ADAPTIMI I FËMIJËVE NË KLASË TË PARË DHE EMOCIONET E NDRYSHME QË SHFAQIN ATA

PROCESI NËPËR TË CILIN KALOJNË FËMIJA, MËSUESIT DHE PRINDËRIT GJATË FAZËS SË ADAPTIMIT

Me 1 Shtator rreth 255 mijë nxënës iu kthyen bankave shkollore në shkollat fillore dhe të mesme të vendit. Fëmijët pas pushimeve të gjata verore i gëzohen fillimit të vitit të ri shkollor por më së shumti e përjetojnë si një fillim të ri e me plot emocion nxënësit e klasës së parë. Në këtë fazë emocionet janë të përziera, disa nga nxënësit adaptohen lehtë ndërsa të tjerëve iu duhet kohë adaptimi në ambient tjetër dhe ndryshimet që i përjetojnë. Në këtë proces sfidues bëjnë pjesë edhe mësimdhënësit.

Për të mësuar më shumë rreth mënyrës së adaptimit dhe problemeve shtesë në këtë drejtim biseduam me mësimdhënësen me përvojë të gjatë në arsim znj. Anife Kastrati e cila thekson se çdo fillim i vitit shkollor sjell probleme dhe vështirësi të ndryshme ndërsa ato rriten me risitë dhe plan programet të cilat i sjell çdo vit MASH.

Anife Kastrati-Mësuese: Edhe krahas përvojës së madhe si mësimdhënëse shumë risi për një arsim të shëndoshë nuk janë në rregull. Me risitë e vazhdueshme nuk mund të përballemi as ne si mësues e as fëmijët. Çdo vit, apo çdo tre vite të ndërrohet planprogrami, të kemi risi në shkollë dhe mënyra të ndryshme të mësimit është e tepërt. Një arsimtarë duhet të punojë me fëmijët e jo shndërrohet në administratorë, arsimtari duhet të jetë më shumë arsimtar dhe pedagog.

Mësuesja Anife Kastrati thotë se kanë reaguar disa herë por përgjigjet janë të zakonshme ku Byroja e Arsimit thotë se bëhet fjalë për projekte të reja dhe ndryshimet janë të domosdoshme.

Për fëmijët e klasave të para të cilët e kanë vështirë të adaptohen, mësuesja Anife thotë se çdo fëmijë reagon në mënyrë të ndryshme dhe kjo varet shumë nga rrethi social dhe fazat e edukimit që kanë ndjekur si çerdhja e cila e lehtëson fazën e adaptimit në shkollë.

Ajo.mk: Nga përvoja e deritanishme sa mund të zgjas kjo periudhë e adaptimit tek një fëmijë dhe a mund të ndikojë një fëmijë që të nxis shqetësimin dhe frikën edhe te nxënësit tjerë?

Anife Kastrati-Mësuese: Periudha zgjat por jo edhe aq shumë nëse edhe ne vet bëhemi fëmijë në ato raste. Besoj se secila mësuese i përballon këto probleme.

Ajo.mk: A ka raste kur nxënësi insiston që edhe prindi të qëndrojë në klasë dhe si veproni atëherë?

Anife Kastrati-Mësuese: Ndodh shpesh kur fëmija insiston që edhe prindi të rrijë në klasë. Në ditën e parë dhe të dytë atë e lejojmë, pastaj fillojmë me metoda të ndryshme, që prindi të pres jashtë, ndërsa fëmijën e nxjerrim në korridor ta sheh se prindi është aty deri sa ai nuk arrin të krijojë njëlloj vetëbesimi dhe pastaj ai e largon vet prindin sepse dëshiron të rrijë me shokët dhe arsimtarët.

Ajo.mk: Çfarë i këshilloni prindërit sidomos kur shqetësimi i fëmijëve për të qëndruar në klasë zgjat më shumë?

Anife Kastrati-Mësuese: Këshilla ime si mësuese për prindërit është që gjithmonë fëmijët ti largojnë nga streset e tyre familjare sepse çdo shqetësim te fëmijët buron nga familja dhe mosbesimi te dy prindërit. Kur nuk ka probleme të tilla kemi fëmijë me psikologji mjaft të shëndoshë, ata nuk i vënë në dukje shqetësimet sepse prindi e ka larguar nga problemet familjare. Por kemi edhe fëmijë mjaft të stresuar dhe atë e shfaqin në shkollë, në mënyra të ndryshme.

Ajo.mk: A keni kontaktuar me ato prindër?

Anife Kastrati-Mësuese: Po i thërras në takime dhe konsultime, sidomos me nënat kam pasur takime të shpeshta, apo edhe në telefon dhe kam arrit sukses.

Ajo.mk: A e konsultoni psikologun dhe pedagogun në rastet e këtilla?

Anife Kastrati-Mësuese: Nëse ne nuk gjejmë zgjidhje është opcioni i fundit që ti drejtohemi pedagogut dhe psikologut. Por unë nuk e kam praktikuar shpesh sepse kam arritur sukses me nxënësit dhe vetëm kur e kam parë të nevojshme i jam drejtuar pedagogut dhe psikologut.

Psikologja  Fitore Bajrami-Abdi thotë se ky është një fillim i ri si për fëmijën ashtu edhe për prindërit, posaçërisht nëse bëhet fjalë për fëmijën e parë në familje.

Fitore Bajrami Abdi-Psikologe: Përgatitja për shkollë është një proces që duhet të nisë më herët, që nxënësi të jetë i përgatitur për ndryshimin e mjedisit dhe rregullat qe pritet nga ai ti respektojë në shkollë. Inkurajimi dhe mbështetja janë shumë të nevojshme si dhe respektimi i ndjenjave që ka fëmija. Ti flitet me butësi, të njoftohet me atë se çka e pret dhe normalisht ti shpjegohet se mbi të gjitha ky është një proces që duhet kaluar por në asnjë formë të kushtëzohet ose të detyrohet të bëj diçka, për të cilën fëmija nuk është gati.

Ajo.mk: Ka fëmijë që nuk dëshirojnë të shkojnë në shkollë, çka e shkakton shqetësimin te fëmijët dhe si duhet të veprojnë në atë rast prindërit?

Fitore Bajrami Abdi-Psikologe: Ndodh shpesh që fëmijët të shfaqin rezistencë dhe nuk dëshirojnë të shkojnë në shkollë, në të tilla raste e rëndësishme është që të bisedohet se çka i shkakton frikë, ti zbërthehet dhe ti sqarohet me shumë dashuri dhe shumë mbështetje se çka e pret. Shpesh herë fëmijët i frikëson e panjohura dhe për atë shkak me shumë kujdes dhe dashuri i sqarohet në të njëjtën kohë mbështetje për fillimin e ri.

Ajo.mk: Si duhet të veprojnë mësuesit/et kur në klasat e tyre ka fëmijë që qajnë apo nuk duan të qëndrojnë në klasë?

Fitore Bajrami Abdi-Psikologe: Ashtu si të rriturit edhe fëmijët ndryshe i presin ndryshimet, disa e presin shkollën me shumë entuziazëm e të tjerë me frikë dhe pasiguri. Prej mësuesve pritet që tu japin mbështetje dhe dashuri, duke ua bërë mjedisin e shkollës të dëshirueshëm dhe pa frikë. Sigurisht që ky është një proces dhe ndryshimi nuk ndodh menjëherë por me bashkëpunimin e prindërve dhe mësuesve, fëmijët mund ta tejkalojnë këtë gjendje, natyrisht nëse nuk bëhet fjalë për situatë tjetër e cila do të kërkonte intervenim tjetër.

Ajo.mk: A ekziston rreziku që shqetësimi i një fëmije të bartet edhe tek shokët dhe shoqet e klasës?

Fitore Bajrami Abdi-Psikologe: Varet se si menaxhohet nga vetë mësuesit por sigurisht se mund të ndikojë dhe të nxisë frikë edhe te fëmijët tjerë. Por në anën tjetër mësuesit mund ti përfshijnë nxënësit tjerë ti ndihmojnë shokut/shoqes që ta tejkalojë më lehtë situatën.

Tani secila shkollë posedon shërbimet profesionale dhe kuadër me psikolog e pedagog, kështu që shërbimet janë aty dhe besoj që profesionalisht mund të ju dalin në ndihmë prindërve apo mesuesve në nevojë, thekson psikologja Fitore Bajrami-Abdi.

Intervistoi: Ajo.mk

Leave a Reply

Your email address will not be published.