NJË VAJZË OSE GRUA NUK MUND TA NDALOJE ASGJË PËR TË ARRITUR DERI TEK ËNDRRAT E SAJ- MIRANDA HASHANI

“Një vajzë ose grua nuk mund ta ndaloje asgjë për të arritur deri tek ëndrrat e saj. Mjafton të duash. Ec mos u ndal. Ato që u ndalën humbën e vetëm ato që vazhduan fituan. “

Të jesh në piedestal por gjatë rrugëtimit të ruash me krenari vlerat kulturore në biznesin e estradës, në ditën e sotme, është mjaft e vështirë. Një nga emrat e rrallë e cila në vazhdimësi ka krijuar këngë të bukur shqipe, pa e tejkaluar veten dhe pa e thyer etikën e saj është Miranda Hashani. Shkupjanja e cila na bën krenarë jo vetëm neve por gjithë shqiptarët në të gjitha trojet ku frymohet shqip. Miranda krahas zërit karakteristik i cili ia shton ngjyrat e bukura artistike këngës ka një stil të veçantë të dukjes, e cila në një farë forme të shkëlqyer e bën një personalitet të rrallë, zonjë të madhe me vlera të larta artistike. Këtu do të kisha dashur ta shtoj edhe rolin e saj si grua dhe nënë e përkushtuar e dy djemve.

Nga ana tjetër derisa ne shohim versionin e kompletuar të Mirandës me siguri gjatë këtij procesi duhet të ngjisim pjesë të sfidave gjatë rrugëtimit të saj në jetë të cilat e kanë motivuar dhe shtyrë që Ajo të krijojë figurën dhe personalitetin që është sot. Por, kjo do të jetë edhe një motiv shtesë për femrat që duan të arrijnë qëllimet e tyre por i dorëzohen sfidave. Në këtë drejtim u fokusuam edhe në intervistën tonë të zhvilluar me këngëtaren Miranda Hashani.

  • Miranda,ne çdoherë të shohim të buzëqeshur, pozitive, gjë të cilën e posedon në brendi dhe e reflekton nga jashtë. A ndodh çdoherë të jesh në gjendje të tillë dhe të kesh energji të mjaftueshme?

“Po, e kam pasur dhe vazhdoj ta kem këtë reflektim sidomos kur paraqitem në vende publike. Ndodh ndonjëherë momenti kur edhe nuk e posedoj këtë energji, por di të luftoj për t’ia kthyer vetes përsëri energjinë pozitive.”

  • Duke marrë parasysh se sot është e vështirë të bësh një baraspeshë mes materiales dhe ruajtjes së vlerave në muzikë si ke arrit ta menaxhosh këtë pjesë?

“Në këtë kohë është shumë e vështirë por dashuria e madhe për këngën e mirëfilltë, për artin tonë të shenjtë, nuk më lejon të veproj ndryshe. Nuk ia kthej dot shpinën këngës së bukur shqipe, këtij thesari me vlera të larta për të cilin çdo kush nga ne duhet të ketë përgjegjësi. Unë do ta ruaj e kultivoj deri në frymën time të fundit.”

  • Çka të jep shtysë dhe të motivon që çdo herë ta zgjedhësh të bukurën dhe jo të përqendrohesh në komercialen?

“ Ashtu jam rritur dhe edukuar, në frymën e këngës së bukur shqipe. Ta dua vlerën e saj, ta ruaj atë që është e jona, çdo gjë që është shqiptare dhe nuk anoj dot nga komercialja e as që më josh ndonjëherë.”

  • Do të ndalem pak në fillimet e karrierës, vitet kur ke vendos të merresh me muzikë. Arti në shoqërinë tonë nuk ka qenë profesion i preferuar, e në veçanti kur bëhet fjalë për një vajzë që dëshiron të bëhet këngëtare. Si e pritën prindërit, familja dhe rrethi vendimin tënd?

“ Kam pas fatin të kem prindër që më kanë përkrahur e mbështetur që në fillimet e mia të karrierës dhe kur ata më kanë dhënë krah unë as qe e kam menduar rrethin. Edhe pse më kanë paragjykuar shumë herë. Asgjë nuk më ka ndalur për të shkuar drejt ëndrrës time për tu bërë një ditë këngëtare, kjo që jam sot.”

  • Kur flasim për sfida, ne si qenie njerëzore gjatë jetës hasim në shumë të tilla por me siguri që nuk mund të themi se rrugën në veprimtarinë tënde e ke pas të shtruar. A mund të na tregosh disa nga ato që kishe veçuar si më të vështira gjatë viteve?

“E lehtë nuk ka qenë aspak. Të ecësh vet në rrugën drejt karrierës ka qenë një sakrificë që sot kur e kujtoj çuditem si ja kam dal, e vetme dhe femër. Por dashuria e madhe për këngën, për ëndrrën time nuk me ndalte dot dhe pas shume rrëzimeve unë jam ngritur përsëri, kam vazhduar edhe më e fortë drejt sukseseve të mia. Më të rëndat i kam pasur kur janë treguar të padrejtë ndaj meje, kur më kanë lënduar e thyer sepse unë isha vet, nuk kisha mbrojtje. Isha një vajzë e urtë, e edukuar drejt, pa lajka që edhe rrugëtoja vet. Me kilometra, ditë e natë, në borë e shi. Ndonjëherë edhe jetën time e kam rrezikuar. Shpesh kur i kujtoj disa momente, them me vete si kam guxuar, si nuk jam trembur?! E pastaj për tu kthyer, falë Zotit kisha disa miq të vërtetë, që vazhdoj ti kem edhe sot që më rrinë akoma afër dhe nuk më kanë lënë kurrë të dëshpërohem e të ndalem. Sot jam krenare për gjithçka që kam arritur falë atyre e adhuruesve të mi që më kanë mbështetur e kanë përqafuar çdo këngë timen, dhe jo vetëm kaq. Ata më duan edhe për atë që jam, e kjo më lumturon pafund. ”

  • Në jetë ndodh që të kemi periudha të vështira, janë pikërisht ato që na forcojnë. Humbja e gjërave të shpirtit na shtynë në një humnerë ku nuk dimë nëse duam të vazhdojmë më tutje në çdo aspekt. Si arrite të dalësh nga ajo periudhë e të vazhdosh edhe më fuqishëm?

“ Kur disa gjëra nuk janë në dorën tonë thjesht duhet të pajtohemi me gjithçka që na ndodh, qofshin humbje nga më të rëndat si ato shpirtërore. Jeta nuk është e bardhë gjithmonë dhe për të tejkaluar çdo dhimbje duhet të kemi besimin e fortë për të kërkuar dritë në fund të tunelit sepse jetën duhet vazhduar, me të mirat dhe vështirësitë që ndonjëherë na sjell ajo.”

  • Jeton larg, në Gjermani. Krahas obligimeve profesionale duhet të jesh nënë dhe bashkëshorte. Nga ana tjetër të shohim në mbrëmje shpesh. Si arrin ti koordinosh gjërat?

“Mjafton të duash dhe çdo gjë mund të arrihet. Deri tani po funksionoj shumë mirë. Me Mentorin kemi mirëkuptim që nga dita kur kemi filluar jetën bashkë, ai është krahu im i fuqishëm. Doni dhe Deti janë mësuar me lëvizjet e mia që janë të shkurta, nuk lej qe të ju mungoj shumë edhe pse udhëtimet shpesh i kam të lodhshme. Është sakrificë por që tejkalohet.”

  • A ka gjë më të bukur se të jesh nënë duke krahasuar edhe me imazhin autoritar në sferën e muzikës?

“Gjë më të bukur nuk ka e nuk ekziston. Jam e bekuar.  Është diçka që nuk përshkruhet dot me fjalë. Jam e përmbushur në jetë falë Zotit.”

  • Çka të jep forcë e çka të lëndon?

“ Guximi më jep forcë ndërsa më lëndon fjala e rëndë.”

  • Çka pret nga ajo që jep nga vetvetja?

“Çdo gjë që jap nga vetvetja e bëj me përkushtimin më të madh e me përgjegjësi, ndaj pres që të më kthehet e njëjta. Qëllimi im është që nëpërmjet këngës dhe paraqitjeve te mia kudo të përcjell gjithmonë një mesazh të mirë, mundohem të bëhem ndikuese për gjëra të mira, të kontribuoj në edukimin artistik që shoqëria jonë të përqafoje sa me shumë vlera, qofshin ato njerëzore, edukative, artistike e kulturore.”

Intervista është e zhvilluar enkas për portalin AJO dhe të drejtën e përdorimit e ka portali dhe këngëtarja./Ajo.mk

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.