T’shenjtnume

T’shenjtnume
Në shi
po ndez qiri
një minut heshje për heshtjen e tejzgjatun,
të ndjell vdekjen e njëmij vdekjeve të varrosuna në heshtje .
Në shi
po ndez qiri përkujtimi
për harresat që kujtesa mi fanit në dasma
n’krismë a n’kang
un jam nusja e përbuzun.
Në shi
po ndez qiri për njëmij flakët e gjymtyrve të pafuqishme
që u dogjën në përplitjet e fundit
për dek’
se deka e ambel asht kur të vritet buzqeshja
në djers të ftofta para gjamës së fundit
që më oshëtin përjetsisht mbi jetën.
Në shi
po ndez nji qiri për dritën
në tunelin e përhumbun ku zvarritem
në rreckat e lirisë pa emer
që robnue m’ka.
( vajzave të dhunuara gjatë luftës)
Arlinda Baftiu- Gazetare dhe poete

Leave a Reply

Your email address will not be published.