SHTATË MOTRA JANË MOTIV PËR SHUMË GRA- TREGIMI SE SI LINDI DHE U ZHVILLUA “SEVEN SISTERS BAKERY”

SHTATË MOTRA JANË MOTIV PËR SHUMË GRA- TREGIMI SE SI LINDI DHE U ZHVILLUA “SEVEN SISTERS BAKERY”

Gjendja e krijuar me pandeminë ka dëmtuar rëndë sektorin ekonomik dhe në këtë drejtim më të goditura ishin bizneset e vogla, që shumë nga ato u mbyllën. Ndërsa në këtë kategori kryesisht janë edhe bizneset e udhëhequra nga gratë. Por kjo periudhë për disa gra ishte e frytshme pasiqë me aftësitë e tyre dhe kapacitetet që shfrytëzojnë në përditshmëri arritën të krijojnë ide të cilat i realizuan dhe i finalizuan me biznes konkret fitimprurës.

Kjo ndodhi me 7 motrat nga Shkupi të cilat sot udhëheqin një biznes familjar ku përgatisin gatesa varësisht nga kërkesat e konsumatorëve por janë të njohura me gatimin e flisë së shijshme të cilën rrallë ku mund ta gjeni. Ato sot kanë krijuar emrin e tyre të njohur “Seven Sisters Bakery” ,në menynë e të cilave mund të gjeni edhe gatesa tjera. Por ajo çka i bën të veçanta, krahas ambalazhit të produkteve, dekorimit dhe transportit të tyre të cilin e realizojnë vetë, padyshim është mirësjellja dhe buzëqeshja që nuk ju mungon asnjëherë. 7 motrat shpresojnë që së shpejti do të kenë mundësinë të zgjerojnë biznesin e tyre dhe me këtë të ndihmojnë shumë gra dhe vajza tjera të cilat kanë nevojë për punë.

AJO: Kur keni filluar te merreni me këtë biznes dhe si ju lindi ideja?

“Seven Sisters Bakery”: “Të gjitha motrat jemi të shquara në gatim, e kemi trashëgimi nga nëna jonë Emine e cila pavarësisht që ishte e angazhuar në rritjen dhe edukimin e 9 fëmijëve, gatimet e saja çdo herë ishin me shije mahnitëse, veçanërisht ato tradicionale. Por si ide biznesi gjithçka lindi me 8 Marsin e vitit të kaluar kur ishim të mbledhura të gjitha tek motra jonë e vogël. Edhe pse si ide për tu marrë me biznes familjar ishte e kamotshme, ne njëkohësisht kemi edhe profesionet tona. Si familje arsimdashëse, që nga motra jonë më e madhe e cila është Pedagoge Profesionale e diplomuar nga gjenerata e parë e UT-së, kemi Majore në Armatën e RMV-së, Mjeke, Ekonomiste, Parukiere (grimere), Rrobaqepëse dhe ishte pak sfidë për tu organizuar në biznes. Por ky 8 Mars ishte i bekuar për ne. Pas një diskutimi dhe një plani më konkret si do të mund të organizoheshim dhe me një koordinimi që të japim gjitha kontributin tonë filloi biznesi.”

AJO: Jeni shtatë motra, secila me angazhime private dhe familjare por çdoherë në shërbim të konsumatorëve? Si e arrini këtë?

“Seven Sisters Bakery”: Gjatë ditëve të javës kur motrat ushtrojnë profesionin e tyre, ne angazhohemi vetëm tjerat të cilat jemi më të lira, por gjatë vikendeve kur porositë janë më të shumta mblidhemi pothuajse të gjitha. Ne nuk i lëmë mbrapa as angazhimet private, mundohemi të jemi nëna dhe bashkëshorte të kujdesshme, por ku ka vullnet të gjitha ne si gra të gjitha mund ti arrijmë.

AJO: Përgatisni flija por keni edhe gatesa tjera. Çka mund te gjejnë të interesuarit te ju?

“Seven Sisters Bakery”: Flija është ushqimi që ne e kemi më përzemërt, edhe para se të fillojmë biznesin ne pothuajse çdo javë bënim për familjen tonë. Por ne njëkohësisht për klientët tonë ofrojmë edhe shume ushqime tjera, por qe kryesisht janë ushqime të shtëpisë, nga bakllavaja për të cilën kemi komplimente të shumta, kemi porcione të kifleve të ndryshme, nazlifatma që është një ëmbëlsirë me recetë shumë të veçantë, pite tradicionale, trileqe, pide etj.

AJO: Për biznesin tuaj duhet hapësirë dhe kushte. Si arritët ti krijoni ato? Si ishte fillimi në krahasim me ditën sot?

“Seven Sisters Bakery”: Fati ishte në dorën tonë në këtë drejtim, pasi pikërisht vitin e kaluar shtëpia e vjetër e prindërve tonë ngeli e pashfrytëzuar dhe për neve u krijua mundësia për hapësirë të mjaftueshme për të ushtruar biznesin tonë. Për flija kishim sfidë në fillim  pasi mungonin oxhaqet e përshtatshme për të përgatitur flija në sasi më të mëdha. Por këtu me ndihmën e vëllait i ndërtuam dy oxhaqe që kanë kapacitet për 4 hapësira të saçeve, ku për 3-4 orë mund të përgatiten 8 flija njëkohësisht.

AJO: Na flisni pak për sfidat. A kishit vështirësi në këtë drejtim?

“Seven Sisters Bakery”: Është e pritshme që në biznes të ballafaqohesh me sfida të ndryshme. Por ne aktualisht pasi jemi ende relativisht të reja në këtë drejtim duam të përmendim se disa herë hasim me pamundësinë e pranimit të porosive të cilat vijnë spontanisht, i kemi caktuar obligim vetes sonë që gjithçka që del nga ne të jetë e përgatitur me përkushtim të lartë, ashtu sikur të jetë e përgatitur për ne. Edhe pse nga njëra anë ndihemi keq që detyrohemi t’i refuzojmë klientët por nga ana tjetër jemi të kënaqur nga interesi që na tregojnë. Besojmë që me kalimin e kohës do të rrisim kapacitetin tonë dhe do të mund t’i përgjigjemi çdo klienti tonë.

AJO: Ambalazhi dhe dekori le një përshtypje të veçantë. Kush i rregullon ato?

“Seven Sisters Bakery”: Motra jonë e vogël merret me ambalazhimin e porosive. Dizajni dhe stili i ambalazhit po ashtu është ideja e saj.

AJO: Jeni shumë të këndshëm me klientët tuaj dhe kjo ka një përparësi në punën tuaj. Si arrini të jeni kaq pozitive?

“Seven Sisters Bakery”: Ne përgjithësi jemi një familje e hareshme, siç po shihet kjo ka reflektuar edhe tek klientët tonë. Por edhe në situata ndihemi të lodhura nuk lejojmë të pasqyrojmë energji negative. Edhe në këto situata nuk mungon buzëqeshja jonë.

AJO: Ju gjithashtu e bëni transportin e porosive apo jo?

“Seven Sisters Bakery”: Po, përpos ambalazhimit motra jonë e vogël kujdeset edhe me pranimin dhe transportin e porosive. E gjithë kjo që klientëve tanë tu bëjmë sa më të lehtë porosinë. Duke ditur se gratë janë të angazhuara në gjitha punët e shtëpisë, dhe kur porosia mundësohet të vijë deri tek shtëpia juaj kjo mendojmë që është një lehtësi.

AJO: Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?

“Seven Sisters Bakery”: Plani afatshkurtër është që të bëjmë vend në zemrat e klientëve tonë në këtë hapësirë. Plani afatmesëm dhe afatgjatë është që të rrisim kapacitetin tonë dhe tu mundësojmë grave që të bëhen pjesë e biznesit tonë duke kontribuar në ekonominë e familjeve të tyre dhe të vendit.

Intervista është realizuar nga stafi i portali AJO.mk të drejtën e shpërndarjes e ka portali dhe të intervistuarit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.