NËNË HATIXHEJA- GRUA TRIME E MULLA IDRIZ GJILANIT

Prof.dr. Sabile Keçmezi-Basha

NËNË HATIXHEJA- GRUA TRIME E MULLA IDRIZ GJILANIT

Një kaptin të veçantë në historinë e popullit shqiptarë pa dyshim zënë edhe gratë. Ajo, asnjëherë nuk u pajtua me padrejtësitë, që i ndodhën gjatë historisë. Jo vetëm që nuk u pajtua me të, por lirisht mund të thuhet se ishte pjesëmarrëse aktive në të gjitha lëvizjet dhe organizimet, që u ndërmorën për daljen nga robëria shekullore, që populli shqiptar me sakrifica të mëdha pagoi çdo gjakim të lirisë. Ajo me dashurin që kishte për lirinë, gjeti mënyra dhe mundësi për tu aktivizuar në të gjitha format e rezistencës që u ndërmorën për lirinë e popullit, herë në mënyrë direkt, e herë në prapavijë, ajo me një dinjitet të lartë ishte aty, ku ishin burrat dhe ku vendosej për fatet e mprehta të vendit.

Pas vitit 1945, Gruaja shqiptare ishte po ajo grua e Rilindjes Kombëtare, vetëm ca më e avancuar në kuptimin e ngritjes arsimore. Ajo nuk mundi të qëndronte duarkryq duke i parë sulmet e një pas njëshme dhe masakrat e shumta, që ndodhnin ndaj popullsisë shqiptare. U angazhua duke treguar trimëri të rrallë në organizatat nacionaliste dhe luftoi me këmbëngulje për realizimin e qëllimeve më të larta kombëtare.

Numri i tyre, që dolën për të mbrojtur pragun e shtëpisë dhe lirin aq shumë të pritur ishte i madh. Vepruan ato, në mënyrë të organizuar, por edhe aty ku e lypte nevoja. Me formimin e organizatës Nacional Demokratike Shqiptare, në kuadrin e saj, në komitete komunale të NDSH-es, si formë organizimi, u aplikuan edhe komitetet e grave të NDSH-së, që vepronin kryesisht me gra, ndonëse ato vepronin edhe në forma të tjera, ngase në disa pjesë të Kosovës organizimi i tyre nuk ishte edhe aq i mundshëm.

Sipas shumë shënimeve që kemi, në Anamoravë nuk kishte ndonjë organizim të veçantë të grave. Por, duke hulumtuar në terren, del se gratë e kësaj pjese të Kosovës më tepër vepronin në kuadër të NDSH-së, por aktiviteti më i madh i tyre vije në shprehje në prapaskenat e veprimtarisë së NDSH-së, duke iu ndihmuar burrave në mënyra të ndryshme.

Vlen të përmendim se porosi e profesor Ymer Berishës dhe e krerëve tjerë të Lëvizjes kombëtare ishte dhe kërkonin me këmbëngulje që në radhët e NDSH-së të angazhohen dhe të përfshihen sa më shumë gra. Dhe si detyrë primare shtrohej që ato të angazhohen në bartjen e postës, në mbledhjen e ndihmave, në shpërndarjen e tyre, në shpërndarjen e afisheve në qytet, në grumbullimin e materialit sanitar, në vizitat e shumta që do t’u bëhen familjeve të anëtarëve që ishin të arratisur në male, që ishin të pushkatuar etj. Gruaja shqiptare rol të veçantë luajti në aspektin e propagandës, duke iu dhënë zemër grave të tjera se liria është afër dhe shumë shpejt do ta gëzojmë atë.

Në vitet 1945-1947, me zbulimin e anëtarëve të NDSH-së, u zbulua edhe aktiviteti i dendur anti-jugosllav i grave të Anamoravës. E dhe ato u ndodhën në bankat e zeza të gjyqit duke u dënuar me pushkatim dhe me vite marramendëse burgu. Vlen të përmendim procesin gjyqësor në Prizren të Marie Shllakut, ku me 24 nëntor u ekzekutua me tre bashkëvendës të saj.

Një vit më vonë, në Gjilanin e Idriz Seferit, filloi një proces tjetër po aq makabër se ai i Prizrenit, ku para gjyqit dolën 36 atdhetar, për tu dënuar me vite drakonike nga pushtuesi jugosllav. Para trupit gjykues, në bankën e zezë me një krenari të paparë gjerë më atëherë, qëndronte kokëlartë amvisja e më vonë aktorja e njohur e Teatrit Kombëtar në Prishtinë, nga Ferizaj, Katarina Josipi- Pjetri, motra e devotshme e atdhetarit, Lazër Josipit, që edhe ai dënohej po në këtë proces gjyqësor. Gjykata e akuzonte se “ka qenë e ndërlidhur me organizatën e NDSH-së dhe në shtëpi e saj e ka fshehur ilegalin Hamdi Berishën si dhe armatimin e shumtë, municionin dhe materiale tjera të cilat ishin dedikuar për organizatën e NDSH-së.

Në kohen kur organizohej procesi, Katarina kishte vetëm 23 vjet, e martuar, por megjithatë rrezikoi çdo gjë vetëm e vetëm që ti ndihmoj lëvizjes së NDSH-së. Maria, Katarina e shumë të reja shqiptare dolën para gjyqit dhe në mënyrën më të vrazhdë u ballafaquan me realitetin historik, se liria megjithatë, pa sakrifica nuk mund të fitohet. Por, çfarë të thuhej për të gjitha ato gra që në mënyrë të tërthorët, duke qëndruar në prapavijë, e ndihmuan popullin, i fshehën dhe u kujdesën për krerët dhe anëtarët e tjerë të lëvizjes së rezistencës. Mund të themi se gruaja e Anamoravës gjatë tërë periudhave të historisë kishte zgjedhë një rrugë më pak ekspozuese, por që epte një kontribut të jashtëzakonshëm në lëvizjet kombëtare. Ajo me një devotshmëri u kujdes për fëmijët që ti edukojë në tabanin kombëtar, ruajti me krenari postulatet e të parëve për luftërat kundër robërisë, mbrojti familjen si gjënë më të shenjët dhe çdo gjë që nënkuptonte atributet më sublime etike e kombëtare.

Nëna Zarife nga Gjyrisheci i Dardanës ishte shembulli më tipik i një gruaje që sakrifikoi çdo gjë vetëm e vetëm që njëherë e përgjithëmon ta shoh vendin e saj të lirë. Ajo edhe me kusht të flijimit të jetës dhe të tërë familjes, u kujdes dhe e ruajti me trimëri Mulla Idrizin- nga Gjilani, në sarkofagun e bërë në mur me gjatësi 397 cm e gjerësi 80 cm. Në këtë sarkofag e ruajti plotë dy vjet luftëtarin e lirisë. Falë trimërisë dhe dashurisë së madhe të nënës Zarife, që kishte për atdheun, ajo u kujdes me devotshmëri për të, sikur ta kishte anëtar të familjes më të ngushtë. Zbulimin e hoxhës dhe arrestimin e tij, nëna Zarife e përjetoi rëndë. Ajo në momentin e arrestimit, duke mos e kuptuar qëllimin e mirë të Mulla Idrizit ndaj familjes së saj, ai dorëzohej pa e shkrepur asnjë fishek. E befasuar nënë Zarifja nga kjo sjellje e hoxhës, ajo kërkon nga ai që të mos dorëzohej ”pa luftë” dhe kërkon “hoxhë, pushka top le të bëhet, të lutem mos u dorëzo”. Duke mos ditur se hoxha me atë sjellje të qetë e të urtë, në të njëjtën kohë po e kursente atë dhe familjen e saj nga tragjedia më e madhe që mund të ndodhë.

Pas kësaj ngjarjeje edhe nënë Zarifja nuk u kursye nga fyerjet, maltretimet dhe ecejaket nëpër burgjet e ndryshme të Gjilanit e të Kamenicës. Ndërsa djemtë e saj u kalbën nëpër kazamatet jugosllave si bashkëpunëtorë dhe bashkëveprues të patriotit.

Nuk ishin rastet e rralla, kur gratë e luftëtarëve merreshin në burgje si peng vetëm e vetëm për të zbuluar burrin, vëllanë, djalin se ku fshihej ai, apo në ç’kohë ai vinte në shtëpi, apo nga ato kërkohej që të tregonte kush janë bashkëpunëtorët e tyre e shumë fshehtësi të tjera, e që në dosjet e UDB-es, ngelte pyetje pa përgjigje. Kishte raste të shumta kur nënat shqiptare me vite të tëra pritnin burrat që tu ktheheshin në shtëpi, duke i rritur dhe edukuar fëmijët me një taban kombëtar, dhe duke iu treguar atyre, se baballarët e tyre janë trima, se këta duhet të mburrën që janë fëmijët e tyre. Kishte raste edhe më tragjike, kur ata nuk ktheheshin fare nga burgjet jugosllave dhe as varret e tyre nuk arrinin ti mësonin.

Me depërtimin e një pjese të ilegales shqiptare për Greqi, shumë gra mbetën pa burrat e tyre, dhe për të gjallë kurrë nuk arritën të shiheshin ndërmjet veti, por ato, megjithatë u bënë ballë furtunave të jetës. Ato ishin të vetëdijshme për fatin e tyre, dhe e lanë amanet brez pas brezi se kush ishte shkaktar kryesor i fatkeqësisë së tyre familjare e kombëtare në përgjithësi.

Gratë shqiptare sikurse edhe burrat, qëndruan nëpër birucat e ndyra e të pista edhe, si peng për burrin, djalin e babanë. Rasti më flagrant, i cili gjithsesi duhet përmendur është ai i gruas së madhe të Mulla Idrizit- NËNË Hatixhes nga Gjilani.

Nënë Hatixheja ishte e lindur më 1915, në Gjilan. Ishte bija e Bajram Rexhep Nallbanit, një familje që ishte e njohur me traditë patriotike. Megjithëse ishte e pa shkolluar, por pas martesës me Mulla Idrizin, ajo mësoi shkrim-leximin nga burri, sepse ai ishte dashamirë i madh i arsimimit të femrave, ngase shpesh thoshte, se pa grua të shkolluar nuk mund të ketë as komb të ngritur, se mëkati më i madh i njeriut është po qe se gruan e lëmë të pa shkolluar.

Prej vitit 1937, ajo iu bë shoqe e ngushtë e jetës. Ajo me sjelljen e një gruaje të pjekur, priti e përcolli shokët e burrit, e që nuk ishin të paktë si ata fetar e po ashtu edhe ata të lëvizjes patriotike kombëtare. Pranë burrit të vet, ajo u brumosë edhe më tepër me trimëri e përkushtim më të madh për çështjen atdhetare. Më 1944, respektivisht pas sulmit të Gjilanit, dhe arratisjes së burrit pa gjurmë, nënë Hatixhja ishte gruaja më e persekutuar në anën e Gjilanit e më gjerë. Në mungesë të burrit nënë Hatixhën e arrestuan, duke menduar se në këtë mënyrë më lehtë do të zbulohet Mulla Idrizi. Por u mashtruan. Gruaja e Mulla Idrizit qëndroi e fortë para torturave, dhe maltretimeve që i bënë UDB-ashët. Edhe pse ishte shtatzënë, ata nuk e kursyen nga presionet e shumta si fizike, po ashtu edhe nga ato psikike. Sa qëndroi në burgun e Gjilanit, atë e vendosën të qëndronte në një dhomë me burra. Ajo qëndronte, stoike. Në shtëpi kishte lënë tre fëmijë të vegjël së bashku me nënë Hysnijen, e cila vizitorët më të shpeshtë i kishte UDB-ashët dhe sa herë që e vizitonin i kërcënoheshin asaj se atë- plakën, do ta likuidojnë së bashku me fëmijët, ata që i kishte në shkollë do t’i përjashtojnë nga shkolla, e shumë të zeza tjera do t’iu bëjnë po qe se nuk tregojnë se ku fshihet Mulla Idrizi. Nënë Hatixheja ishte e njoftuar për të gjitha këto, por ajo me një qëndresë të paparë iu bënte ballë të gjitha këtyre mundimeve ngase ishte e vetëdijshme se edhe këtë qëndresë që e bënte , e bënte për burrin, për fëmijët dhe në fund e bënte për atdheun që aq shumë e donin ajo dhe burri i saj- Mulla Idrizi. Pas dy javëve të kaluara në burgun e Gjilanit atë e transferojnë për në burgun e Ferizajt. Edhe aty e vendosin në një dhomë me burra, që vetëm e vetëm të bënin presion të vazhdueshëm në të.

Por, siç thamë edhe më lartë, gratë shqiptare ishin raste të shpeshta, të cilat arrestoheshin si pengë për burrin e vëllain e tyre. Andaj edhe nënë Hatixhe në këtë burg nuk mbeti e vetme, si peng që ishte marrë, në mungesë të burrit. Në këtë burg iu bashkëngjitën edhe dy gra tjera, që ishin arrestuar po me të njëjtin qëllim si Nexhibe Tërpeza, gruaja e Hysen Terpezës nga Terpeza dhe dy gra të urta që ishin nga anë e Pejës dhe i kishin marrë si peng për burrat e tyre, e këto ishin Sofija dhe Maria, gra të patriotëve, i kujtohej nënë Hatixhës më vonë.

Edhe ato në fillim i kishin vendosur në një dhomë me burrat, por më vonë i vendosin në një dhomë gjëja se të veçantë, në të vërtet i ndante një mur pa derë për mbyllje. Vlen të cekim se sa qëndroi nënë Hatixheja në burgun e Ferizajt, ajo asnjëherë nuk e hoqi mbulesën e fytyrës (peqen) dhe as dorëzat nga duart. Asnjëherë nuk u shtri për të fjetur, por zakonisht gjumin e bënte ulur, me duar të kryqëzuara para gjoksit që mezi nxirrte frymëmarrjen. Këtë grua që fati e sprovoi kaq keq, kishte një karakter të fortë, dhe pikërisht kjo qëndresë e saj në një mënyrë edhe burrave të burgosur iu dha forcë për rezistencë të mëtejshme.

Edhe pse vazhdimisht e merrnin në pyetje, në kohë e pa kohë, ata asnjëherë nuk arritën, t’ia shohin fytyrën, nuk arritën t’ia shohin mishtë e duarve, ata asnjëherë nuk arritën as t’ia dëgjonin zërin, e se çfarë ngjyre kishte. Asnjëherë nuk doli në oborr të burgut për t’u shëtitur. Në vizitë nuk i vinte askush, jo që nuk e donin apo e kishin harruar, por nuk kishte kush t’i vinte.

Nga ana e burrit gati të gjithë ia kishin vrarë. Vetëm një vëlla i kishte mbetur Mulla Idrizit, por edhe atë ia kishin burgosur. Nga ana e nënës nuk kishte mbetur askush. Andaj edhe i mungonin vizitat, ushqimi e rrobat e lara e shumëçka tjetër. Vetëm familja e Abdyl Durës e kishte vizituar, i kishin sjellë bukë dhe i kishte treguar se nuk është e harruar.

Pas pesë muaj qëndrimi në burg, e palarë, e paushqyer, e torturuar, UDB-ashët e nxorën nga burgu, e hodhën në rrugë, pa i siguruar as kthimin në shtëpi.. Një njëri e kishte njohur rastësisht se ishte gruaja e Mulla Idrizit , i pagoi një fiaker për ta sjellë në Gjilan. Nga papastërtia e madhe që mbretëronte në burgjet e atëhershme, e kishin mbuluar morrat dhe e kishin bërë mish të gjallë. Flokët i kishin rënë nga ushqimi i dobët. Kishte mbetur asht e lëkurë, dhe nëna Hysnije, kur e pa që hyri në derë, mendoi se i parafytyrohej e bija, por u gëzua fortë kur kuptoi se vërtet ishte e bija e saj. Fëmijët nuk e njohën. Punëtorët e UDB-es edhe pse e kishin lirua nga burgu, torturat ndaj saja nuk i ndërprenë. E detyruan që në fshatrat e Gallapit të dal për të kërkua burrin. Të kota ishin bredhjet e gruas së gjorë. Pas dy javëve kërkese në fshatrat më të thella të Gallapit, ajo u kthye në Gjilan me këmbë të ënjtura e të gjakosura. Pas këtij tentimi thuajse në një masë u qetësuan shpirtrat e UDB-ashëve, dhe gruaja e gjorë më në fund mendoi se do ta lënë të qetë. Por, u gabua, ato hije të zeza ishin të pranishme gjithkund, kudo që ndodhej nënë Hatixheja. Nga burri rrallë merrte ndonjë letër, edhe atë të adresuar nga Turqia. Ajo ishte e vetëdijshme se letrat që i merrte së pari i kontrollonte UDB-eja, dhe çuditej pse e kërkonin Mulla Idrizin kur e dinin se ai ishte në Turqi. Por në vitin 1947, diku në fillim të pranverës, në hanin e Hasan Nallbanit u duk një njeri nga Gallapi me një porosi që vetëm nënë Hatixheja e kishte kuptuar, dhe gëzimi i saj ishte i pa përshkruar, sepse më në fund ajo u bind se burri i saj për të cilin kishte menduar se është në Turqi, apo ndoshta i vdekur, ishte i gjallë, dhe diku fshihej në fshatrat e Gallapit.. Por, pas porosisë që e kreu gruaja, nuk vonoi shumë, shtëpia e tyre u rrethua me forca të mëdha policore. Në ndërkohë e njoftuan se Mulla Idrizi është arrestuar dhe është mirë që ti sjellin rroba e ushqim i thanë ata. Koka nuk i pushonte së menduari duke i shtruar njëmijë e një pyetje që në pamundësi ngelnin pa përgjigje. Athua çfarë do të ndodhë me të? Athua do e malltretojnë? Athua do ta pushkatojnë? Çfarë do të ndodhë me fëmijët? E shumë pyetje të tjera. Dilemat, që e munduan nuk kaloi një kohë e gjatë e ato u sqaruan me 29 nëntor 1949, Mulla Idrizi u dogj i gjallë në burgun e Gjilanit. Shtrohet pyetja, se athua vërtetë Mulla Idrizi dogji veten, apo edhe kjo ishte vepër e kurdisur nga vetë UDB-ashët. Dhe, vërtetë edhe më tutje ngelin dilema. Por, një gjë është e vërtetë se vetë organet e UDB-es së Gjilanit i krijuan të gjitha kushtet që Mulla Idrizi të bëjë një vepër të tillë.

Nënë Hatixheja edhe më tej jetoi, po jetë i thënçin. Jetoi në mes jetës e vdekjes, në mes dhunës dhe qëndresës tamam ashtu siç iu pati hije grave tona të traditës. Por, mbi të gjitha ajo, deri në fund qëndroi trime e bujare. Me të mburreshin dhe mburren fëmijët dhe mbar populli shqiptar.

Punimi shkencor është shkruar nga Prof.dr. Sabile Keçmezi-Basha për Portalin “AJO” dhe të drejtën e shpërndarjes e mbajnë autorja dhe Portali “AJO”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.