STATUSI I NËNAVE VETUSHQYESE I LËNË NË DUAR TË FATIT

Të definohet me ligj statusi i nënave vetushqyese- Shoqata “One Can

Më shumë se dy vite pandemi jo vetëm që ndryshuan jetën e njerëzve në aspekt psikologjik por në përgjithësi familjet dhe vendi u goditën në aspekt ekonomik gjë që vështirësoi në çdo sferë ritmin e jetës. Padyshim që kjo situatë godet më së shumti kategorinë e rrezikuar sociale ku përfshihen edhe familjet me prind të vetëm dhe nënat vetushqyese.

Në vendin tonë të drejtën për të marrë statusin e prindërve vetushqyes e kanë vetëm bashkëshortët që kanë partner të vdekur ose ata që nuk kanë emër të babait në certifikatën e lindjes së fëmijës dhe në këtë mënyrë të përfitojnë nga ndihmat që i jep shteti. Ndërsa personat e divorcuar nuk kanë të drejtë të përcaktohen si prind vetushqyes, gjë që sipas ekspertes gjinore Doroti Paçkova, njëkohësisht edhe themeluese e Organizatës “One Can” apo “Njëra mundet”, duhet një përkufizim i veçantë ligjor për prindërit vetushqyes pasiqë kjo paraqet një problem të madh.

“Ajo që ne kërkojmë në rekomandimet tona për Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale është të përcaktojë termin familje me prind të vetëm dhe prind vetushqyes, siç është e rregulluar në vendet pranë nesh. Kërkojmë që përfundimisht të sigurohet arkiv shtetëror për prindër vetushqyes dhe familjet me një prind, pasi ende nuk kemi informacion të plotë se sa prindër vetushqyes janë në shtet. Sqarimi i të drejtave ekzistuese dhe riformulimi i tyre me akte ligjore dhe nënligjore si dhe masa të veçanta specifike për kontekste të ndryshme të familjeve me një prind dhe nënave vetushqyese. Të ndihmohen nënat vetushqyese për zgjidhjen e çështjes së tyre të banimit, qoftë nëpërmjet dhënies së banesave sociale apo me dhënien e kredisë për banim pa interes dhe pa pjesëmarrje. Krijimi i mekanizmave për punësim cilësor të nënave vetushqyese. Analizë dhe rishqyrtim i sistemit të përfitimeve financiare dhe hapja e mundësive reale për përfitime të duhura për gratë, nëna vetushqyese. Përshtatja e terminologjisë që aludon në prindër vetushqyes si rrezik social në vetvete, si dhe Fond Shtetëror të Alimentacionit për fëmijët që prindërit e dytë nuk i paguajnë alimentacion dhe Fond Shtetëror të Alimentacionit për fëmijët që nuk kanë prind të dytë ekzistues/të gjallë.”– thotë Doroti Paçkova.

Çdo ditë e jetës është sfidë në vete thotë për Portalin AJO, Daniela Pop Pankova nënë vetushqyese e cila shton se me rrogë minimale paguan përmbaruesin ndërsa pjesa tjetër i mbetet për ushqim, pagesën e llogarive dhe sigurimin e nevojave elementare për djalin e saj.

“Edhe pse kam vetëm një djalë, besoni që kërkesat janë shumë të mëdha edhe krahas përpjekjeve nuk po arrij ti realizoj të gjitha. Çdo muaj jetoj me një dozë frike se mos më del ndonjë shpenzim i paplanifikuar pasiqë jam e sigurt se nuk do të mund ta paguaj. Në bazë të një ligji të pashkruar kjo ndodh po atëherë kur nuk e pret. Eh pikërisht atëherë krijohet kaosi, si të gjendem, kush do të më ndihmoj, si ta zgjidh të pazgjidhurën. Arrij me të gjitha forcat por prap se prap ia dal sepse e di që duhet të luftoj për atë fëmijë që kam sepse ai më ka vetëm mua. Për një moment bie, nuk kam më shpresë se ndonjëherë do të bëhet mirë por shpejt kthehem edhe më fuqishëm drejt sfidave të reja të cilat mi sjell jeta duke marrë parasysh rolin më të rëndësishëm dhe më të vështirë që kam në jetë, të jem nënë dhe baba i fëmiut tim.” thotë për Portalin AJO Pop Pankova.

Ndihmat minimale nga ana e shtetit kërkojnë një sërë dokumentesh të cilat duhet të parashtrohen për një kohë të shkurtë ndërsa është e pamundur ato të kompletohen varësisht nga kushtet, gjë që pamundëson shumicën e nënave vetushqyese të fitojnë ndonjë lehtësim nga shteti. Daniela thotë se edhe pse ka aplikuar me dokumentacion të kompletuar ende është në pritje dhe deri tani nuk ka marrë asnjë përgjigje kthesë për ndihmë minimale nga shteti.

“ Personalisht unë nuk kam ndonjë ndihmë nga institucionet shtetërore. Para dy viteve kam bërë një kërkesë për shtesë të fëmijëve por edhe krahas faktit që plotësoj të gjitha kushtet për të marrë atë, deri më sot nuk kam marr as përgjigje pozitive e as negative. E njëjta ndodhi edhe atëherë kur shteti ndau nga 6000 denarë për çdo prind vetushqyes. Atëherë isha e refuzuar edhe pse në kohë dorëzova dokumentacionin e nevojshëm dhe plotësova të gjitha kushtet për prind të vetëm pasiqë në certifikatën e djalit qëndroj vetëm unë si prind i vetëm. Për këtë arsye apeloj deri te institucionet shtetërore që të angazhohen më shumë rreth çështjes sonë dhe të sigurojnë ndihma për çdo prind vetushqyes.” thotë për Portalin AJO Daniela.

Në organizatën One Can ka të regjistruar 5000 prindër vetushqyes apo familje me një prind të vetëm dhe kërkesat e tyre janë për gjëra ekzistenciale si ushqim, mjete higjienike apo këshillime për marrjen e ndihmave. Krahas kësaj problem shtesë mbeten edhe shpenzimet rreth procesit të edukimit dhe shkollimit thonë nga “Njëra mundet”.

“Në Shoqatën tonë ka 5000 prind vetushqyes apo familje me prind të vetëm. Shpesh marrim kërkesa për ushqim dhe mjete higjienike, rroba por edhe kërkesa për këshilla juridike si dhe për përgatitjen e dokumentacionit për marrjen e shtesave për fëmijët, shtesë arsimore ose çdo ndihmë tjetër që u takon. Problemet më të shpeshta me të cilat ballafaqohen nënat vetushqyese janë se ku t’i lënë fëmijët kur janë në punë, pamundësia për t’i regjistruar në kopsht dhe shpenzimet e tepërta për fakultetin. Gjithashtu, siç e përmenda edhe më herët, një problem i madh është çështja e banesave-banesat sociale që askush nuk i merr kurrë. Mbi të gjitha këto nëna kanë nevojë për mbështetje psikologjike si dhe nevojë për një punëtor social.” thekson Doroti Paçkova.

Ditë më parë Shoqata “Njëra mundet” zhvilloi protestë me iniciativë të vetë nënave pas revoltës së shpërthyer nga rasti ku njëra nga gratë në procedurë divorci zbuloi se ish-bashkëshorti i saj dhunues falsifikoi nënshkrimin nga një neuropsikiatër kinse ajo ishte e paqëndrueshme mendërisht, në mënyrë që t’ia merrte kujdestarinë. Por fatkeqësisht ky është një ndër rastet e shumta të cilat i shohim çdo ditë dhe përpiqemi ti ndihmojmë, thonë nga “Njëra mundet” duke shtuar se ato po përpiqen vetë në këtë drejtim por kanë nevojë për ndihmë nga shteti.

Artikulli është shkruar nga Portali “AJO” dhe të drejtën e shpërndarjes e mban Portali “AJO”

Leave a Reply

Your email address will not be published.