DITA NDËRKOMBËTARE E LIBRIT PËR FËMIJË –  DITË E VEÇANTË E NXITJES DHE INICIMIT TË DASHURISË SË LEXIMIT TE MË TË VEGJLIT

DITA NDËRKOMBËTARE E LIBRIT PËR FËMIJË –  DITË E VEÇANTË E NXITJES DHE INICIMIT TË DASHURISË SË LEXIMIT TE MË TË VEGJLIT

Lexuesit e vegjël e kanë një ditë të veçuar në kalendarin e 365 ditëve të vitit dhe pikërisht kjo ditë shënohet sot. Dita Ndërkombëtare e librit për fëmijë është ditë e veçantë me qëllim nxitjen dhe inicimin e dashurisë së leximit te më të vegjlit tanë.

Të lexuarit si një proces duhet të jetë pjesë e pandashme e fëmijëve që para lindjes së tyre, kur nënat gjatë procesit të shtatzënisë me lexim do të dhurojnë ndjenjën e qetësisë që ai fal, thotë Nertila Pitarka shkrimtare e librave për fëmijë për Portalin Ajo.

Kështu duke vazhduar edhe më tutje që leximi të bëhet rutinë e përditshme e fëmijëve. Kështu leximi i librave fillimisht me ilustrime do të jetë një lojë e këndshme dhe bashkëveprim prind- fëmijë e cila do të zhvillojë imagjinatën, të shprehurit bukur, lirshëm dhe rrjedhshëm.”- thekson Nertila Pitarka shkrimtare e librave për fëmijë.

Por mësuesja Hatixhe Topalli thotë se fëmijët dita ditës po e humbin interesimin e të lexuarit dhe në këtë sferë duhet të gjithë të ndikojmë së bashku për të gjetur mënyrë se si ta kthejmë ndjenjën dhe dashurinë e të lexuarit te ata.

Të lexuarit është aktivitet shumë i rëndësishëm, ndaj shprehia për të lexuar dita ditës po zbehet. Nxënësit me tepër lexojnë vetëm libra të obliguara nga arsimtarët.”

Ndërsa në pyetjen nga “AJO”se sa ka ndikuar zhvillimi teknologjik në këtë drejtim mësuesja Hatixhe tha se teknologjia ka anët pozitive dhe negative, por në këtë drejtim pengon leximin e librave që nxënësit duhet ti ndjejnë në duart e tyre.

Nertila ndan të njëjtin mendim. Thekson se një numër i madh i fëmijëve fatkeqësisht nuk kanë krijuar asnjë ndjenjë dhe dashuri për librin dhe leximin.

Pasi që zhvillimi teknologjik ka marrë një hov të madh, fëmijët janë ata të cilët ndikohen më shumë nga imponimi i realitetit të këtij shekulli. Kjo është një nga arsyet kyçe, se pse një përqindje e madhe e fëmijëve nuk kanë krijuar as një lloj ndjenje për librin si pasuri, madje as që iu lind ndonjëherë dëshira që të blejnë një libër, e aq më pak të dhurojnë një të tillë.” Nertila Pitarka shkrimtare e librave për fëmijë.

Duke u fokusuar edhe në aspektin psikologjik shpesh ndikon pamja e jashtme të nxisë kureshtjen për gjërat që ndodhen brenda saj. Ne jemi dëshmitarë se shumë libra në bibliotekat e shkollave në vend janë botime të vjetra, të grisura ose pa ilustrime.

Në bibliotekat shkollore ka mungesë të librave, thekson mësuesja Hatixhe e në veçanti botime të reja.

“Mendoj se duhet të furnizohen bibliotekat me libra të reja, me enciklopedi të ndryshme e sidomos tek ne mungojnë libra me ilustrime për ciklin e ulët të nxënësve. Mendoj se duhet të organizohen aktivitete dhe punëtori të ndryshme për ti stimuluar fëmijët për lexim.”– shtoi ajo.

Libraria vizitohet në nivel relativisht të lartë nga lexuesit e vegjël, nëse e krahasojmë me numrin e frekuentuesve të rritur, theksojnë nga Libraria Nobel.

“Grupmoshat deri katër vjeç kryesisht janë të interesuar për materiale përgatitëse parashkollore, si dhe përralla; ndërsa storiet me skica e ilustrime dhe enciklopeditë janë kryesisht përzgjedhjet e fëmijëve më të zhvilluar. Temat më interesante janë zakonisht ato më relaksueset për ta, si dhe temat që e shuajnë kuriozitetin e tyre. Më të përsëriturat përfshijnë eksplorimin e botës së faunës; njohjen me dukuritë e natyrës; njohuritë e përgjithshme shkencore; universin etj…” – theksojnë nga Libraria Nobel.

Kjo është një temë vërtetë delikate dhe me rëndësi të veçantë, duke pasur parasysh që për të nxitur leximin, në këto kohëra kur edhe të rriturit çdo dit e më pak krijojnë kënde librash në shtëpi, si një traditë e dikurshme shoqërore, gjë që tregon se edhe leximi shuhet shumë e më shumë, shton  Nertila Pitarka.

Duhen ndryshime rrënjësore në procesin arsimor, përfshirë aktiviteteve të lira, orët letrare, lojërat/garat e leximit. Motivimi i fëmijëve për lexim duhet nisur që nga prindërit, të cilët fatkeqësisht nga angazhimet e shumta nuk kanë kohë as të takohen me fëmijët e tyre. Ky realitet i hidhur flet për shumë faktorë të cilët ndikojnë negativisht në gjithë procesin e arsimimit fëmijëve, përfshirë edhe leximin.  Sa më shumë aktivitete të lidhura me lojëra, rrugë kjo që siguron sukses dhe njohuri afatgjate në memorien e fëmijëve.

Dita Ndërkombëtare e librit për fëmijë shënohet që prej 2 prillit të vitit 1967 në ditën e lindjes  së njërit nga shkrimtarët më të dashur për fëmijë Hans Christian Andersen./Ajo.mk

Artikulli është shkruar nga Portali AJO dhe të drejtën e shpërndarjes e kanë vetëm ata të cilët e kërkojnë të njejtën nga Portali AJO.

Leave a Reply

Your email address will not be published.