“MIKESHA” NGA SIMONE DE BEAUVOIR

SIMONE DE BEAUVOIR

Simone de Beauvoir lindi në Paris më 9 janar 1908 e cila është një nga shkrimtaret më me ndikim dhe më domethënës të Francës. Ajo lindi në një familje borgjeze në zonë që quhet Rive Gauche (Bregu i Majtë) e cila ishte si një qendër intelektuale dhe krijuese për filozofët, shkrimtarët, artistët dhe krijuesit e flimit në vitet 1950.

De Beauvoir në vitet e adoleshencës kishte refuzuar fenë e saj dhe përfundimisht u bë ateiste. Kjo mungesë e pikëpamjes fetare ndikoi shumë në filozofinë e saj ekzistencialiste të cilën e zhvilloi pas diplomimit.

Në vitin 1928, në moshën njëzet e një vjeçare, de Beauvoir u bë personi më i ri ndonjëherë që kaloi agregacionin në filozofi në Universitetin prestigjioz të Francës École Normale Supérieure. Juria i dha vendin e dytë në provim; vendin e parë e zuri Jean-Paul Sartre të cilin e kishte shok klase. Me këtë ajo fitoi të drejtën për të dhënë mësim në nivelin e shkollës së mesme të cilën ajo e bëri në vitet 1929-43.

De Beauvoir kishte një marrëdhënie të hapur me Sartrin gjatë gjithë jetës së saj. Lidhja e tyre filloi në vitin 1929 dhe ata mbetën partnerë deri në vdekjen e Sartrit në vitin 1980, por ata kurrë nuk u martuan, nuk bashkëjetuan apo patën fëmijë së bashku. Gjatë këtyre viteve, të dy kishin edhe lidhje të tjera, si lidhja e de Beauvoir me të dashurin e saj Nelson Algren, një autor amerikan që e takoi në Çikago. S’kaloi shumë, Algren nuk ndihej rehat me natyrën publike të marrëdhënies së tyre dhe ata u ndanë në mesin e viteve 1950.

“Mikesha” nga Simone de Beauvoir

Një ditë Pieri do ta merrte vesh. Por edhe ai do të mësonte vetëm pamjen e jashtme të këtij veprimi. Askush nuk mund ta dënonte apo t’i jepte pafajësinë. Ai veprim i përkiste vetëm asaj. “Ai është i imi!”. Ishte vullneti i saj që po përmbushej, asgjë nuk mund ta ndante më nga vetvetja. Më në fund ajo e bëri zgjedhjen. Zgjodhi vetveten…

Simone de Beauvoir në këtë roman sjell frymëzimin nga marrëdhënia e saj me Sartrin dhe me aktoret, motrat Wanda dhe Olga Kosakiewicz. Romani imagjinon dhe më pas eksploron marrëdhëniet midis të katërve si dhe eksploron në disa detaje marrëdhëniet e ndërlikuara midis de Beauvoir dhe Sartre. Ky libër është revolucionar në temën e tij si dhe në portretizimin e tij intim dhe të fuqishëm.

Marrëdhënia e De Beauvoir me Sartrin ishte shumë më tepër se thjesht romantike, ata ishin intelektualë të barabartë dhe rregullisht debatonin idetë e tyre me njëri-tjetrin. Së bashku, ata u bënë figurat kryesore të shkollës filozofike të ekzistencializmit.

Gjashtë vite pasi marrëdhënia mes Sartrit e Olgës përfundoi, De Beauvoir shkroi romanin “Mikesha” (1943). Ngjarjet janë vendosur në Parisin e paraluftës dhe jeta e tyre endet pranë e pranë bulevardit “Montparnasse”.

Romani sillet rreth Fransuazës, marrëdhënia e hapur e së cilës me Pier ndryshon kur asaj i shtohet edhe mikja e saj e re, Ksaviera. Vepra eksploron shumë koncepte ekzistencialiste si liria. Janë tre personazhe kyçe: Fransuaza që shihet si Simone, Pierre që shihet si Satri dhe Ksaviera në të cilën janë ndërthurur tiparet e dy motrave Kosakievicz, Olgës dhe Uandës.

Pos “Mikeshës”, mendohet se Olga ka zënë vend edhe në librat e Sartrit. Tek “Rrugët e lirisë” një prej karaktereve konsiderohet si Olga. Në fund, Olga e vërtetë është martuar me Jacques-Laurent Bost, i cili për një kohë të gjatë ka qenë i dashuri i Beauvoir.

Pak për filozofinë ekzistencialiste!

Filozofia ekzistencialiste argumenton se njerëzit lindin të lirë dhe jo me qëllim të paracaktuar (siç u mësua nga fetë judeo-kristiane) dhe si të tillë, ata janë të lirë të formojnë kuptimin e tyre në jetë. Në fakt në “Etika e Ambiguiteti”t (1947) de Beauvoir argumentoi jo vetëm se është imperativi më i madh i secilit individ të përcaktojë kuptimin e jetës së tij por gjithashtu se ata duhet të mbrojnë lirinë e të tjerëve për të krijuar qëllimin e tyre të jetës.

Megjithatë, eksplorimi i kësaj filozofie e shtyu de Beauvoir-in të merrte në konsideratë një sfidë tjetër. Ajo e pa se ajo ishte thelbësisht e kufizuar në liritë e saj për shkak të qenit grua. Ndërsa kolegët e saj meshkuj nuk duhej të luftonin për famë, për de Beauvoir të bëheshe shkrimtare dhe filozofe ishte rrezik dhe kjo nuk u vlerësua nga burrat që e rrethonin. Kjo e detyroi atë të shkruante veprën e saj më të njohur dhe më revolucionare “Seksi i Dytë”.

“Seksi i Dytë”

Seksi i Dytë (Le Deuxième sexe) u botua në dy vëllime në vitin 1949 dhe u deshën katërmbëdhjetë muaj në përgjithësi për të hulumtuar dhe shkruar. Në libër, ajo eksploron gjendjen e grave nga një sërë këndvështrimesh – biologjikisht, psikoanalitikisht, historikisht dhe sociologjikisht për të përmendur vetëm disa. Studimi i saj rigoroz dhe novator bëri që vepra të bëhej e njohur si një nga veprat kryesore të filozofisë feministe.

Në “Seksin e Dytë”, De Beauvoir argumenton se gratë janë “tjerat” dhe se kjo gjendje është komplikuar gjatë historisë. Për shembull, ajo kritikon marrjen në pyetje të gjendjes së grave nga psikanalistët (si Frojdi), duke argumentuar se ai fliste për gratë vetëm në raport me burrat dhe pretendonte se seksualiteti është tipari përcaktues i grave. De Beauvoir e refuzon këtë pikëpamje, në vend të kësaj pohon se gratë duhet të studiohen veçmas nga burrat në vend që të jenë një degë e tyre dhe se gratë janë shumë më tepër se seksualiteti i tyre.

Duke u lidhur me filozofinë e saj ekzistencialiste ajo shkruan në mënyrë të famshme, “nuk lind, por bëhet grua” (“on ne naît pas femme, on le devient”). Punime të tëra kritike janë shkruar duke interpretuar këtë citim, por kjo i referohet idesë ekzistencialiste se njerëzit lindin të lirë. Në kontekstin e Seksit të Dytë, ky citim mund të thuhet se përfshin idenë se gjendja që ne e njohim si “grua” është krijuar nga rrethana biologjike, sociologjike, psikologjike dhe historike, dhe De Beauvoir argumenton se kjo gjendje është përfundimisht kufizuese./Ajo.mk

Leave a Reply

Your email address will not be published.