KOMPANITË E UDHËHEQURA NGA GRATË JANË MË TË SUKSESSHME POR GRATË JANË MË PAK TË PAGUARA

KOMPANITË E UDHËHEQURA NGA GRATË JANË MË TË SUKSESSHME POR GRATË JANË MË PAK TË PAGUARA

Kompanitë që drejtohen nga gratë apo ato që janë në poste vendimmarrëse janë 25% më të suksesshme, thonë menaxherët vendas dhe theksojnë se mungesa e barazisë gjinore në biznes do të thotë humbje ekonomike dhe prodhim i ulët bruto. Diferencat në paga, mungesa e mundësive të barabarta, paragjykimet në shoqëri janë disa nga arsyet pse shumë gra tërhiqen nga avancimi në karrierë.

“Për të njëjtën punë, në të njëjtën pozitë, me të njëjtin arsim dhe përvojë profesionale, gratë ndonjëherë edhe për kryerjen më të mirë të detyrave marrin pagë më të ulët se burrat”-tha Filomena Pllakovska Asprovska e cila drejton një kompani të suksesshme e shpallur edhe për menaxhere e vitit.

Ajo shton se kompanitë që kanë gra në pozita drejtuese kanë treguar 25% sukses më të madh.

“Të gjithëve duhet t’u sigurohen të njëjtat kushte pune. Kjo do të thotë të njëjtën pagesë për të njëjtat ekzekutime. E njëjta qasje në përfitime, qofshin trajnime, shpërblime dhe të ngjashme. Vetëm në atë mënyrë punëtorët do të jenë njëlloj të motivuar për të dhënë më të mirën dhe do të shpërblehen për performancën”-nënvizon Pllakovska Asprovska.

Së fundmi në Shkup është themeluar Aleanca për Barazi Gjinore në Punë. Në krye të kësaj Aleance është ish-ministrja e Financave, Nina Angelovska.

“Tri shtyllat janë paga e barabartë, përfaqësim i barabartë, mundësi të barabarta. Ajo synon të jetë një platformë që do t’u japë rol udhëheqës vetë kompanive për të promovuar barazinë gjinore përmes shembujve të suksesshëm, duke ndarë përvojat e tyre nëpërmjet kontributit të përbashkët për përparim në këtë fushë”- tha Angelovska.

Aleanca thekson se në disa raste pagat e grave janë deri në 18 për qind më të ulëta se pagat e burrave edhe pse janë të njëjtat punë. Ato duan më shumë ndërgjegjësim nga kompanitë.

“Përfaqësimi i pamjaftueshëm i grave në ekonomi është humbje për ekonomitë dhe për produktin e brendshëm bruto. Pra, përfaqësimi i pamjaftueshëm i grave në pozitat udhëheqëse në kompani si dhe në pozita menaxheriale dhe nivele vendimmarrëse është humbje potenciale e fitimeve dhe rritjes së kompanive”-shton Angelovska.

Barazia gjinore dhe nevoja për mundësi të barabarta ishte një nga temat në Forumin e fundit të Prespës. Ai vuri në dukje se gratë përbëjnë vetëm 26 për qind të parlamentarëve në botë.

“Promovimi i barazisë gjinore dhe pjesëmarrjes së konsiderueshme të grave në jetën publike është gjithashtu një gjë reale dhe e zgjuar për t’u bërë. Ne jemi dakord,”- tha Rosemary DiCarlo, nënsekretarja e përgjithshme e OKB-së për çështjet politike.

Sipas Angelovskës politika e kuotave të barabarta mund të jetë një nga zgjidhjet për përfaqësim të barabartë gjinor.

“Në të kaluarën, po të më pyesnit, nuk kam qenë për kuota. Tani, nga ana tjetër, është një shprehje që thotë ‘më mirë të marr postin se jam grua sesa të mos e marr se jam grua’. Mendoj se duhet përdorur çdo mekanizëm që mund të kontribuojë. Të zbatohen praktikat e mira”- thekson Angelovska.

Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale vë në dukje Strategjinë për Barazi Gjinore 2022-2027 e cila është në procedurë parlamentare dhe presin që kjo strategji të mundësojë fuqizimin ekonomik të grave.

Leave a Reply

Your email address will not be published.