INFORMACIONI DHE EDUKIMI MBRON TË RINJTË

 

INFORMACIONI DHE EDUKIMI MBRON TË RINJTË

“Gjuha e urrejtjes, ngacmimet, ofendimet dhe kërcënimet në internet janë bërë pjesë e përditshmërisë së shumë vajzave që përdorin rrjete sociale. Edukimi nëpër shkolla parandalon pasoja të padëshirura dhe nuk është në dëm të tyre por është në favor të tyre.”

Vetë propozimi I lëndës “Edukimi gjithëpërfshirës seksual” përveç që krijoi huti njëkohësisht ngjalli debate dhe reagime të nxehta në shoqëri. Fëmijët gjatë zhvillimit të tyre në moshën e pubertetit përjetojnë ndryshime fizike dhe psiqike të cilat nuk kontrollohen dhe detektohen lehtë dhe në këtë pikë është shumë i rëndësishëm edukimi i tyre i drejtë. Ndërkohë, në ditë të sotme kur shohim një vrull të zhvillimit teknologjik, informacionet të cilat i marrin fëmijët nëpërmjet internetit, përdorimit të rrjeteve sociale i tejkalojnë bindjet e prindërve se sa ata dinë për gjëra të caktuara.

Gjuha e urrejtjes, ngacmimet, ofendimet dhe kërcënimet në internet janë bërë pjesë e përditshmërisë së shumë vajzave që përdorin rrjete sociale thotë Rita Behadini nga “Mollëkuqja”. Sipas një hulumtimi të realizuar nga kjo organizatë, 65.8% e vajzave të anketuara kanë marrë mesazhe nga djem ose burra që përmbajnë forma të ndryshme të ngacmimit seksual, gjuhë të urrejtjes, kërcënime dhe ofendime. 32.2% e tyre nuk kanë marrë përmbajtje të tilla në rrjetet sociale, ndërsa 1.9% preferojnë mos ta thonë.

Vajzat e moshës madhore deri diku janë të njoftuara se si duhet të reagojnë por vajzat adoleshente dhe të moshës më të vogël nuk dinë. Shpesh kjo shkakton ankth, depresion dhe pasoja të ndryshme psikqike te ato. Besoj shumë se edukimi dhe informacioni duhet të ju servohet nxënësve dhe ka rëndësi shumë të bëhet nga person i duhur, ai që ka informacion dhe ai që ka njohuri mjekësore në këtë drejtim. Edukimi seksual nëpër shkolla parandalon abortin, parandalon shtatzëninë. Nuk është në dëm të tyre por është në favor të tyre.”thotë Rita Behadini.

Padyshim që prindërit luajnë rol kyç në formimin e personalitetit të fëmijëve por sa do që duan të jenë të gatshëm të dëgjojnë fëmijët për tema të ndjeshme hezitojnë të flasin për shkak të reagimit të tyre. Ndërsa nga ana tjetër, fëmijët jo çdoherë kanë dëshirë të flasin për çështje të cilat konsiderohen si intime, përballë autoritetit të prindit dhe ekziston rreziku i mbylljes së tyre në vetvete. Roli i edukatorit, mësuesit në këtë rast ka më shumë peshë thekson Nazim Rashidi prind i dy fëmijëve.

Më shumë mendoj se është shqetësuese droja e tyre për shkak të ndryshimeve që ju ndodhin dhe kjo i bën më të mbyllur sepse nuk janë fëmijë e as të rritur. Janë në një konfuzitet të zhvillimit dhe të informacioneve. Ndoshta kanë informacione por nuk e kanë përvojën e një të rrituri, dhe kjo përplasje i bën ndoshta të ndrojtur, agresivë, ndoshta në rrethana kur mund të jenë të ngacmuar edhe depresiv ose të shqetësuar. Në këto momente raporti me prindin mund të jetë i mbyllur. Prandaj mendoj që roli I mësuesve është I jashtëzakonshëm sidomos i atyre që kanë qasje më të afërt, ndoshta të jenë më komunikues. Edukimi informimi si për faza të tjera të jetës edhe për këtë fazë do ti mbronte dhe do ti sillte në një pozicion me komod me ndryshimet që ju ndodhin.”- Nazim Rashidi

Në gjithë këtë proces, informimi i drejtë i realizuar nga persona adekuat, në veçanti në fazën më të ndjeshme të zhvillimit te fëmijët ka rëndësi esenciale. Ndaj në këtë temë, profesoresha e biologjisë Njomza Shaqiri thekson se ka shumë faktorë që kanë krijuar konfuzitet në mesin e popullatës. Shton se shpesh aplikimi i metodave të reja edhe kur është në dobi të shoqërisë kundërshtohet, derisa krijimi i kushteve për realizimin e tyre është proces që kërkon kohë, në veçanti për tema të ndjeshme që kërkojnë informim të thellë rreth përmbajtjes së tyre.

“Fëmijët vazhdimisht ballafaqohen me ngacmime seksuale qoftë në rrjete sociale apo brenda shkollës apo rrethit ku jetojnë. Në këtë pikë nuk është se janë shumë të informuar. Nuk flasin shumë ose ngurojnë. Tani me vite e shoh se gjeneratat e fundit veç më flasin, e shprehin mendimin e tyre që dikur ishte tabu temë, tashmë nëse hapesh dhe flet ata reflektojnë. Edukimi seksual nuk ka të bëjë vetëm me aktin e marrëdhënieve intime ka të bëjë me të gjitha aspektet, me edukim, aspektin emocional, psiqik, si dhe ndikimin e rrethit social.”- Njomza Shaqiri, profesoreshë e biologjisë

Rrjedhimisht, si pasojë e mungesës së edukimit dhe informacionit adekuat shfaqen dukuri negative si diskriminimi, dhuna, urrejtja dhe bulizmi në shkolla. Kjo çon edhe në dhunën familjare e në veçanti dhunën ndaj vajzave dhe grave ku sipas profesoreshës universitare Besa Arifi, edukimi seksual cilësor dhe trajtimi i temave të ndjeshme do të ndikonin dukshëm në parandalimin e saj.

“Aspekte të caktuara të dhunës familjare dhe të dhunimit brenda martesës vazhdojnë të jenë tabu. Mungesa e edukimit seksual për fat të keq kontribuon që vajzat e vogla dhe ato adoleshente të mos jenë të vetëdijshëm për format e dhunës të cilat i përjetojnë. Ka raste kur edhe vetëdija për mbrojtjen nga dhuna në bazë gjinore është e ulët dhe gratë dhe vajzat nuk janë sa duhet të informuara për format e kësaj dhune dhe për mekanizmat që i kanë në disponim për të reaguar ndaj saj.”- Besa Arifi, profesoreshë universitare

Edukimi gjithëpërfshirës seksual është lëndë e cila u mundëson fëmijëve të mësojnë më shumë për trupin e tyre dhe në këtë mënyrë të mbrojnë shëndetin, mirëqenien dhe dinjitetin nëpërmjet mekanizmave edukativ. Aplikimi i tij ka për qëllim zbutjen e dhunës, parandalimin e dukurive negative, informimin e drejtë për shëndetin seksual dhe reproduktiv dhe zhvillimin e drejtë të fëmijëve. Lënda e Edukimit Gjithëpërfshirës Seksual (EGJS) si koncept i propozuar është vendosur në grupin e lëndëve zgjedhore por nuk është obligative. Që nga fillimi i këtij viti shkollor, si pilot projekt ka filluar të aplikohet në 4 shkolla fillore të vendit në klasën e nëntë, vetëm me pëlqimin e prindërve.

Gazetare Leunora Kaliqi/Ajo.mk

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.