NJË THIKË KIRURGJIKALE “NUHAT TUMORET”
Një thikë kirurgjikale revolucionare që “nuhat tumoret” mund të diagnostikojë kancerin e mitrës brenda sekondash, kanë gjetur studiuesit. Sëmundja është lloji i katërt i kancerit më i zakonshëm te gratë dhe prekë rreth 9,000 në vit në Britaninë e Madhe, raportoi The Guardian.
Ekspertët e Kolegjit Imperial të Londrës kanë zbuluar “iKnife”, një pajisje që tashmë përdoret për të trajtuar kancerin e gjirit dhe të trurit, mund të detektojë edhe prezencën e kancerit endometrial.
“iKnife” përdor rrymën elektrike për të bërë dallimin mes indit kanceroz dhe atij të shëndetshëm duke analizuar tymin që lëshohet kur indi i biopsisë avullohet, pasi ai është hequr nga mitra. Studiuesit thanë se efektiviteti i saj u provua duke përdorur mostra nga biopsia e 150 grave me kancer të dyshuar mitre.
Sadaf Ghaem-Maghami, drejtues i kolegjit, tha se diagnostikimi brenda sekondash mund t’ua mundësojë grave që ta konfirmojnë kancerin dhe ta fillojnë më shpejt trajtimin, kurse ato që dalin të shëndetshme do të shmangin javë të tëra ankthi.
Leave a Reply