PËRKUJTOJMË GRUAN PJESMARRËSE NË KONGRESIN E MANASTIRIT PARASHQEVI QIRIAZI

NË DITËN E ALFABETIT PËRKUJTOJMË GRUAN PJESMARRËSE NË KONGRESIN E MANASTIRIT PARASHQEVI QIRIAZI

Në 114 vjetorin e Kongresit të Alfabetit, që u mbajt prej 14 nëntor deri më 22 nëntor 1908,  sjellim në kujtesë një grua, sekretaren e Komisionit për abcenë, mësuesen dhe politikanen shqiptare Parashqevi Qiriazi.

Parashqevi Qiriazi u lind më 2 qershor të vitit 1880 në qytetin e Manasgtirit. Ishte fëmija i dhjetë dhe më i vogli i çiftit Maria dhe Dhimitër Qiriazi. Shkollën fillore dhe shkollën e mesme i kreu në qytetin e saj të lindjes në Manastit. Në vitin 1900, i fillon studimet në Kolegjin Amerikan për Vajza në Stamboll (American College for Girls) institucion ky i cili vepronte në kuadër të të ashtuquajturit Robert College, në degën e letërsisë, ku në vitin e fundit të studimeve ishte edhe kryetare e organizatës studentore.

Pas diplomimit në Kolegjin Amerikan për Vajza në Stamboll, në vitin 1904, filloi punën si mësuese dhe më vonë drejtuese në Shkollën Shqipe të Vashave në Korçë.

Në vitin 1908 morri pjesë në Kongresin e Alfabetit në Manastir. Me këtë rast ajo përpiloi dhe publikoi “Himnin e alfabetit kombëtar,” himn ky i cili vazhdon të këndohet edhe sot e kësaj dite.

Më 16 janar 1909, Parashqevi Qiriazi ishte njëra ndër themelueset e shoqërisë së parë të grave shqiptare “Yll`i Mëngjesit“ me seli në Korçë. Po në këtë vit, me shkronjat e alfabetit të ri, hartoi dhe botoi në Manastir, në shtypshkronjën “Bashkimi i Kombit,” tekstin “Abetare – për shkollat e para,” dhe me këtë hyri në historinë e arsimit dhe të shkollës shqipe si femra e pare shqiptare autore e një abetareje, e gjithashtu edhe si teksti i pare i hartuar me alfabetin e ri. Ky tekst do të ribotohet edhe në vitin 1911, në shtypshkronjën “Bashkimi i Kombit” në Manastir.

Në vitin 1912, Parashqevi Qiriazi, do të regjistrohet në studimet postdiplomike master në Fakultetin e Pedagogjisë (Edukimit) të Kolegjit të Oberlinit në Ohio, SHBA. Në qershor të vitit 1913 në Universitetin e Oberlinit përfundoi me sukses studimet master ku edhe mbrojti temën me titull: “Zhvillimi i shkollave në Perandorinë Turke dhe një sistem ideal i arsimit në Shqipëri.” Me këtë mori thirrjen akademike, M.A. master i edukimit (master of education).

Ndërkohë, ajo në SHBA hartoi edhe programin arsimor të Qeverisë së Përkohëshme të Ismail Qemalit. Po në këtë vit shkroi dhe botoi në Çikago, veprën “Shkolla e vashave – Korçë“ (The School for Girl – Kortcha, Albania).

Për shkak të fillimit të Luftës së Parë Botërore, në vitin 1914, detyrohet të largohet nga Shqipëria. Kah fundi i vitit mori pjesë ne formimin e Organizatës “Lidhja Kombëtare” në Sofje ku u zgjodh sekretare e saj.Një vit më vonë mori pjesë në formimin e “Partia Politike – Partia Kombëtare Shqiptare.”

Në periudhën 1917–1920, Parashqevi Qiriazi qëndroi në SHBA. Atje në qytetin e Bostonit nxori dhe redaktoi revistën “Yll`i Mëngjesit.” Në këtë revistë ajo kishte edhe rubrikën e saj me titull, “Fleta e editorit“ ku botoi një varg punimesh në lidhje me arsimin dhe edukatën.

Në vitin 1919, Parashqevi Qiriazi mori pjesë si delegate në Konferencën e Paqës në Paris, si përfaqësuese e delegacionit shqiptaro-amerikan dhe si e vetmja delegate femër nga të gjitha vendet e asaj Konference. Në vitin 1922 Parashqevia kthehet nga SHBA-të, emërohet drejtoreshë e Shkollës Shqipe të Vashave të Korçës, dhe shkolla në fjalë dislokohet nga Korça në Tiranë. Më 2 korrik 1931 Instituti Qiriazi (Kyrias) dhe të dy motrat: Parashqevia dhe Sevastia dekorohen me “Urdhrin e Skënderbeut, ndërsa në vitin 1933 Instituti Arsimor Qiriazi (Kyrias) mbyllet.

Më 15 tetor 1943 Sevastia dhe Parashqevia, së bashku me anëtarët tjerë të familjes, arrestohen nga forcat nazifashiste dhe dërgohen në Kampin e Përqëndrimit të Banjicës në Dedinje afër Beogradit në Serbi. Në tetor të këtij viti, të internuarit në Kampin e Përqëndrimit të Banjicës në Dedinje afër Beogradit lirohen dhe pas peripecive të shumta Parashqevia arrin në Shqipëri.

Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore ndërtesa e Institutit Qiriazi shtetëzohet pa asnjë shpërblim ndërsa vetëm në vitin 1960 motrat Qiriazi u dekoruan me “Urdhërin e Lirisë” ndërsa në vitin 1962 u dekoruan me “Urdhërin për veprimtari patriotike.”

Parashqevi Qiriazi vdiq në Tiranë në vitin 1970, ndërsa më 1987 dekorohet “Post Mortem” me titullin “Mësuese e Popullit“. Ajo.mk

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.