NJOLLAT E ZEZA NGA PATRIARKATI DHE “FUNDI” I TYRE

Lindita AHMETI-shkrimtare

 

***

 

“Gruaja duhet të ketë të holla dhe dhomën e vet po deshi ta shkruajë fiksionin”, thotë njëra nga penat e papërsëritshme të letërsisë botërore, Virxhinia Vulf, e cila jetoi dhe krijoi në fillim të shekullit njëzet.

Një tjetër krijuese e këtij kalibri që e kuptoi thellë nevojën e baraspeshës ose të harmonisë, pa dyshim është Silvia Plat. Ajo u shfaq në skenën e letërsisë së madhe më vonë. Vjersha The applicant tregon se sa me shpirt i ka ndjerë ajo të drejtat e grave, duke u marrë në mënyrë të veçantë me dominimin e burrave në bashkëshortësi. Krijimtaria e saj është një gërshetim i paparë i ndjenjave më subtile të shprehura me një gjuhë e cila i prek thellësitë e shprehjes poetike. Në thelb të kësaj poezie është protesta kundër padrejtësive që ndodhin brenda familjes, por edhe brenda shoqërisë.

Pse desha ta filloj tekstin pikërisht me këto të dyja? Them se ato i lidh një ide dhe një përfundim i njëjtë i udhëtimit jetësor, edhe pse nuk kanë jetuar në një kohë. Nuk është e rastit që ato e ngrenë zërin lartë për funksionimin e harmonisë gjinore dhe, po ashtu nuk është e rastit pse zgjedhin ta përcaktojnë vetë fundin e jetës së tyre. Kjo nuk ka të bëjë aq shumë me ndonjë depresivitet të tyre, nuk është as ndonjë dobësi, përkundrazi është një akt i paramenduar. Ato të dyja me një guxim të pashembullt janë kacafytur me problemin e harmonisë midis jetës së përbashkët të një gruaje e një burri që është paluar dhe nuk ka gjetur zgjidhje ndër shekuj, Kështu si vepra e tyre maestrale që është protestë, njësoj edhe akti i vetëvrasjes së tyre është kulmi i protestës kundër hipokrizisë shoqërore.

Patriarkati filloi të shthuret me revolucionin industrial në Evropën Perëndimore, mirëpo pas tij mbetën shumë njolla të zeza sa i përket qëndrimit të shoqërive demokratike lidhur me barabarësinë midis burrit e gruas. Dhe,  pikërisht kundër këtyre qëndrimeve u desh zëri dhe fjala e shkruar e krijueseve të mëdha si Virxhinia Vulf e cila veproi në fillim të shekullit njëzet dhe Silvia Plat që krijoi në gjysmën tjetër të këtij shekulli.

Virxhinia Vulf  “e hulumton kalimin e kohës dhe atë se si shoqëria e detyron dhunshëm gruan ta lejojë burrin që t’ia marrë fuqinë emocionale.  “Gruaja duhet të ketë të holla dhe dhomën e vet po deshi ta shkruajë fiksionin”, thekson ajo. Eseja e saj me titull “Dhoma personale”,  botuar më 1929, u bë klithmë për rregullimin e harmonisë, pra për jetën e pavarur dhe private të gruas në atë shkallë të cilën e kishin burrat. Si duket idealet e kësaj shkrimtareje që mbeti ndër penat më të mëdha të të gjitha kohërave ishin shumë para kohe. Vendosmëria e saj për të mbrojtur qëndrimet për lirinë e individit, në këtë rast të gruas, deri në frymën e fundit e detyroi që vetë të përcaktohet t’i japë fund jetës duke u hedhur në lumë dhe kështu edhe ky veprim të bëhet protestë e madhe.

 Me këtë rast është e radhës  të thuhet ndonjë fjalë për ecurinë e problemit të barabarësisë ose, më mirë të thuhet të pabarabarësisë midis burrit e gruas. Me shekuj barabarësia ose pabarabarësia janë mbuluar me hipokrizi duke e përjashtuar thelbin e problemit që është harmonia. Bota jonë e jo vetëm ajo, por i gjithë kozmosi funksionon në bazë të harmonisë, e cila është tërësi e kundërshtive. Dhe, kjo është mrekullia: në një anë qëndron bukuria përballë e ka shëmtinë, e mira të keqen, e reja të vjetrën, nata ditën, vera dimrin, e vogla të madhen, dashuria urrejtjen e kështu me radhë. Asnjëra nga këto nuk mund të ekzistojë vetë, pra pa e pasur anën e kundërt. Madje do të ishte krejt absurde po të kishte qenë kështu, sepse kur janë bashkë ato plotësohet parimi kozmik i baraspeshës. Po nejse. Interesimi ynë kësaj radhe shkon drejt dy kundërshtive më të buta që bëjnë një harmoni të veçantë: femra dhe mashkulli, të cilat e japin tërësinë që quhet NJERI.

Ne nuk e dimë si ka rrjedhur përroi i jetës gjatë parahistorisë së njeriut, por supozojmë se raportet atëherë kanë qenë në një baraspeshë deri në paraqitjen e matriarkatit, kur, si duket më shumë peshë ka pasur gruaja. Ndërkohë, pas mileniumeve të tëra situata ndryshon. Matriarkati duhet t’ia lëshojë vendin patriarkatit. Kjo është një periudhë e gjatë kur rregullat e lojës i cakton burri.

Gjatë patriarkatit, thuajse gjithmonë ka pasur përpjekje për dëmtimin e këtij indi, këtij rregulli, duke i dhënë përparësinë njërës anë, kuptohet,  burrit. Me kalimin e kohës u tregua se është gabim që kjo harmoni t’u nënshtrohet rregullave shoqërore. Njerëzit e urtë nisën të mendojnë se bashkëshortësia duhet të funksionojë si çdo harmoni tjetër kozmike. Prandaj  në një pjesë më të madhe të botës kjo periudhë e gjatë ka filluar t’i lirojë nga pak e ngadalë shtrëngesat e pakuptimta që i imponon patriarkati.

Sido që të jetë, edhe kur u hoqën shumë pengesa, mbetën njolla të zeza nga patriarkati sa i përket qëndrimit të shoqërisë ndaj gruas deri në shekullin e njëzet. Dhe, kundër këtyre qëndrimeve u desh të ngrihet zëri i fuqishëm dhe të shkruhet vepra e madhe e disa shkrimtarëve e mendimtarëve që të përshpejtohet  shlyerja e këtyre njollave. Ndër këto mendje të ndritura prijnë: Virxhinia Vulf i dhe Silvia Plati.

Thuhet se kryesorja midis artisteve që u bënë të përkufizuara me vetëvrasjen është poetja dhe romansierja amerikane Silvia Plat, që vdiq në vitin 1963. Prej atëherë emri i saj u bë sinonim për shqetësimin femëror.

Ta mbyllim me Virxhinia Vulfin. Ja çfarë thotë ajo: “Ta pranosh pushtetin, pa marrë parasysh të mbështjellë apo të veshur, në bibliotekat tona, dhe t’i lejohet të na flasë si të lexojmë, çka të lexojmë dhe si t’i vlerësojmë ato që kemi lexuar, do të thotë të zhduket shpirti i lirisë i cili është vetë fryma e këtyre tempujve”

Artikulli është shkruar ekskluzivisht për portalin AJO. Të drejtën për përdorim dhe shpërndarje e kanë autorja dhe Portali AJO.

Leave a Reply

Your email address will not be published.