produkte të reja më thuaj për çfarë produktesh bëhet fjalë?

Mundohem që të arrij ti realizoj edhe shumë ide dhe receta për kremra, por momentalisht po përqendrohem ne këto produkte, si krem për lëkurë problematike, krem për mirëmbajtje dhe kundër diellit, krem për hemorroide, krem për bebe, fëmijë, krem për problematika te lëkurës, produkte për trajtimin e duarve, këmbëve. Vajra gati se të gjitha i kemi,  për më shumë ja lemë kohës.

  1. A ka punë në këtë drejtim? Sa ka interesim nga përdoruesit?

Punë ka por ka dhe angazhim, shpërndarje dhe publikim në rrjetet sociale me foto, shkrime, shpjegime. Nuk është se ka numër jashtëzakonisht të madh të interesuarve, por mundi paguhet. As vet se kam besuar se do ketë klient të interesuar për produkte bio por çuditërisht ka shumë.

  1. A keni klientë të caktuar, shtohen apo zvogëlohen interesimet?

Klient të rinj kemi, dita ditës shtohen, por më e mira për neve është kur na kthehen të njëjtit, d.m.th. porosisin rregullisht, kjo e dëshmon punën time dhe tregon se ka rezultate. Puna si kjo kërkon ndryshimin gjatë tërë kohës, si shembull shtesë në produkte, video, foto dhe unë jam në proces fillestar te themi prej një viti. Besoj do të shtohen😊

Produktet e saj mund të gjeni në faqen në instagram beauty_shop.mk/Ajo.mk

Leave a Reply

Your email address will not be published.