PSIKOLOGËT: COVID-19 KA ATAKUAR JO VETËM SHËNDETIN FIZIK POR EDHE ATË MENDOR

Gentiana Memeti Ademi-Psikologe

PSIKOLOGËT: COVID-19 KA ATAKUAR JO VETËM SHËNDETIN FIZIK POR EDHE ATË MENDOR

Problemet dhe vështirësitë me të cilat përballet individi apo shoqëria ndikojnë negativisht te shëndeti i njerëzve, përfshi edhe shëndetin mendor. Pandemia e Covid-19 mund të cilësohet si një ngjarje traumatike e cila ka atakuar jo vetëm shëndetin fizik, por në masë të madhe edhe shëndetin psikik të njeriut, thotë në intervistën për Ajo.mk psikologja Gentiana Memeti Ademi.

Ajo : Sa e praktikojnë qytetarët në Maqedoninë e Veriut vizitën te psikologu?

Gentiana Memeti Ademi-Psikologe: “Kohëve të fundit është parë një rritje e kërkesave për vizita tek psikologu si në vendin tonë ashtu edhe më gjerë, mirëpo, fatkeqësisht vetëdijesimi për nevojën e vizitave tek psikologu akoma nuk është në nivelin e duhur. Hezitimi për mos vajtje tek psikologu ndikohet nga faktorë të ndryshëm individual e shoqëror e primatin vazhdon t’a mbajë mendësia se psikologun e vizitojnë vetëm ”të sëmurët mental”. Në anën tjetër disa individë edhe përkundër nevojës së tyre për këshilla profesionale psikologjike vazhdojnë të zgjedhin mënyra të tjera alternative, shpesh herë edhe të dëmshme për shëndetin e tyre. Stigmatizimi dhe paragjykimi shoqëror vazhdojnë të mbetet sfidë dhe pengesë për vizita tek psikologu apo profesionistë të tjerë të shëndetit mendor”.

Ajo : Cilat duhet të jenë shenjat që një njeri duhet të vizitojë psikologun?

Gentiana Memeti Ademi-Psikologe: “Shenjat apo simptomat e shfaqura nga individë të moshës së rritur, ndaj të cilave duhet të jemi shumë të vëmendshëm dhe në asnjë mënyrë të mos i neglizhojmë janë: ndryshimet për një kohë shumë të shkurtër dhe të menjëhershme të ndjenjave\emocioneve, disponimit apo rutinave të përditshme (ushqimit, gjumit, punës, raportit me të tjerët). Sa më parë të kërkohet ndihmë profesionale ndaj shqetësimit të individit, gjasat janë shumë më të mëdha për tejkalim të suksesshëm të tij. Prandaj, krahas identifikimit të nevojës për ndihmë psikologjike shumë e rëndësishme është edhe vizita në kohë tek psikologu”.

Ajo: Sa ka ndikuar pandemia ne psikologjinë e njerëzve në përgjithësi dhe te fëmijët në veçanti?

Gentiana Memeti Ademi-Psikologe: “Pandemia Covid-19 mund të cilësohet si një ngjarje traumatike e cila ka atakuar jo vetëm shëndetin fizik por në masë të madhe edhe shëndetin psikik të njeriut. Ideja e ballafaqimit me të panjohurën çdo herë sjell stres dhe ankth. Pandemia dhe rreziqet reale të saj si dhe masat mbrojtëse ndaj pandemisë (në veçanti izolimi), ishin shumë sfiduese për shëndetin mendor të njeriut. Pasiguria, frika e stresi të cilat u përjetuan nga të rriturit, respektivisht prindërit, u transmetuan lehtësisht edhe tek fëmijët dhe si rrjedhojë identifikuam ndryshime të shumta në sjelljet dhe emocionet e tyre”.

Ajo : A janë rritur rastet me ankth dhe depresion gjatë kësaj periudhe?

Gentiana Memeti Ademi-Psikologe: “Statistikat botërore tregojnë për një numër në rritje të rasteve që kanë raportuar ankth dhe depresion gjatë dhe pas pandemisë Covid-19. Edhe në vendin tonë besohet të ketë pas shtim të rasteve që kanë kërkuar ndihmë psikologjike për përjetim të ankthit dhe luhatjeve të humorit post-covid, mirëpo nuk ka të dhëna të sakta statistikore nga institucionet përkatëse”.

Intervista është realizuar nga ekipi i Ajo.mk dhe të drejtën e shpërndarjes e ka portali dhe bashkëbiseduesja.

Leave a Reply

Your email address will not be published.