NË SHKOLLAT E VENDIT DETEKTOHET DHUNË DHE BULLIZËM, POR NUK PARAQITET

NË SHKOLLAT E VENDIT DETEKTOHET DHUNË DHE BULLIZËM, POR NUK PARAQITET

Dy e treta e nxënësve të shkollave të mesme konsiderojnë se ka diskriminim, dhunë mes bashkëmoshatarëve dhe bullizëm në shkollat e tyre. Këtë e bëjnë të ditur rezultatet e anketës së Institutit për të Drejtat e Njeriut të realizuar nga shtatori i vitit 2021 deri në muajin shkurt 2022, ku u përshinë 995 nxënës dhe 255 arsimtarë.

Sipas anketës, rastet e  bullizmit ndodhin më së shumti në shkollat fillore por ato nuk paraqiten, ndërsa një e katërta e nxënësve kanë qenë të ekspozuar ndaj ndonjë forme të gjuhës së urrejtjes. Dhuna duhet të njihet dhe të paraqitet te shërbimet pedagogjike në kuadër të shkollës.

“Në mënyra të ndryshme nxënësit mes vete lëndohen, përmes fjalëve ofenduese,  ose me sulme fizike apo gjatë kalimit të nxënësve në korridoret e shkollës,  goditje të lehta në kokë dhe kjo paraqet marrëdhënie diskriminuese. Po ashtu ka diskriminime në orientimin seksual, pamjen e nxënësve por edhe diskriminim në bazë gjinore, shumica e rasteve nuk paraqiten në kuadër të shkollave.”,- deklaroi  Margarita Caca Nikollovska nga Instituti për të Drejtat e Njeriut.

“Ne ende e kemi kulturën e sjelljes që të rikthejmë menjëherë sulmin që na bëhet dhe nëse nuk je i përgatitur për konflikt atëherë të mbetet të durosh dhe ta fshehësh dhimbjen psikologjike. Prandaj duhet të aktivizohen mjediset shkollore, arsimtarët ta njohin dhunën, bullizmin dhe të mos shkohet menjëherë vetëm me ndëshkim edhe pse shumica e bulizuesve vetëm këtë gjuhë e njohin.”,- tha psikologia, Gordana Bllazhevska.

Në kuadër të projektit mbrojtje nga diskriminimi të përkrahur nga Ambasada e Gjermanisë janë përgatitur edhe kurse digjitale për nxënës dhe mësimdhënës që mund të lexohen online në akademinë për të drejtat e njeriut.  (Flutura Latifi, TVM2)

Leave a Reply

Your email address will not be published.