NJË NË DHJETË GRA JANË VIKTIMA TË DHUNËS FIZIKE

Panel “Konventa e Stambollit dhe Ligji i ri për parandalim dhe mbrojtje nga dhuna ndaj grave – çfarë do të ndryshojë në qasjen për parandalim dhe mbrojtje nga dhuna ndaj grave?”

Një në dhjetë gra janë viktima të dhunës fizike, 30% e grave janë viktima të shqetësimeve seksuale, 2 në 5 gra janë viktima të dhunës psikologjike. Rreth një nga pesë gra njohin dikë të familjes, të afërt ose fqinje e cila ka përjetuar në një farë forme dhunën në familje. Kjo përqindje gjithsesi nuk është larg statistikave të viktimave të  dhunës në vendet e rajonit, u tha në panel diskutimin “Konventa e Stambollit dhe Ligji i ri për parandalim dhe mbrojtje nga dhuna ndaj grave – çfarë do të ndryshojë në qasjen për parandalim dhe mbrojtje nga dhuna ndaj grave?”

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska theksoi se Ligji i ri i cili për herë të parë i detyron institucionet të veprojnë me kujdes të duhur, ofron një zgjidhje të integruar shumë sektoriale dhe shumë disiplinare në trajtimin e dhunës, e cila paraqet bazë solide për përmbushjen e standardeve të Konventës së Stambollit.

“Ajo që kohëvet të fundit është bërë në vendin tonë, si zgjidhje e koordinuar për dhunën, është që tanimë do të kemi 13 qendra për viktimat e dhunës në familje dhe dhunën e bazuar në familje. Kemi tre qendra të cilat ofrojnë ndihmë për viktimat e dhunës seksuale, dhjetë këshillimore të specializuara të cilat punojnë me viktimat e dhunës. Por, ajo që është risi dhe doli nga ky ligj janë 8 qendra këshilluese të specializuara të cilat do të punojnë me dhunuesit.”,- tha ministrja e Punës dhe Politikës Sociale”, Jagoda Shahpaska.

Bashkëshortja e presidentit Stevo Pendarovski, Elizabeta Gjorgievska tha se dhuna në bazë gjinore dhe dhuna ndaj grave dhe vajzave është shkelje e të drejtave të njeriut dhe rrjedhimisht çon në gjendje të diskriminimit strukturor. Ajo thekson se mosbesimi në institucione, turpi, gjykimi dhe frika nga pasojat janë ndër shkaqet kryesore të dhunës ndaj grave.

 “Sa më shumë kontribuojmë sot aq më shumë gjeneratat e ardhshme të vajzave dhe grave do të kenë strukturë të sigurt të përkrahjes nëpërmjet së cilës mund ta realizojnë veten e tyre. Pa frikë nga diskriminimi, gjykimi, pa dhunë. Dhe edhe nëse në ndonjë situatë të caktuar do të jenë viktima të dhunës të marrin guximin për ta paraqitur atë.”,- theksoi bashkëshortja e kryetarit të shtetit, Elizabeta Georgievska.

Ambasadorja britanike në vend Rachel Galloway theksoi se është koha për të krijuar një shoqëri ku të gjithë qytetarët do të jenë të sigurt, për t’i dhënë fund dhunës në bazë gjinore.

“Ashtu siç tha ministrja legjislacioni në RMV tanimë është duke u përputhur me Konventën me agjendën ndërkombëtare për barazinë gjinore por në fushë ne shohim sfida në parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në bazë gjinore. Besoj se të gjithë pajtohen të punojmë së bashku për arritjen e implementimit të suksesshëm të Konventës së Stambollit.”,- u shpreh ambasadorja e Britanisë së Madhe, Rachel Galloway.

Shefi i Delegacionit të BE-së për Bashkëpunim në vend, Stephen Hudolini, theksoi se në shekullin 21 dhuna në bazë gjinore po ndodh dhe mbahet e fshehur. Ai theksoi se më e rëndësishmja është përkushtimi i shtetit në çdo fushë.

“Nëse ne edukojmë djemtë tanë nuk kemi nevojë të mbrojmë vajzat tona. Jemi të thirrur të gjithë dhe do të jetë përgjegjësia jonë të bëjmë atë që mundemi ta arrijmë qëllimin e përbashkët dhe të jetojmë në një botë pa dhunë.”,- theksoi shefi për bashkëpunim i delegacionit të BE-së, Stephen Hudolini.

Përputhja e Kodit Penal me Konventën e Stambollit është hap drejt ndryshimeve sistematike në zgjidhjen e problemit të dhunës në bazë gjinore. Ajo në vend u miratua më 27 janar ndërsa hyri në fuqi më 6 maj të vitit 2021./TVM2

LEUNORA KALIQI

Leave a Reply

Your email address will not be published.