MSH: RRITET PËRQINDJA E TË INFEKTUARVE ME OMICRON DHE RIINFEKTIMEVE ME KOVID 19

MSH: RRITET PËRQINDJA E TË INFEKTUARVE ME OMICRON DHE RIINFEKTIMEVE ME KOVID 19

Bazuar në analizat e Institutit të Shëndetit Publik, në periudhë prej një jave numri i rasteve pozitive është rritur 51 për qind derisa janë prekur të gjitha moshat, njoftoi sot Ministria e Shëndetësisë.

Grupmoshat më të prekura janë 30-39 vjeç (27 përqind), 20-29 vjeç (24 përqind) dhe 40-49  vjeç (17 përqind). Numri më i ulët është regjistruar në grupmoshën nga 0 deri në 9 vjeç (2 për qind). Rritja më e madhe e pacientëve të infektuar është në grupmoshën 20 deri në 29 vjeç si dhe në grupmoshën 30 deri në 39 vjeç.

Nga data 3 deri më 9 janar janë raportuar 946 ri infeksione, rritje prej shtatë herë më e lartë në krahasim me javën e kaluar. Në laboratorin për virologji dhe diagnostikim molekular të Institutit të Shëndetit Publik në periudhën prej 5 deri më 10 janar janë marrë gjithsej 152 mostra pozitive të Covid-19 dhe në 104 prej tyre (68 për qind) u zbulua variant omicron.

Nga raportimet e spitaleve, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, aktualisht në të gjithë vendin janë të shtruar 351 persona, që është 41 për qind më shumë krahasuar me javën e kaluar. Nga numri i përgjithshëm i pacientëve të shtruar, 156 janë në Shkup. Në spitalet tjera anembanë vendit ka pacientë të shtruar në Manastir, Shtip, Veles, Kumanovë, Ohër, Prilep, Strugë, Kërçovë, Kavadar dhe Strumicë.

“Është rritur numri i vizitave ditore në repartet infektive nëpër spitale në vend, numri i vizitave ditore nëpër spitalet e Shkupit ndonjëherë i kalon 100 pacientë. Sipas anketave epidemiologjike shumica e pacientëve kanë pasur kontakt me rast pozitiv tre ditë para fillimit të paraqitjes së simptomave/ ata që kanë rezultate pozitive”, njoftoi Ministria e Shëndetësisë dhe u bëri thirrje qytetarëve që kanë ndonjë simptomë të bëjnë një analiza dhe të izolohen për të parandaluar përhapjen e virusit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.