9% E FËMIJËVE TË MOSHËS 5 DERI NË 17 VJEÇ KANË ANKTH 2% VUAJNË NGA TRISHTIMI OSE DEPRESIONI

Hulumtimi klasterik multiindikator (MIKS) i Entit Shtetëror për Statistikë tregon se rreth 9% e fëmijëve të moshës 5 deri në 17 vjeç kanë ankth, ndërsa dy për qind vuajnë nga trishtimi ose depresioni. Ky hulumtim bazohet në përgjigjet e nënave ose kujdestarëve të tyre të realizuar gjatë viteve 2018-2019 si pjesë e programit global për gjendjen e fëmijëve dhe grave.

Hulumtimi gjithashtu tregon se shumica e fëmijëve të cilët jetojnë në familjet më të varfra përjetojnë vështirësi funksionale në ndonjërën prej fushave krahasuar me bashkëmoshatarët e tyre që jetojnë në familjet e pasura, krahasimisht 13% – 4%. Rreth 10 për qind e fëmijëve të moshës 2 deri në 17 vjeç mbajnë syze, ndërsa më pak se 1 për qind përdorin pajisje ose marrin ndihmë për të ecur.

Programi global MIKS u zhvillua nga UNICEF në vitet e 90-ta si një program ndërkombëtar me qëllim të caktuar për anketimin e amvisërive dhe grumbullimin e të dhënave për shfrytëzimin e numrave që tregojnë statusin e fëmijëve dhe grave në nivel global. Me hulumtimin MIKS maten treguesit kryesorë që u mundësojnë vendeve të gjenerojnë të dhëna për zhvillimin e politikave, programeve dhe planet e zhvillimit kombëtar dhe të gjurmojnë progresin drejt objektivave për zhvillim të qëndrueshëm (SDG) dhe marrëveshjeve të tjera ndërkombëtare.

Mbështetja teknike për hulumtimin është ofruar nga Fondi për fëmijë i Kombeve të Bashkuara (UNICEF), me mbështetje financiare nga UNICEF, Fondi për popullsinë i Kombeve të Bashkuara (UNFPA) dhe Ambasada Britanike.

Nga Enti shtetëror për statistikë theksojnë se raporti i hulumtimin është publikuar në maj të vitit 2020, por për shkak të pandemisë globale të Kovid-19 si dhe për shkak të detyrimeve të shumta lidhur me Regjistrimin 2021, nuk ka marrë vëmendjen dhe publicitetin e merituar andaj, në periudhën në vijim do të publikojnë infografikë me të dhëna dhe pika kyçe nga raporti, me të cilat, siç theksojnë, duan të paraqesin pasqyrën e gjendjes së fëmijëve dhe grave në Republikën e Maqedonisë së Veriut./Ajo.mk

Leave a Reply

Your email address will not be published.