“QENDRA PËR MBËSHTETJEN E GRAVE-TETOVË”- STREHË KU DO TË GJEJNË MBËSHTETJE VIKTIMAT E DHUNËS

“QENDRA PËR MBËSHTETJEN E GRAVE-TETOVË”- STREHË KU DO TË GJEJNË MBËSHTETJE VIKTIMAT E DHUNËS

Dhuna në familje është një nga fenomenet më shqetësuese në nivel global ku në të shumtën e rasteve viktimat janë gratë dhe fëmijët. Shqetësuese janë rastet e dhunës në shoqërinë tonë, marrë parasysh se ajo është më e theksuar në vendet më pak të zhvilluara, ku  trajtohet si temë e ndjeshme dhe që nuk diskutohet aspak. Kjo vjen si pasojë e faktit që në vendin tonë, dhuna në familje në shumë raste vazhdon të trajtohet si çështje private, familjare dhe si një pjesë normale e jetës bashkëshortore e familjare, prandaj viktimat përgjithësisht zgjedhin të vuajnë në heshtje. Numri i ulët i raportimeve të rasteve të dhunës në familje është larg numrit real dhe në këtë kanë ndikim të drejtpërdrejtë stereotipat por edhe fakti që dhunuesit nuk gjykohen dhe kanë qasje tek viktima. Në këtë drejtim rëndësi të veçantë ka varësia ekonomike e grave, e cila ngjall frikën se pas raportimit të dhunës gruaja do të ndahet nga bashkëshorti dhe do të mbetet në rrugë së bashku me fëmijët, pasi ndihma që i ofrohet nga institucionet shumë herë ka rezultuar e pa mjaftueshme. Në këtë drejtim kontribut të madh kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin sektori joqeveritar dhe organizatat ndërkombëtare.

Nisur nga parimi se mbrojtja nga dhuna është një e drejtë themelore e njeriut, e garantuar edhe me ligjet e vendit, para pak kohe në Tetovë është hapur edhe “Qendra për Mbështetjen e Grave”, e cila u del në ndihmë grave dhe fëmijëve nga rajoni i Pollogut, në rastet e përjetimit të dhunës në familje. Të gjitha shërbimet e “Qendrës për Mbështetjen e Grave-Tetovë”, janë falas, ndërsa u dedikohen grave dhe fëmijëve që aktualisht janë të abuzuar, kanë qenë viktima në të kaluarën ose janë në rrezik për tu ballafaquar me dhunë.  Për të mësuar më shumë lidhur me punën që bën “Qendra për Mbështetjen e Grave – Tetovë”, portali ajo.mk ka intervistuar psikologen Nebahat Ziberi Imeri.

Ajo.mk: Cilat janë shërbimet që ofron Qendra për Mbështetjen e Grave – Tetovë?

Nebahat Ziberi Imeri: “Qendra për Mbështetjen e Grave – Tetovë” është një qendër e specializuar këshilluese për gratë dhe fëmijët viktima të dhunës gjinore dhe të dhunës në familje. Qendra ka një ekip i cili ofron shërbime të përbëra nga një punonjëse sociale, që ofron këshillim për të drejtat sociale, si dhe referim, shoqërim në institucione dhe organizata të tjera, një psikologe/psikoterapiste që ofron këshillim psikologjik, psikoterapi individuale ose grupore, këshilluese juridike që ofron  këshillim dhe mbështetje ligjore, si dhe  këshilltare për karrierë që ofron këshillim për karrierë dhe orientim profesional, siguron trajnime për shkathtësi jetësore ndërsa së bashku me  punonjësen sociale ofron këshillim ose ndihmë për punësim. Gjithashtu, Qendra e Grave bashkëpunon me një avokat të jashtëm i cili ofron përfaqësim ligjor për klientët tanë, i cili është pa pagesë për ta.”

Ajo.mk: Për cilat kategori ofrohen shërbimet?

Nebahat Ziberi Imeri: “Shërbimet që i siguron  Qendra e Grave për përkrahje ofrohen pa pagesë dhe në mënyrë konfidenciale për gratë dhe fëmijët që përballen me çdo formë të dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje. Shërbimet janë gjithashtu të disponueshme për ata që janë në rrezik të dhunës, ose dhunës që ka ndodhur në të kaluarën, por aktualisht përballen me pasojat e dhunës së mbijetuar.”

Ajo.mk: Çfarë dëshironi të arrini me këtë? Cili është qëllimi i Qendrës?

Nebahat Ziberi Imeri: “Ashtu siç tregon edhe vet emri i Qendrës, qëllimi ynë është t’u ofrojmë mbështetje grave në Tetovë dhe t’u mundësojmë atyre qasje në shërbime cilësore të specializuara për trajtimin e dhunës gjinore dhe dhunës në familje. Qasja në shërbime cilësore do të thotë të kesh një vend të përshtatshëm për të kërkuar ndihmë nga dhuna dhe një përgjigje të përshtatshme ndaj kësaj ndihme dhe mbështetje. Qëllimi i të gjitha këtyre shërbimeve që u dedikohen grave dhe fëmijëve viktima të dhunës është që t’i jepet fund ciklit të dhunës dhe të parandalohet dhuna në të ardhmen, pra përsëritja e dhunës në mesin e këtyre grave dhe fëmijëve. Kjo do t’u sigurojë atyre një jetë më të mirë, ku nuk do të vuajnë dhunën dhe do të mund të realizojnë të gjithë potencialin e tyre.”

Ajo.mk: Cili është interesimi për këshillim dhe cilat janë format se si të arrihen rastet më të prekura?

Nebahat Ziberi Imeri: “Nevoja për këto shërbime është vërtetë e madhe, duke qenë se deri më tani në Tetovë nuk kishte një Qendër të tillë mbështetëse. Çdo ditë kemi raste të ndryshme që shfaqen dhe kërkojnë ndihmë të specializuar. Po ashtu, po punohet në mënyrë intensive për promovimin e kësaj Qendre në të gjitha institucionet, organizatat, universitetet dhe shkollat ​​vendore, në mënyrë që të zgjerohet informacioni për ekzistimin e këtij shërbimi falas, në mënyrë që të mund ta përdorin deri në 7 persona nga Komuna jonë.”

Ajo.mk: A keni fonde të mjaftueshme për qëllime afatgjata dhe çfarë ka nevojë qendra juaj tani?

Nebahat Ziberi Imeri: “Për momentin, Qendra mbështetet nga Fondi Ballkanik për Demokraci dhe Ambasada Norvegjeze në Beograd,  gjithashtu në mënyrë plotësuese u përfshi edhe Ambasada Sllovake në Shkup, me një donacion të pajisjeve dhe mobilieve. Kjo është përkrahje e projektit dhe përfundon me përfundimin e vetë projektit. Prandaj, Qendra duhet të sigurojë mbështetje financiare afatgjatë për këtë Qendër, veçanërisht për faktin se është i vetmi shërbim i tillë në të gjithë rajonin planor të Pollogut. Ajo që është thelbësore është nevoja për mbështetje afatgjatë nga pushteti lokal dhe institucionet shtetërore, për të siguruar qëndrueshmërinë e Qendrës dhe për të ofruar qasje të mëtejshme në shërbime falas dhe të besueshme për trajtimin e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje në Tetovë.”

Intervistoi/ajo.mk

Të drejtën e shpërndarjes dhe përdorimit të artikullit e ka vetëm portali Ajo dhe “Qendra për mbështetjen e grave”- Tetovë.

 

 

 

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.