UNFPA: NJË E TRETA E GRAVE NË VENDET NË ZHVILLIM BËHEN NËNA NË MOSHËN 19 VJEÇ OSE MË HERËT

UNFPA: NJË E TRETA E GRAVE NË VENDET NË ZHVILLIM BËHEN NËNA NË MOSHËN 19 VJEÇE OSE MË HERËT

Raporti i ri i publikuar nga Agjencia e OKB-së për Popullsinë (UNFPA), e specializuar në shëndetin seksual dhe riprodhues thotë se pothuajse një e treta e grave që jetojnë në vendet në zhvillim bëhen nëna në moshë të re, në moshën 19 vjeç ose më herët. Në raport theksohet se pothuajse gjysma e vajzave adoleshente lindin fëmijën e tyre të parë në moshën 17 vjeç ose më herët.

Pabarazitë gjinore dhe të ardhurat nënvizohen si faktorë kyç në nxitjen e shtatzënive te adoleshentet duke rritur numrin e martesave të fëmijëve, mos shkollimin e vajzave, duke kufizuar dëshirën e tyre për karrierë, duke kufizuar kujdesin shëndetësor dhe informacionin për edukimin seksual. Nisur nga këto të dhëna, “është e qartë se vajzat po neglizhohen”, tha drejtoresha e UNFPA-së Natalia Kanem.

“Shtatzënitë që po shohim tek nënat e reja janë një shenjë e qartë se ato kanë nevojë të dëshpëruar për informacion dhe shërbime të shëndetit seksual dhe riprodhues”, shtoi ajo.

Komplikimet në shtatzëni dhe lindjet janë shkaku kryesor i vdekjes së vajzave të moshës 15 deri në 19 vjeç, të cilat kanë shumë më shumë shkelje të të drejtave njerëzore, duke filluar nga martesa e detyruar dhe dhuna nga partneri intim deri te ndikimet serioze në shëndetin mendor si dhe procesi i lindjes së fëmijëve deri sa janë vetë fëmijë.

Pothuajse tre të katërtat e vajzave që kanë fëmijën e tyre të parë në moshën 14 vjeç ose më herët kanë gjithashtu një fëmijë të dytë në moshë të hershme dhe 40 për qind e atyre me dy fëmijë bëhen me fëmijë të tretë para se të kalojnë adoleshencën, thuhet në studim.

Megjithatë, UNFPA thekson se vërehen shenja inkurajuese të rënies së shkallës së lindjeve të hershme në botë por ajo rënie është shumë e ngadaltë, vlerëson agjencia.

Qeveritë duhet të investojnë në kujdesin e vajzave adoleshente dhe t’u sigurojnë atyre kushte për formim profesional dhe siguri financiare, duke ndihmuar kështu në parandalimin e shtatzënive të hershme dhe të padëshiruara,” nënvizoi Kanem.

UNFPA thotë se iniciativat për të vazhduar vajzat shkollimin, krahas edukimit gjithëpërfshirës seksual dhe trajnimit për aftësitë e jetës, kanë rezultuar efektive në fuqizimin e tyre për të bërë zgjedhjet e tyre. Sipas tyre kjo do t’i ndihmojë ato të krijojnë mënyrë për të dalë nga varfëria drejt një të ardhmes më të ndritur ku ato do të zgjedhin të bëhen nëna vetëm kur të vendosin vetë, të jenë të afta dhe të gatshme për ta bërë këtë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.