SHQETËSIMET NË INTERNET PËRDITSHMËRI E VAJZAVE TË REJA- FUSHATA SEEN NGA “MOLLËKUQJA”

Shqetësimet në internet përditshmëri e vajzave të reja. Vajzat dhe gratë duhet të marrin guximin të raportojnë ngacmimet në rrjete sociale- Fushata “seen” nga “Mollëkuqja”

Gjuha e urrejtjes, ngacmimet, ofendimet dhe kërcënimet në internet janë bërë pjesë e përditshmërisë së shumë vajzave që përdorin rrjete sociale. Sipas hulumtimit të realizuar nga “Mollëkuqja”, 65.8% e vajzave të anketuara kanë marrë mesazhe nga djem ose burra që përmbajnë forma të ndryshme të ngacmimit seksual, gjuhë të urrejtjes, kërcënime dhe ofendime. 32.2% e tyre nuk kanë marrë përmbajtje të tilla në rrjetet sociale, ndërsa 1.9% preferojnë mos ta thonë.

“Ajo që ne duam të arrijmë është që vajzat t’i raportojnë këto mesazhe, pavarësisht se ku, por shumica prej tyre nuk u besojnë policisë dhe institucioneve në vend. Është shumë e rëndësishme që këto mesazhe mos të ngelin të paraportuara qoftë edhe nëpër rrjetet sociale ose t’u drejtohen OJQ-ve që merren me mbrojtjen e të drejtave të grave”, thekson Rita Behadini, Presidente e “Mollëkuqja”.

Zhvillimi i teknologjisë ka rritur ndjeshëm edhe ngacmimet seksuale të cilat ndodhin në internet, si pasojë e kësaj, shumë vajza për çdo ditë përballen me mesazhe dhe përmbajtje të padëshiruara në profilet e tyre. Për këtë, “Mollëkuqja” ka organizuar edhe dy ekspozita ku janë shfaqur në qendrën e qytetit të Tetovës dhe Gostivarit disa nga mesazhet më të shpeshta ngacmuese, të cilat vajzat i marrin vazhdimisht. Qëllimi i kësaj ekspozite ishte që qytetarët të njoftohen më afër me këtë fenomen, të ngritet vetëdija e tyre dhe këto raste mos të kalojnë në heshtje por të raportohen.

“Ekspozita “Prej n’inbox, n’shesh” ka për qëllim të nxjerr në pah, të gjithë t’i shohin mesazhet të cilat vajzat i marrin vazhdimisht në rrjetet sociale. Mesazhet që përmbajnë ngacmime, ofendime, gjuhë të urrejtjes dhe kërcënime të ndryshme. Ne kemi kërkuar nga vajzat që të na dërgojnë mesazhet që ata marrin në rrjetet sociale, në mënyrë që ne të përzgjedhim ato që më së shpeshti vajzat i marrin, ku i ekspozuam në sheshin qytetit të Tetovës”, thekson Rita Behadini, Presidente e “Mollëkuqja”.

 

Së fundmi, ka përfunduar edhe murali i parë i realizuar nga Qendra për Mundësi të Barabarta “Mollëkuqja” në Gjimnazin “7 Marsi” në Tetovë. Artisti Arian Xhaferi punoi për disa ditë në mënyrë që mesazhi të cilin “Mollëkuqja” synon ta përçojë deri te të rinjtë e kësaj shkolle si dhe kalimtarët e rastit, të jetë sa më i kuptueshëm, edhe atë, që mesazhet ngacmuese në internet nuk duhet injoruar por duhet raportuar.

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.