MËNGJESI ËSHTË VAKTI MË I RËNDËSISHËM I DITËS

HANI SA TË ZGJOHENI

Ekspertët thonë se mëngjesi është vakti më i rëndësishëm i ditës, pasi na ndihmon të përballojmë ditën me më shumë energji dhe të mos jemi shumë të uritur në tryezën e drekës. Sa më parë që të konsumojmë mëngjes aq më shpejt aktivizohet metabolizmi. Duke qenë se mëngjesi është vakti më i rëndësishëm i ditës, atëherë më mirë mos të presim gjatë. Zgjimi dhe konsumimi i sasisë së duhur të proteinave dhe karbohidrateve ndihmon madje që të evitoni zgjedhje të gabuara gjatë ditës. Idealja është konsumimi i mëngjesit brenda një ore nga zgjimi.

MËNGJESI IDEAL

Sipas dietologëve, mëngjesi duhet të përmbajë 20 për qind të totalit të kalorive ditore, dreka dhe darka nga 35 për qind dhe 10 për qind vaktet e ndërmjetme. Kur zgjohemi nga gjumi, organizmi ynë për shkak të një “agjërimi” tetë orësh ka një glikemi të ulët, ndërsa e kundërta ndodh me kortizolin. Për këtë arsye, në mëngjes këshillohen ushqimet e ëmbla, të cilat ngrenë glikeminë dhe ulin kortizolin. Ndër ushqimet që nuk duhet të mungojnë në tavolinë janë: lëngu i frutave, mjalti, reçeli, biskotat apo edhe kosi i frutave.

MËNGJESI I EKUILIBRUAR

Një vakt i thjeshtë për të nisur ditën duhet të jetë i balancuar për sa u përket sheqernave, yndyrave, proteinave dhe karbohidrateve. Një gotë qumësht me dy feta buke integrale të lyera me mjaltë ose reçel është zgjedhja më e mirë, e cila mund të shoqërohet edhe me një gotë lëng. Ndërsa në verë, për shkak të larmisë së frutave të stinës, mund të zgjidhet një përzierje frutash të shtrydhura. Një tjetër alternativë e mëngjesit, sidomos për ata që e nisin punën herët, është kapuçino me kifle. Ekspertët thonë se mëngjesi nuk duhet t’i kalojë 350 kalori.

Nëse doni që mos të hani në mëngjes ja një këshillë, hani një copë parmixhano

Konsumimi i copëzave të parmixhanos në vaktin e mëngjesit është mjaft i këshillueshëm, pasi largojnë urinë dhe stimulojnë metabolizmin. Gjithashtu, është e provuar se ndihmon në uljen e nivelit të kolesterolit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.