“SHKUPI LEXON” SOLLI EMOCION TË VEÇANTË KËTË VIT

Mishërimi i dhembjes, mallit, dashurisë dhe shprehjes së tyre mes rreshtave u ndje thellë mes të pranishmëve në edicionin e këtij viti të ngjarjes kulturore “Shkupi lexon”. Poetja Lindita Ahmeti e cila me shumë përkushtim dhe dashuri mban traditën e zhvillimit të ngjarjes në fjalë, rrëfen për portalin Ajo se sa e kishte të vështirë që për herë të parë afër vetes nuk kishte njeriun me të cilin tërë jetën ndau çdo moment, aktorin Luran Ahmeti. “I gërshetova dhembjen dhe krenarinë që pata një vëlla të mrekullueshëm e aktor të njohur dhe manifestimi doli ashtu siç prita: i mirë dhe në shenjë të vëllait tim” thekson ajo.

A mund të na tregoni për rëndësinë që ka për juve “SHKUPI LEXON” ?

L A: SHKUPI LEXON për mua ka rëndësi të veçantë sepse është ndër të parat projekte që ma ofroi zonja Sermine Purrini, drejtoreshë e Qendrës Informative Kulturore, e cila ishte një ofertë nga lëmi ku e gjej veten më së miri. Në letërsi. Natyrisht se ka pasur edhe të interesuar të tjerë për këtë  projekt, mirëpo unë e bëra skenarin dhe e dorëzova me shkrim. Kam kënaqësinë të them se skenari im u pëlqye dhe kështu filloi dhe, ja tash është viti i gjashtë. Kjo do të thotë se ky manifestim tashmë është tradicional.

Këtë vit ngjarja kishte emcion të veçantë. Si e përjetuat Ju?

L A: Ky ka qenë më i vështiri për mua, për shkak se në manifestim për herë të parë nuk e pata vëllain tim pranë, aktorin Luran Ahmeti. Nuk është lehtë, por im vëlla më mbështeste për çdo sukses timin sado i vogël që të ishte. Me inkurajonte mos të ndalesha, ma mësonte krenarinë. Kjo ishte arsyeja që unë sivjet ta vazhdoj  punën. I gërshetova dhembjen dhe krenarinë që pata një vëlla të mrekullueshëm e aktor të njohur dhe manifestimi doli ashtu siç prita: i mirë dhe në shenjë të vëllait tim.

Kjo është një nga ngjarjet që mbledh jo vetëm poetët por të gjithë qytetarët nga profile të ndryshme, e që I bashkon një gjë, pasioni për letërsinë, të shkruarit, dhe leximin.

U lexuan poezi nga më të bukurat, nga figura dhe profile të ndryshme, të befasoi ndoshta shkrimi I ndonjërit nga ta?

L A: Po gjithmonë në manifestim marrin pjesë pena të dëshmuara. Eshte vështirë të  përcaktohesh kur secili e ka mrekullinë dhe veçantinë e vet krijuese. Aty janë krijuesit e njohur nga breza krijuesish me përvojë dhe të rinj.

Në edicionin e këtij viti u përkujtua veprimtaria e  Sadudin Gjurës, i cili sipas Lindita Ahmetit është një  figurë e madhe rezistencës dhe njëri ndër krijuesit e parë që e nderuan gjuhën shqipe me veprat e tyre.

Përse këtë  vit vendosët të përkujtoni pikërisht veprimtarinë e Sadudin Gjurës?

L A: Sivjet u përcaktova për Sadudin Gjurën për shkak se ai është një  figurë e madhe rezistencës dhe njëri ndër krijuesit e parë që e nderuan gjuhën shqipe me veprat e tyre. I burgosur për qëndrimet e tij se populli shqiptar po shtypej, i ndjekur dhe i i persekutuar, ai përfundoi tragjikisht në stinë të dimrit në bjeshkët e Sharrit. Nuk dihet si shkoi atje. E gjetën barinjtë trupin e tij të dekompozuar. Sadudin Gjura eshte simbol i rezistencës, luftëtar për liri dhe për zhvillimin e letërsisë shqipe dhe ai është martir i kësaj kauze. Duhej të bëjmë diçka që të afirmohet ky emër i rëndësishëm i letrave shqipe.

A mendoni se këto organizime po ndikojnë në cilëndo formë që sado pak të ngritin nivelin apo vetëdijesimin e të lexuarit tek popullata në përgjithësi?

L A: Jo. Nuk mendoj ashtu. Këto manifestime bëhen për publikun e gjerë. Ta shijojnë edhe ata  bukurinë e artit. Ndërkaq leximi është tjetër punë. Nevojën për lexim e ngrenë familja dhe arsimi. Veçmas arsimi. Sa më shumë arsimtarë të përkushtuar, aq më shumë do të kemi lexues nëpër bibliotekat tona. Natyrisht janë me rëndësi edhe kushtet ekonomike. Libri sot nuk është i lirë për kushtet në të cilat jeton populli ynë, kurse varfëria i largon njerëzit nga leximi.

Nikoqir i ngjarjes “SHKUPI LEXON”  është Qendra Informative Kulturore. Drejtoresha e këtij institucioni, znj. Sermine Purrini, e cila që nga fillimi jep përkrahjen e saj të pa rezervë, thekson që ky është një sukses i kulturës pasiqë nxit interesimin e talentëve të rinj për të vazhduar punën letrare.

S P: Manifestimin Shkupi Lexon e konsideroj si sukses kulturorë të të gjithë neve dhe shpresoj se është një shkaktar që nxit interesimin e talentëve të rinj, ta vazhdojnë punën letrare.  Ne si institucion bëmë që ky manifestim të mbetet tradicional në mënyrë që në vazhdimësi të jepet kontribut për ruajtjen e kultivimin e fjalës së shkruar e të bukur letrare këtu në Maqedoni. Dua ta falënderoj edhe personin kryesorë të këtij eventi, Lindita Ahmetin për kontributin e saj të palodhur e cila çdo vjet u angazhua që të kujdeset për çdo imtësi të manifestimit.

Tanimë gjashtë vite me radhë zhvillohet  “Shkupi Lexon”  ndërsa interesimi dukshëm rritet çdo vit. Ajo mbetet një ndër ngjarjet me rëndësi të veçantë kulturore në vend ku profile nga më të ndryshmet prezantojnë aftësitë e tyre e të shkruarit poezi si dhe krijohet një lloj bashkëpunimi mes krijuesve me përkrahjen e njëri tjetrit.

GAZETARE: FJOLLA TELAI

Leave a Reply

Your email address will not be published.