MAJLINDA KELMENDI DEKOROHET NGA PRESIDENTJA OSMANI ME URDHRIN “SHOTË GALICA”

Në një ceremoni të organizuar me rastin e pensionimit të Majlinda Kelmendit nga sporti aktiv, ikona e sportit të Kosovës dekorohet me urdhrin “Shotë Galica” nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila tha se Majlinda me forcën e pathyeshme e me sukseset e njëpasnjëshme ishte dhe vazhdon të jetë frymëzim për vajzat e Kosovës dhe përtej Kosovës.

Ajo me të drejtë cilësohet si legjendë e sportit të xhudos. Me të drejtë konsiderohet heroinë e Kosovës. Me tri dekada të jetës së saj, Majlinda u bë fytyra e Kosovës së sotme, që e bëri shtetin tonë të tillë çfarë e duam. Majlinda Kelmendi është më shumë sesa çmimet që fitoi. Pa Majlindën e guximin e saj për pushtimin e horizonteve të reja, pa modelin që ua dha të rinjve tanë, nuk do të kishim sot Distrian, Norën dhe shumë vajza tjera”, ka theskuar Osmani në fjalimin e saj transmetojnë mediat kosovare.

E kapluar nga emocionet dhe me lot në sy Majlinda Kelmendi duke shprehur falënderimet e saj tha se ka qenë privilegj shumë i madh për të, ta përfaqësojë Kosovën.

Falënderim shumë i madh nga zemra shkon për vendin tim, për popullin tim që më ka përkrahur gjithmonë pa kusht. E di se unë jam për ju heroinë, e di se më krahasoni me Nënë Terezën apo Adem Jasharin, por besoni motivi më i madh për të arritur këtu jeni ju. Kam punuar gjithmonë 200 për qind, e kam dhënë më shumë se maksimumin prej vetes, mos me ju zhgënjy e me ju bë krenar. Shpresoj shumë se ia kam arritur. Shpresoj shumë se ju kam bërë krenar, ju kam sjellë lot gëzimi e në momente të caktuara edhe lot hidhërimi. Ishte nder, krenari e privilegj shumë i madh për mua të ju përfaqësoj ju populli im. Jam mirënjohëse deri në frymën time të fundit dhe jua dua pa fund”, ka thënë Kelmendi.

Agron Kuka, kryetar i Federatës së Xhudos së Kosovës, me këtë rast duke shprehur mirënjohjen e tij u shpreh se Majlinda e ka drejtuar Kosovën drejt triumfeve edhe në shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën.

Nuk po më besohet se kaluan 20 vjet, 20 vjet karrierë sportive, punë, djersë, sakrificë. 20 vjet pa pushuar. Je ti Majlinda që gjatë këtyre viteve na drejtove drejt triumfit të Kosovës edhe në shtetet që nuk na njihnin. Ti jo vetëm që e bëre krenar shtetin tënd, por edhe u bëre udhërrëfyese edhe për kampionet tjera. Uroj dhe besoj se puna jote në profesionin tënd të ri, do t’i sjellë Kosovës suksese me gjenerata të reja”, ka thënë Kuka.

Majlinda po pensionohet me një ceremoni shtetërore, ndonëse ajo i ka dhënë fund karrierës si xhudistë aktive pas Lojërave Olimpike “Tokio 2020”. Kelmendi ka fituar në sportin e xhudos çdo gjë që mund të fitohet, përfshirë të artën olimpike në Rio, dy të arta botërore e katër evropiane. Ajo është tërhequr nga sporti i xhudos pas Lojërave Olimpike në Tokio këtë vit ku u eliminua në rrethin e parë. Kelmendi karrierën do ta vazhdojë si trajnere./Ajo.mk

Leave a Reply

Your email address will not be published.