DHUNA VRET NË HESHTJE ANDAJ PËRGJIGJA NGA INSTITUCIONET DHE SHOQËRIA DUHET TË JETË E ZËSHME

DHUNA VRET NË HESHTJE ANDAJ PËRGJIGJA NGA INSTITUCIONET DHE SHOQËRIA DUHET TË JETË E ZËSHME

Statistikat për dhunën ndaj grave dhe vajzave në mbarë globin po shënojnë rritje dhe kjo situatë është përkeqësuar që nga fillimi i pandemisë Covid – 19. Një raport i Kombeve të Bashkuara thotë se kohët e fundit çdo e treta grua apo vajzë ka përjetuar dhunë fizike ose psikologjike derisa kjo shifër evidenton 736 milionë viktima të dhunës në mbarë botën. Çdo formë e dhunës paraqet shqetësim jo vetëm për viktimat por edhe për shoqërinë. Për fat të keq kjo gjendje është evidente edhe në mesin tonë por më të tmerrshme janë numrat e rasteve të dhunës të cilat nuk raportohen. Kjo vjen si rrjedhojë e shumë faktorëve ndikues që i bën viktimat të heshtin, të pajtohen dhe jetojnë me të apo të frikohen ta paraqesin dhunën. Organet kompetente sjellin ligje në përputhje me standardet ndërkombëtare por sa aplikohen ato?

Në këtë temë zhvilluam bisedë me profesoreshën universitare Besa Arifi.

Gjendja me dhunën në bazë gjinore gjegjësisht dhunën ndaj gruas në nivel global është shqetësuese por shqetësuese janë edhe statistikat në vend. A pasqyron kjo gjendjen reale të numrit të viktimave gra në vendin tonë e në veçanti në shoqërinë tonë?

Prof. Besa Arifi: Gjendja lidhur me dhunën në bazë gjinore ndaj grave është vërtet alarmante në aspekt botëror, rajonal dhe nacional. Në aspekt kriminologjik, rastet e dhunës ndaj grave, veçanërisht kur bëhet fjalë për dhunë në familje dhe në marrëdhëniet e punës, nuk raportohen në tërësi dhe aty është shumë i lartë numri i errët i kriminalitetit. Veprat penale të kësaj natyre nuk raportohen për arsye të ndryshme dhe situata në teren mund të jetë shumë më serioze se sa ajo që paraqitet në të dhënat statistikore. Poashtu, shteti nuk ka raporte të anketimit të viktimave potenciale, të cilat janë anketa të përgjithshme që realizohen në popullatë e në bazë të të cilave fitohen informata për vepra të kryera penale edhe përskaj asaj që të njejtat nuk janë raportuar. Anketat e tilla mundësojnë edhe një shqyrtim më të mirë të arsyeve për mosraportim të kësaj forme të dhunës.”

Cilat janë arsyet që gratë dhe vajzat tona në të shumtën e rasteve nuk e paraqesin dhunën?

Prof. Besa Arifi: “Arsyet janë të shumta. Veprat penale që përfshinë dhunë në bazë gjinore janë posaçërisht stigmatizuese për viktimat. Viktimat e këtyre veprave përjetojnë viktimizim sekondar në institucionet shtetërore dhe poashtu përjetojnë stigmatizim shoqëror në mjediset konservative ku gjithmonë faji kërkohet te vetë viktima. Aspekte të caktuara të dhunës familjare dhe të dhunimit brenda martesës vazhdojnë të jenë tabu. Mungesa e edukimit seksual për fat të keq kontribuon që vajzat e vogla dhe ato adoleshente të mos jenë të vetëdijshme për format e dhunës të cilat i përjetojnë. Ka raste kur edhe vetëdija për mbrojtjen nga dhuna në bazë gjinore është e ulët dhe gratë e vajzat nuk janë sa duhet të informuara për format e kësaj dhune dhe për mekanizmat që i kanë në disponim për të reaguar ndaj saj.”

Sa institucionet tona ofrojnë mbështetje në drejtim të mbrojtjes së viktimave të dhunës dhe përkujdesjen për ato (marrë parasysh lidhjen institucionale e cila duhet të jetë funksionale)?

Prof. Besa Arifi: “Përgjigja institucionale ndaj dhunës në bazë gjinore nuk është adekuate. Mund të bëhet më shumë në drejtim të inkurajimit të raportimit të këtyre veprave penale dhe posaçërisht në përkrahjen e viktimave që mbledhin guximin ti paraqesin rastet e tilla. Hap i rëndësishëm është themelimi i strehimoreve për gratë të cilat kanë raportuar vepra të tilla por me rëndësi është përkrahja që duhet tu jepet shumë grave dhe vajzave që hezitojnë ti paraqesin këto raste, mes tjerash edhe për shkak të trajtimit joadekuat që ndonjëherë e përjetojnë në institucionet shtetërore. Ka pasur raste kur gratë kanë paraqitur rastet e dhunës por institucionet kompetente nuk kanë vepruar në kohë dhe rasti ka eskaluar edhe ka përfunduar me pasoja fatale. Një neglizhencë e tillë është e papranueshme për një shtet demokratik. Poashtu, institucionet shtetërore duhet të vendosin mekanizma të identifikimit të rasteve të paraportuara të dhunës në bazë gjinore përmes krijimit të Anketave për viktimat potenciale.”

Konventa e Stambollit është ratifikuar në vend dhe priten ndryshime në Kodin Penal çka nënkupton kjo? Në cilën pjesë të Kodit Penal duhet të realizohen ndryshimet? ( Çka parasheh propozim ligji dhe çka aktualisht përmban ligji aktual)

Prof. Besa Arifi: “Ratifikimi i Konventës së Stambollit është një hap shumë i rëndësishëm në aspektin e adresimit të dhunës në bazë gjinore. Në bazë të kësaj konvente tani më është sjellë Ligj i veçantë për mbrojtjen nga dhuna në bazë gjinore por për vendosjen e mirëfilltë të përgjegjësisë penale për këto raste, më me rëndësi është plotësimi i Kodit Penal. Për momentin, është duke u përgatitur Kodi i ri Penal te i cili janë përfshirë obligimet që dalin nga ratifikimi i Konventës së Stambollit e që kanë të bëjnë me inkriminimin e Marrëdhënies gjinore pa pajtim (vullnet të lirë) krahas veprës së deritashme të Dhunimit. Deri më tani përdorimi i dhunës ishte pjesë esenciale e figurës ligjore të veprës penale Dhunim për të cilën arsye dëshmimi i dhunës seksuale shpesh bëhej i vështirë, gati i pamundur për viktimën, gjë që kontribuonte edhe në raportimin e ulët të kësaj vepre. Përveç kësaj, Kodi i ri penal përfshin edhe veprat e reja penale: ngacmim seksual, persekutim (stalking), gjymtim i organeve gjenitale femërore, martesë e dhunshme, etj. Posaçërisht i rëndësishëm është fakti që vrasja e personit gjatë dhunës në bazë gjinore (femicidi) në Kodin e ri penal do të jetë njëra ndër vrasjet e kualifikuara për të cilat dënimi është minimum 10 vite burg deri në burgim të përjetshëm.”

A mendoni se propozim ligji do të sjell njëlloj ndryshimi në sensin që dhunuesi do të mendojë më thellë mbi veprën (dhunën) dhe pasojat e saj para se ta ushtrojë atë?

Prof. Besa Arifi: “Parandalimi në bazë të inkriminimit të veprave të reja në Kodin penal dhe parashikim i dënimeve adekuate do të ketë ndikim të caktuar në mënyrën e raportimit të këtyre veprave dhe në parandalimin e tyre. Nga ana tjetër, për të ulur numrin real të këtyre veprave penale nuk mjafton që të njejtat të parashihen në Kodin penal por duhet që dispozitat e Kodit të zbatohen me efikasitet. Zbatimi i tyre, përveç nga raportimi, do të varet shumë nga puna e organeve gjyqësore, pra puna e prokurorisë dhe gjykatave duke përfshirë këtu edhe punën e organeve policore si shumë të rëndësishme. Ngritja e vetëdijes për këto vepra u takon jo vetëm institucioneve shtetërore por njëkohësisht edhe shoqërsië civile, mediumeve dhe institucioneve arsimore.”

Artikulli dhe intervista janë përgatitur nga Portali “AJO” të drejtën e shpërndarjes e kanë bashkëbiseduesja dhe AJO.

Leave a Reply

Your email address will not be published.