ËSHTË ANKTH APO DEPRESION?

ËSHTË ANKTH APO DEPRESION?

Në vitin 2017, Organizata Botërore e Shëndetit vlerësoi se 4,4% e popullsisë në botë – më shumë se 300 milion njerëz- vuajnë nga depresioni dhe 3,6% e popullsisë në botë – më shumë se 250 milion njerëz- vuajnë nga çrregullimi i ankthit. Por një e dhënë e ndërlikon këtë pamje: Shumë prej njerëzve që vuajnë nga simptomat e depresionit vuajnë edhe nga simptomat e ankthit dhe anasjelltas. Kjo e bën të vështirë që të diagnostikojmë secilin çrregullim.

Një individ mund të diagnostikohet me çrregullim depresiv madhor nëse ai në mënyrë të vazhdueshme përjeton simptoma si humor depresiv apo ndjenja pavlefshmërie. Për një diagnozë të çrregullimit të ankthit të përgjithshëm, njerëzit duhet që të kenë përjetuar shqetësim dhe nervozizëm të vazhdueshëm. Por, nëse shohim përmes kritereve të secilit çrregullim, të përbashkëtat janë të dukshme. Për shembull, si depresioni edhe ankthi vështirësojnë veprimtarinë e përditshme, pengojnë gjumin dhe thithin energjinë.

Ndryshimi kryesor midis dy çrregullimeve është gjendja fillestare e emocioneve të individit: Trishtimi i tejskajshëm cilësohet si depresion, ndërkohë që frika e tejskajshme dhe shqetësimi i  vazhdueshëm cilësohen si ankth. Por është e thjeshtë që të vërejmë lidhjen ndërmjet këtyre dy botëve. Kur njerëzit ndihen të trishtuar për jetën e tyre dhe përvojat e të kaluarës, ata gjithashtu mund të bëhen anksioz për jetën që i pret në të ardhmen. Ndërkohë që kur ata kanë ankth për të ardhmen, ata gjithashtu mund të trishtohen për mënyrën se si po shkon jeta e tyre e tashme.

Njerëzit me depresion flasin veçanërisht ngadalë dhe duket sikur zëri i tyre përshkohet nga drithërima, ndërkohë që njerëzit me ankth flasin shpejt dhe shfaqin shenja të nervozizmit siç janë djersitja apo dridhja. Por klinicistët në praktikën e tyre të përditshme, nuk i marrin gjithmonë parasysh këto të dhëna për shkak se shpesh depresioni mund të shfaqet me nervozizëm dhe ankthi me të qara e lodhje. Në mënyrë të ngjashme, njerëzit me secilën prej çrregullimeve priren që të heqin dorë nga interesat dhe veprimtaritë e përditshme, edhe pse ndoshta arsyet janë të ndryshme: depresioni shkatërron ndenjat e shtysës (motivimit) dhe kënaqësisë, ndërkohë që ankthi tremb njerëzit duke bërë që ata të humbasin e shmangin mundësitë që u vijnë.

Për shkak të mbivendosjes së shprehur të simptomave dhe për shkak se pacientët mund të shfaqin të njëjtën simptomë për arsye të ndryshme, është e rëndësishme që klinicistët të shikojnë historinë në gjithë tërësinë e saj kur u duhet që të vendosin një diagnozë. Diagnoza e DSM për depresionin ose ankthin (ose të dyja) duhet të bëhet duke marrë parasysh pamjen klinike si të tërë, jo vetëm një simptomë apo shenjë të veçantë.

Duket sikur shumica e njerëzve të diagnostikuar me ankth apo depresion vuajnë gjithashtu edhe nga simptoma të çrregullimit tjetër. Pra, komorbiditeti (bashkëshoqërimi i çrregullimeve) është normë.

Mundet dikush të jetë edhe anksioz edhe depresiv?

Është shumë e zakonshme që të përjetosh klinikisht në të njëjtën kohë ankthin dhe depresionin, një ndikim që shkencëtarët e quajnë komorbiditet. Megjithatë, nuk është shumë e qartë përqindja e njerëzve që vuajnë nga mbivendosja e tërë bllokut të simptomave.

Çelësi i të kuptuarit të marrëdhënies midis ankthit dhe depresionit është që të shikojmë se si secili prej tyre shfaqet në tru. Ka shumë mbivendosje midis shfaqjeve të rrjetit të trurit të gjetur në pacientët me ankth dhe depresion, por kjo mbivendosje nuk është për t’u çuditur në rast se marrim parasysh që pacientët vuajnë nga simptoma të ngjashme.

Shkencëtarët në një studimi të 2007-ës provuan të ndanin veçmas depresionin dhe ankthin duke skanuar trurin e të dy grupeve të pacientëve, duke studiuar në të njëjtën kohë edhe trurin e atyre me apo pa simptoma të përbashkëta. Krahasuar me njerëzit e shëndoshë, të gjithë grupet e pacientëve kishin volume më të vogla të trurit në korteksin cingulat anterior, një zonë e trurit e përfshirë në përpunimin e emocioneve dhe informacionit shtytës (motivues). Por kur u panë pacientët pa simptoma bashkëshoqëruese, u vunë re edhe aty disa ndryshime midis depresionit dhe ankthit. Ata shpjeguan se ngjashmëritë në veprimtaritë e trurit pasqyroheshin në simptoma të përbashkëta mes secilit çrregullim, ndërkohë që ndryshimet siguruan disa arsye të mira për të menduar për depresionin dhe ankthin si çrregullime më vete me simptomatikë të veçantë.

Mbivendosja gjenetike midis depresionit dhe ankthit nxjerr në pah një lidhje të mundshme më të thellë. Sipas disa studimeve në binjakë, të cilët krahasojnë binjakët identikë me ata jo identikë në mjedise të ndryshme, çrregullimi i ankthit të përgjithësuar dhe atij depresiv madhor ndajnë disa rrënjë të përbashkëta gjenetike. Këto rrënjë të përbashkëta me shumë gjasa janë përgjegjëse për anomalitë që shkencëtarët kanë gjetur në “strukturën dhe funksionin e rrjeteve neurale që ndikojnë në të dy çrregullimet”.

Përveç ndërlikimeve që japin në vendosjen e diagnozës, ato nuk ndikojnë në trajtim. Kjo ndodh sepse, përgjigja mjekësore e linjës së parë për psikiatrit është e njëjtë për secilin çrregullim: barna që përforcojnë vlefshmërinë e një neurotransmetuesi ne tru, të njohur si serotonina. Terapia konjitive bihejviorale është po ashtu një mundësi e mirë për të dy çrregullimet, ndaj dhe përshkrimi i një bari të gabuar nuk është një çështje e rëndësishme.

Kjo nuk do të thotë që nuk ka mjekime të gabuara. Barnat mund të kenë efekte anësore që mund të përkeqësojnë ndonjërën prej simptomave në vend që ta përmirësojnë dhe ka njerëz, të cilët nuk përgjigjen mirë ndaj asnjërit prej trajtimeve që sot mundësohen: një fenomen i njohur si rezistenca ndaj mjekimin ndaj ankthit apo depresionit, që mund të çojë në pasoja kronike apo jetë kërcënuese.

Po sikur të hiqeshin emërtimet?

Diagnoza për depresion ose ankth bazohet në raportimin e thjeshtë të simptomave. Në të ardhmen, këto emërtime mund të zëvendësohen nga kategori të tjera të çrregullimeve të shëndetit mendor bazuar në të dhëna biologjike që do vijnë nga gjenetika dhe neuroshkenca.

Janë duke zhvilluar kategori diagnostike më të forta, të cilat i kanë bazat në neuroshkencë. Këto kategori njihen si biotipe dhe ato jo domosdoshmërish përputhen me kategoritë tradicionale të depresionit kundrejt ankthit.

Pavarësisht mënyrës se si detajet dalin në pah, është e qartë se ka shumë hapësirë për të reformuar qasjen e klinicistëve për të zgjidhur gjëegjëzën e depresionit dhe ankthit. Shkencëtarët po zhvillojnë tani mjete që do të bëjnë të mundur dallimin e çrregullimeve nga njëri tjetri, dhe me shumë gjasa do të revolucionojnë të gjithë procesin në fushën e shëndetit mendor./Mia clinic

Leave a Reply

Your email address will not be published.