JOGA KRAHAS SHËNDETIT FIZIK NDIKON POZITIVISHT NË SHËNDETIN TONË MENDOR- INTERVISTË ME DRITA ZEQIRIN

 

JOGA KRAHAS SHËNDETIT FIZIK NDIKON POZITIVISHT NË SHËNDETIN TONË MENDOR- INTERVISTË ME DRITA ZEQIRIN

Kohëve të fundit joga ka filluar të praktikohet sa më shumë nga njerëzit. Krahas efektit të saj fizik për të gjitha gratë që duan të kenë një trup të bukur ajo preferohet në të shumtën e rasteve edhe për relaksim. Megjithatë, shumica nuk e dinë se Joga ndikon pozitivisht në shëndetin mendor duke përmirësuar gjendjen shpirtërore dhe aktivizimin e trurit.

Në këtë temë ne zhvilluam një bisedë me instruktoren e Jogës Drita Zeqiri e cila thotë se kryesisht, bazuar edhe në studime, Joga ndikon drejtpërdrejtë në zhvillimin e njohurive tona me vetë faktin që gjatë shtrirjes së muskujve vepron në nënvetëdijen tonë, në stimulimin e trurit për tu ballafaquar me stresin dhe ankthin, përmirëson gjumin dhe ka ndikim pozitiv në jetën sociale.

Po ballafaqohemi me valët e të nxehtit dhe secili sheh të gjejë një vend për tu freskuar, rrallë kush mund ta mendojë se ushtrimet mund të kenë efekt në përballje me të nxehtit. Ti e praktikon Jogën çdo ditë. Si ndikon ajo në trupin dhe shëndetin tënd?

D.Z. “Është shumë e vërtetë që gjatë verës shumica prej nesh e anashkalojmë ushtrimin dhe kjo është si rezultat i asaj që aktivitet tona gjate verës janë zakonisht më të ngjeshura. Kjo ndodh pasi që kryesisht jemi të zënë duke planifikuar e menduar për pushime, jeta më aktive e natës, ahengjet familjare e kështu me radhë. Por, gjithsesi edhe nuk anashkalohet fakti që gjatë verës për shkak të temperaturave më të larta organizmi dhe trupi kërkojnë vende më freskuese, ushqime më freskuese, shumë ujë, më pak aktivitet fizik, hidratim etj. Në moment që ne mendojmë për ushtrimet ato na asocojnë në lëvizje, djersitje, energjinë që duhet investuar dhe është normale që momenti për të vendos të bëjmë ushtrime është më i vështirë. Edhe unë gjatë verës jam më pak aktive sa u përket ushtrimeve por mundohem që shkëputja të mos jetë afatgjate dhe komplete. Është shumë me rëndësi të potencohet që organizmi apo trupi që ushtron gjatë tërë vitit, gjatë  verës nuk e dallon aq shumë shkëputjen afatshkurtër nga ushtrimi apo praktika (natyrisht në suaza kohore normale).

Cilat janë ushtrimet që do ti kishe propozuar për ato që duan të nisin ta praktikojnë Jogën por ju duket diçka e pamundur?

D.Z. “Asgjë sështë e pamundur, po këtë na e dëshmon Joga. Efekti që e dallojmë në trupin dhe organizmin tonë gjatë kësaj praktike na dëshmon se gjithçka është e mundur në qoftë se besojmë se mundemi dhe investojmë kohë dhe mund në të. Për fillestarët, do ta them përsëri, varet shumë prej karakterit dhe individit në përgjithësi. Ka persona që ju pëlqejnë gjërat sfiduese, ajo jam unë, prandaj Joga është diçka që më plotëson në jetë. Mos të harrojmë se ka edhe karaktere që dorëzohen nëse në moment të parë e dallojnë që diçka është sfiduese prandaj edhe ekzistojnë lloje të ndryshme të Jogës dhe e sugjeroj që çdokush që ka dëshirë të fillojë me Joga, të konsultohet dhe të informohet për fillim se çka do të ju konvenonte më shumë personalisht. Përndryshe një nga ushtrimet që sugjerohet të bëhet çdo ditë dhe në çdo lloj të Jogës është Suria NAMASKAR ose SUN SALUTATION.”

Kur ndjekim disa ushtrime në video dhe fotografi të ndryshme themi menjëherë se ato nuk janë për mua. Duken të vështira dhe jo të kapshme për disa mosha. A ka moshë praktikimi i Jogës?

D.Z. “JO! Në Joga nuk ka moshë, në Joga nuk ka kufizime. Joga përshtatet për çdo moshë, çdo lloj karakteri, çdo lloj trupi dhe konstruksioni, kështu që pa marr parasysh se çfarë moshe të ketë një individ, pa marr parasysh çfarë potenciali fizik ka, çdoherë dhe në çdo kohë mund të fillojë të praktikoj Jogën.”

Krahas të nxehtit ne ballafaqohemi edhe me valët e Covid-19 i cili po jeton me ne. Nga ana tjetër paraqiten viruse të ndryshme por edhe krizat në përgjithësi. Kjo ndikon thellë në shëndetin tonë mendor. Si ndikon Joga nga ana tjetër në shëndetin tonë mendor?

D.Z.“Nuk është sekret dhe është temë mjaft aktuale çështja e shëndetit tonë mendor që po rrezikohet gjithnjë e më shumë për shkak të situatave eksterne që po na ndikojnë në mënyrën dhe stilin e jetesës. Unë individualisht në Joga kamë gjetur rrugëdalje për kanalizimin e energjisë negative por mund të them edhe momenteve të vështira. Fakti që Joga është praktikë në të cilën aktivizohen të gjitha muskujt, do të thotë sikur në sport edhe gjatë praktikimit të Jogës bëjmë lëvizje, zgjatim trupin dhe harxhojmë kalori ndërsa nga ana tjetër nëpërmjet frymëmarrjes dhe fokusit arrijmë të qetësojmë dhe balancojmë energjinë. Kjo tregon shumë për ndikimin e Jogës në shëndetin tonë mendor. Sot, në këto periudha turbulente të gjejmë BALANCIN në jetë është gjithçka që ka rëndësi!”

Cilat janë ushtrimet që do ti kishe propozuar të cilat do të kishin ndikuar në mirëqenien e tonë e që janë të lidhura me relaksimin dhe zbutjen e stresit?

D.Z.“Për menaxhimin e stresit sugjerohen ushtrimet me frymëmarrje dhe në Joga ka shumë të tilla. Nuk është e domosdoshme të ushtrojmë ASANA apo ushtrime fizike për tu relaksuar, mundet thjeshtë personi që ka nevojë të përdor ushtrime të frymëmarrjes të cilat praktikohen në JOGA si psh: Pranayama teknikat e frymëmarrjes, Yoga Nidra, Ujjayi etj.”

Për stimulimin dhe motivimin e grave dhe vajzave që të praktikojnë Jogën na duhet një shembull konkret. Na thuaj pse e praktikon jogën personalisht?

D.Z. “Siç e përmenda edhe më lartë, në këto kohë turbulente ku ballafaqohemi me një ditë e jetë shumë dinamike, ku rrethanat dhe streset e jashtme ndikojnë në shëndetin tonë mendor. Gjithashtu pamundësia për të pasur një jetë të shëndetshme për shkak të rrethanave të jashtme, pamundësia për tu kujdesur për ushqimin e trupin tonë mjaftueshëm, na ndikon edhe më shumë në luhatjen e humorit apo emocioneve. Mundohuni të gjeni balancën në jetë. Përkushtoni kohë trupit dhe mendjes tuaj që të arrini të ballafaqoheni më lehtë me faktorët e jashtëm.”

Intervista është zhvilluar nga Portali eltronik AJO dhe të drejtën e shfrytëzimit dhe shpërndarjes e mban autorja dhe AJO.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.