30 NXËNËS VAKSINOHEN ME NJË SHIRINGË TË VETME ME VAKSINËN ANTI-COVID
Një zyrtar shëndetësor po hetohet për vaksinimin e 30 nxënësve me një shiringë të vetme në shtetin qendror të Indisë, Madhya Pradesh, raporton BBC. Ngjarja ndodhi në një shkollë në distriktin Sagar ku fëmijëve u jepeshin vaksinat kundër Covid-19.
Ministria e Shëndetësisë e Indisë mandaton një protokoll “një gjilpërë, një shiringë, vetëm një herë” për vaksinat Covid-19 dhe ka administruar mbi 2.03 miliardë vaksina kundër Covid-19 deri më tani. Shiringat e njëpërdorimshme përdoren gjerësisht në Indi për të shmangur përhapjen e sëmundjeve vdekjeprurëse si HIV. Megjithatë, ka pasur incidente të shumta në të kaluarën ku një shiringë e vetme është ripërdorur në spitale për shkak të mungesës së pajisjeve.
Jitendra Rai, i cili po vaksinonte fëmijët, tha për mediat se atij i ishte dhënë vetëm një shiringë nga departamenti i shëndetësisë dhe ai thjesht po zbatonte urdhrat. Prindërit që kishin shoqëruar fëmijët e tyre e vunë re këtë problem dhe e raportuan tek autoritetet e shkollës. Ndaj tij Drejtoria e Shëndetësisë ka regjistruar një rast nga pakujdesia. Ndërkohë, ka nisur një hetim edhe ndaj zyrtarit përgjegjës për dërgimin e pajisjeve për aksionin e vaksinimit.
India është vendi i dytë pas Kinës që ka kaluar kufirin e dy miliardë vaksinave kundër Covid 19. Në Korrik qeveria indiane njoftoi një program 75-ditor falas të dozës përforcuese të Covid-it për të gjithë të rriturit për të shënuar 75 vjetorin e pavarësisë së Indisë.
Sipas ministrisë së shëndetësisë të Indisë, 98% e të rriturve kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës Covid 19, ndërsa 90% janë vaksinuar plotësisht.
Leave a Reply