SHOQËRIA JONË ENDE PARAGJYKUESE NDAJ PERSONAVE ME NEVOJA TË VEÇANTA-ZEMRIJET VESELI BELA

 

“SHOQËRIA JONË ENDE PARAGJYKUESE NDAJ PERSONAVE ME NEVOJA TË VEÇANTA”

ZEMRIJET VESELI BELA- PSIKOLOGE DHE THEMELUESE E OJQ “IMAGO PLUS”

Rasti i nxënëses me Sindromën Down Ëmbla Ademi nga Gostivari, e cila kohë më parë pas ngritjes së peticionit nga ana e disa prindërve nuk ishte lejuar të ndiqte mësimin në një klasë me nxënës të tjerë, shkaktoi reagim në opinion. Me këtë institucionet kompetente ndërmorën masa për kthimin e Ëmblës në klasë bashkë me moshatarët e sajë me të cilën u solidarizuan edhe personalitet më të shquara publike dhe shtetërore.

Ditë më parë edhe Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga diskriminimi ka konstatuar se Ëmbla e vogël me sindromën Down është diskriminuar në shkollë.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Sindromës Down, Ajo.mk në këtë temë intervistoi psikologen dhe drejtuesen e OJQ “IMAGO PLUS” Zemrijet Veseli Bela, e cila punon me fëmijë me nevoja të veçanta.

Ajo.mk: Zonja Veseli Bela, si e keni parë ju rastin e vogëlushes Ëmbla Ademi?

Zemrijet Veseli Bela: “Sa i përket rastit të Ëmblës ka edhe shumë raste të tilla por që familjet nuk tregojnë dhe nuk e nxjerrin në mediume. Në këtë rast mendoj se disa mësimdhënës nuk janë të përgatitur për të punuar me fëmijët me nevoja të veçanta edhe pse ju është ofruar ndihmës (asistent) për fëmijët e kësaj kategorie për t’ua lehtësuar procesin edukativo arsimor. Problem tjetër është se mësimdhënësit shumë pak ose aspak nuk punojnë me fëmijët me zhvillim tipik dhe prindërit e tyre për integrimin dhe pranimin e fëmijëve me nevoja të veçanta në shoqëri”.

Ajo.mk: A kanë nevojë për shqetësim prindërit e nxënësve të tjerë, nëse në një klasë ka edhe fëmijë me nevoja të veçanta?

Zemrijet Veseli Bela:  “Nuk duhet të kenë shqetësim për arsye se tanimë inkluzioni i këtyre fëmijëve është i rregulluar me ligj, prandaj çdo pengesë eventuale (si ajo e Ëmbla Ademit) duhet të raportohet tek institucionet përkatëse. Askush nuk guxon t’ua mohoj të drejtën e garantuar me ligj. Në vend që të shqetësohen, mirë është ata ti pranojnë ashtu si janë dhe ti iu ndihmojnë në integrimin e tyre në shoqëri”.

Ajo.mk: Çfarë diagnoze duhet të kenë fëmijët me nevoja të veçanta që të mos pranohen në klasë të njëjtë me nxënës të tjerë?

Zemrijet Veseli Bela:  “Fëmijët që u është caktuar diagnoza nga shtëpia e shëndetit mendor ku fillimisht bëhet edhe kategorizimi i këtyre fëmijëve dhe në bazë të asaj jepet raport se këta fëmijë mund të jenë pjesë e shkollave publike ose duhet të shkojnë në shkollë speciale. Do të thotë që institucionet përkatëse në bazë të pengesës së aftësive vendosin se ku duhet të shkon fëmija”.

Ajo.mk: Si drejtuese e OJQ “IMAGO PLUS” a keni informacione se sa ka kushte në shkollat e vendit për nxënës me nevoja të veçanta?

Zemrijet Veseli Bela:  “Më herët kishte kushte për fëmijët me nevoja të veçanta, po mund të themi se këto dy vitet e fundit është punuar shumë në këtë drejtim. Kjo varet prej shkollave se sa ata kanë interesim për plotësimin e kushteve. Përveç asaj që u pranuan 500 asistent arsimor nga ministria e arsimit kishte edhe konkurs për plotësimin e kushteve dhe mjeteve didaktike për këtë kategori ku interesimi ishte shumë i ulët nga ana e shkollave.”.

Ajo.mk: A ka shkolla të specializuara për këtë kategori fëmijësh në vend?

Zemrijet Veseli Bela:  “Ka shkolla por janë të pakta dhe ato shkolla janë për fëmijët që kanë pengesa të rënda dhe shumë të rënda mendore. Qëllimi kryesor që fëmijët me nevoja të veçanta të jenë pjesë e shkollave publike është integrimi i tyre në shoqëri dhe socializimi”.

Ajo.mk: Si organizatë a posedoni informacione, a ka fëmijë të kësaj kategorie që nuk e ndjekin mësimin, qoftë për mungesë kushtesh në shkolla, apo edhe për shkak të refuzimit si në rastin e Ëmblës?

Zemrijet Veseli Bela:  “Pasi ngritja e vetëdijes ende është e ulur në vendin tonë kemi raste që prindërit refuzojnë ti dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë shkaku i refuzimit të shoqërisë po ashtu kemi edhe si rasti i Ëmblës, sidomos në pjesët rurale të vendit ku të diskutohet për fëmijët me nevoja të veçanta ende është tabu temë”.

Ajo.mk: Si shoqëri a jemi paragjykues ndaj kësaj kategorie të shoqërisë?

Zemrijet Veseli Bela: “Po, për fat të keq ende jemi paragjykues dhe se shumë duhet të punohet në këtë aspekt. Nga njëra anë pranimi i fëmijës me nevoja të veçanta nga ana e prindit dhe nga ana tjetër shoqëria”.

Ajo.mk: A ka informacione të mjaftueshme për personat me nevoja të veçanta në vend?

Zemrijet Veseli Bela: “Kohëve të fundit janë marrë shumë iniciativa për ngritjen e vetëdijes dhe shpërndarjen e informacioneve për personat me nevoja te veçanta për arsye se kushti i Bashkimit Evropian është plotësimi i kushteve të personave me nevoja të veçanta në bazë të Konventës për të drejtat e tyre”.

Ajo.mk: A bëjmë mjaftueshëm si shoqëri dhe shtet për personat me nevoja të veçanta?

Zemrijet Veseli Bela: “Së pari i jemi drejtuar institucioneve për ngritje të vetëdijes për rritje të kapaciteteve si dhe paralelisht me këtë kemi punuar me shoqërinë për ngritje të vetëdijes psiko -sociale mbi nevojat dhe kujdesin që këta fëmijë duhet ta kenë. Asnjëherë nuk mund të themi se është bërë mjaftueshëm sepse kjo kategori e fëmijëve ka nevojë të trajtimit konstant si nga ana e shtetit ashtu edhe nga shoqëria”.

Ajo.mk: Si e shihni rolin dhe kontributin e sektorit jo qeveritarë, që personat me nevoja të veçanta, qofshin fëmijë apo të rritur, të mos kenë pengesa për tu ndjerë pjesë e barabartë e shoqërisë në vend?

Zemrijet Veseli Bela: “Iniciativat për ndryshime ligjore, për ngritjen e vetëdijes në shoqëri është falë punës dhe kontributit që bën sektori joqeveritar. Ne si OJQ kemi kontribuar mjaftueshëm dhe vazhdojmë të kontribuojmë në ngritje e vetëdijes nëpërmes aktiviteteve të ndryshme me fëmijët me nevoja të veçanta, seminareve me prind, trajnime në shkolla, kopshte si dhe kontribut të madhe japin edhe mediat fillimisht duke na përkrahur neve nëpërmjet programeve dhe emisioneve të ndryshme për ngritjen e vetëdijes në shoqëri”.

Intervistoi: Ajo.mk

Të drejtën e shpërndarjes e ka portali AJO dhe bashkëbiseduesja.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.