LUMANI: BRENDA NJË VITI NUMRI I RASTEVE TË REJA ME ALERGJI  RRITET PËR 10 DERI NË 13%

LUMANI: BRENDA NJË VITI NUMRI I RASTEVE TË REJA ME ALERGJI  RRITET PËR 10 DERI NË 13%

 

Me ardhjen e pranverës rriten rastet e personave që kanë probleme shëndetësore për shkak të alergjisë, megjithëse kontakti me alergjene është i mundur në çdo stinë, thonë mjekët. Por rritja e temperaturave dhe rrezatimi diellor shoqërohen me shfaqjen e sëmundjeve alergjike, karakteristike për stinën e pranverës. Alergjitë ndodhin si rezultat i hiper-intensivitetit të sistemit imunitar, prandaj reaksionet alergjike paraqiten kur sistemi imunitar reagon ndaj substancave më të padëmshme në mjedis. Simptomat e alergjisë mund të lokalizohen në sisteme të caktuara ose të përhapen në të gjithë trupin.  Faktorët që ndikojnë në shfaqjen e alergjive janë të shumta, që nga ndotja e ajrit dhe deri te poleni, apo mënyra e jetesës dhe e ushqyerjes. Për problemet që vijnë nga alergjitë dhe mënyrat se si duhet të trajtohen këto probleme portal ajo.mk, ka intervistuar mjekun Sedat Lumani.

Ajo.mk: Çfarë janë alergjitë?

Dr. Sedat Lumani: Alergjia është reaksion i sistemit imunologjik i tjetërsuar, kur një materie me hyrjen në organizëm shkakton antitruptha kundër trupthave, të cilat mund të jenë: materie organike, jo organike, kimike, fizike ose fotogjenike.

Ajo.mk: Si reagon organizmi ndaj alergjive?

Dr. Sedat Lumani: Organizmi reagon në formë jo normale, që mund të manifestohet me një simptomatologji shumë të gjatë ose në sistemin respirator si: teshje, kollitje, rrjedhja e lotëve, apo rrjedhja e hundës. Mund të reagojë edhe me anë të faktorëve të lëkurës me kruarje, urtika, ose me puçrra të ndryshme. Mund të reagojë sistemi gastrointestinal, me barkqitje, të vjella ose një reaksion që nuk është normal për organizmin.  Por ka edhe shumë mënyra që mund të përkeqësojnë gjendjen, që mund të vijë te një situatë mjaft e rëndë, me obstruksione të mushkërive, respektivisht mungesë të oksigjenit për frymëmarrje.

Ajo.mk: Nga se shkaktohen alergjitë dhe në sa lloje mund të ndahen ato?

Dr Sedat Lumani: Alergjitë ndahen në katër grupe:

-Alergjitë që mund të paraqiten prej zero deri në 20 minuta, që paraqitet shoku anafilastik e që është forma më e rëndë e alergjive.

-Alergji që paraqiten prej gjysmë ore, një orë, apo deri në tri-katër orë. Kjo mund të paraqitet me anë të urtikave, me edema të urinkut, ënjtje të kanaleve të frymëmarrjes, e cila poashtu është një formë mjaft e vështirë.

-Alergjitë të cilat mund të manifestohen prej disa ditësh deri në dy javë.

-Alergji të vonuara, pasi mund të ketë një alergjen që sot mund të kemi kontakt dhe me javë ose shumë më vonë, të paraqiten në formë të cilat nuk mund ta lidhim me kohëzgjatjen.

Ajo.mk: Si të mbrohemi nga alergjitë?

Dr Sedat Lumani: Për fat të keq nuk ka mënyrë se si të mbrohemi nga alergjia, përveç atyre që janë alergjik dhe e dinë, e kanë konfirmuar me anë të alergotesteve, se te cilat preparate është paraqitur alergjia dhe në cilën periudhë kohore. Dikush nëse e marrim hipotetikisht është alergjik prej polenit të blinit, kur çelin lulet e blinit, duhet të mbajnë maska të mos eksponohen sepse era i përcjell alergjenet në ajër dhe mund të paraqitet një nga simptomat e lartpërmendura. Pra ata që e dinë se janë alergjik mbrohen shumë më lehtë se ata që nuk e dinë.

Ajo.mk: Sa janë të përhapura alergjitë te qytetarët në RMV?

Dr Sedat Lumani: Prej 10 deri në 13% në vit rritet numri i rasteve të reja të alergjisë. Duhet theksuar se organizmi asnjëherë nuk reagon në kontaktin e parë të alergjenit, por me kontaktin e dytë, të pestë apo të njëmijtë. Shembull një njeri tërë jetën ka ngrënë vezë dhe veza e njëmijtë të reagojë me alergji. Reagon me atë alergjen që e njeh organizmi jo me atë që nuk e njeh.

Intervista është realizuar nga stafi i Ajo.mk dhe të drejtën e shpërndarjes e kanë portali Ajo.mk dhe i intervistuari.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.