QETËSI-NGA DIJANA TOSKA

Qetësi
Dola me lyp pak qetësi,
e paskam humbë diku në vete e nuk po e gjej;
shetis nëpër hije rrugësh që vizatohen nëpër re
e marr thua në tehet e kujtimeve të mprehta
veç frymën time po e dëgjoj kah më ban shoqni;
këmbët po më dërgojnë dikah larg prej vetes,
hija ime po mbetet një pikë në horziont, larg prapa meje,
derisa shuhet krejt një ditë.
Dhe, krejt e njëjtë paska mbetë rruga, pikërisht ashtu qysh e lash,
po ai kryqëzim që lidh dy fusha në blerim.
Edhe zemra ime e hirtë do me u blerue,
niset në ikje prej zhurmës urbane
tek kërkon qetësinë e munguar.
E kërkova vet këtë ditë, pa zhurma rrotash, frena makinash, pa bori
dhe u mundova me pëllëmbë me i nxënë krejt rrezet e diellit.
Dikur më vonë kërkova shiun me i shpëla mendimet
dhe erën me i fërfëllu’ pëshpëritjet,
me i fërfëllu dikah larg në majë të malit
e unë me shku’ pas tyne e me i gjetë të vetmueme,
se s’ka tjetër kush i kupton ato,
më mirë se unë.
Në këtë qetësi të rrejshme kërkova zogjtë për një ninullë,
kërkova petalet për të më ledhatu’ aroma e tyre,
me ankthin e pritjes shpirti veç po e merr formën time,
po e di që qetësi askund nuk ka pa ty.
Dola për me gjetë pak qetësi!
© Dijana Toska ( Rruazat e jetës, Shkup, 2017)

Leave a Reply

Your email address will not be published.