SI TË DALLONI FTOHJEN, GRIPIN APO KOVID 19 TE FËMIJËT?

Nëse fëmijët kanë dhimbje të fytit, kollë dhe temperaturë të lartë menjëherë i parashtrojmë vetes pyetje se a është COVID-19, grip apo thjesht ftohje?

Të gjitha këto sëmundje shkaktohen nga viruset që infektojnë traktin respirator. Të gjitha janë ngjitëse dhe mund të përhapen lehtësisht nga personi në person. Ato shkaktojnë disa simptoma të ngjashme kështu që është e vështirë të bëjmë dallimin mes tyre.

Më poshtë do të shënojmë simptomat me të cilat mund të identifikoni nëse fëmijët janë me ftohje, grip apo Kovid 19.

Ftohja e zakonshme (e shkaktuar nga shumë viruse të ndryshme)

Simptomat e ftohjes janë zakonisht të lehta. Ato shpesh përfshijnë një gudulisje të fytit, hundë me sekret të lëngshëm ose teshtitje të shpeshtë. Nëse kanë temperaturë ajo nuk është e lartë. Një fëmijë me të ftohtë të zakonshëm ndihet mjaft mirë, ka oreks të mirë dhe nivele normale të energjisë.

Nuk ka asnjë test për ftohjen e zakonshme dhe asnjë trajtim specifik. Thjesht duhet të kalojë rrjedhën e saj.

Gripi (i shkaktuar nga virusi i gripit)

Gripi gjithashtu mund të jetë i lehtë zakonisht. Megjithatë, fëmijët me grip ndihen më keq se sa kur janë të ftohtë. Ata mund të kenë ethe që shfaqen papritur, me të dridhura, dhimbje koke dhe dhimbje trupi. Ata mund të kenë dhimbje të fytit, rrufë dhe kollë. Në përgjithësi ndihen të lodhur dhe nuk kanë shumë oreks. Disa fëmijë madje kanë dhimbje barku, të vjella ose diarre.

Mjekët mund të bëjnë analiza të cilat do të tregonin nëse një fëmijë ka grip virusal. Shumë fëmijë të prekur nga gripi kurohen në kushte shtëpiake, me konsumimin e sa më shumë lëngjeve, pushim dhe rehati. Në raste më të vështira mjekët përshkruajnë ilaçe antivirale për lehtësimin e simptomave të shkaktuara nga gripi. Disa fëmijë sëmuren më rëndë dhe kanë nevojë për trajtim spitalor.

COVID-19 (Shkaktuar nga një lloj I virusit korona)

Fëmijët e infektuar nga virusi korona mund të mos kenë asnjë simptomë ose simptomat e tyre mund të jenë të lehta të ngjashme me ato të ftohjes së zakonshme. Disa nga ata mund të kenë simptoma më të rënda të ngjashme me gripin. Pra, simptomat e COVID-19 janë të ngjashme si ato të ftohjes ose gripit. Por gjithashtu mund të duken ndryshe, për shembull, ato mund të përfshijnë humbje të shijes ose nuhatjes ose një skuqje në pjesë të trupit.

Ndonjëherë fëmijët zhvillojnë simptoma disa javë pasi janë infektuar me virusin korona si pjesë e gjendjes së quajtur inflamatore multisistemike tek fëmijët (MIS-C) dhe rrallë fëmijët mund të kenë simptoma që zgjasin për një kohë të gjatë. Për të parë nëse është infektim i virusit korona spo ndonjë varianti, mjekët mund të bëjnë test dhe analiza që e identifikojnë atë. Ata gjithashtu mund të kontrollojnë për infeksione të kaluara duke bërë test gjaku që kërkon me antitrupa.

 

Shumica e njerëzve me simptoma të lehta, përfshirë fëmijët, nuk kanë nevojë për ndonjë trajtim specifik dhe përmirësohen me shumë lëngje, pushim dhe ilaçe për uljen e temperaturës. Shumë pak fëmijë të moshës 12 vjeç e lart që kanë simptoma të lehta deri në mesatare janë në rrezik të lartë për COVID-19 me simptoma të rënda.

Disa njerëz sëmuren më rëndë dhe kanë nevojë për trajtim në spital.

Kur duhet të njoftoj mjekun amë?

Nëse keni ndonjë dyshim ose pyetje është më mirë të telefononi mjekun tuaj. Një sëmundje që duket si një ftohje mund të rezultojë të jetë gripi ose COVID-19. Sëmundje të tjera si streptokoku ose pneumonia, mund të shkaktojnë simptoma të ngjashme por kanë nevojë për trajtim të ndryshëm. Ndonjëherë është e vështirë të dihet me siguri se cila bakterie po e shkakton problemin. Më pas mjekët mund të bëjnë disa teste për të zbuluar shkakun.

Kërkoni kujdes mjekësor menjëherë nëse fëmija juaj:

  • duket se po përkeqësohet
  • ka probleme me frymëmarrjen
  • ka temperaturë të lartë
  • ka dhimbje koke të keqe
  • ka dhimbje të fytit
  • duket i shqetësuar
  • ka dhimbje të forta barku
  • ka dhimbje ose presion në gjoks
  • ka vështirësi të qëndrojë zgjuar
  • duket i zbehur në fytyrë

Çfarë mund të bëjnë prindërit?

Hapat e zakonshëm që ndihmojnë në parandalimin e përhapjes së mikrobeve funksionojnë mirë edhe kundër ftohjes së zakonshme, gripit dhe COVID-19. Është gjithmonë e mençur të:

Lani duart mirë dhe shpesh. Lani për të paktën 20 sekonda me sapun dhe ujë ose përdorni dezinfektues duarsh me të paktën 60% alkool.

Shmangni njerëzit që duken të sëmurë.

Pastroni sipërfaqet që preken shumë (si dorezat e dyerve, sportelet, telefonat, etj.).

Përkthyer dhe përshtatur nga Ajo.mk

Burimi: Kidshealth.org

Leave a Reply

Your email address will not be published.