AMNESTY INTERNATIONAL KRITIKON LIDERËT PËR THELLIMIN E PABARAZIVE NË BOTË

AMNESTY INTERNATIONAL KRITIKON LIDERËT PËR THELLIMIN E PABARAZIVE NË BOTË

Organizata Amnesty International ka kritikuar liderët botërorë dhe titanët e korporatave për vendosjen e fitimit dhe pushtetit përpara njerëzve dhe se kanë “tradhtuar” premtimet e tyre për një rimëkëmbje të gjerë globale nga pandemia e virusit korona. Në raportin vjetor, të publikuar më 29 mars, kjo organizatë e të drejtave të njeriut akuzoi liderët politikë dhe të biznesit për “premtime të rreme” për nxjerrjen e botës nga pandemia, duke e komplikuar situatën me “dështimin e tyre të plotë” për t’u marrë me një numër në rritje të konflikteve dhe në vend të kësaj për “mbjelljen e farave për përshkallëzim të mëtejmë”.

“Lider pas lideri dhanë premtime për të ndërtuar një jetë më të mirë, për të adresuar pabarazitë e thella që përkeqësuan ndikimin e pandemisë”, tha Agnès Callamard, sekretare e përgjithshme Amnesty International. “Në vend të kësaj, ata kanë paraqitur një fabul tragjike të tradhtisë dhe lakmisë së bashku me titanët e korporatave. Ndërsa kjo ka ndodhur në mbarë botën, efektet kanë qenë më të dëmshme për komunitetet e margjinalizuara, duke përfshirë edhe ato që gjenden në vijën e parë të varfërisë endemike”.

Amnesty International tha se shpërndarja e shpejt e vaksinave kundër COVID-19 dështoi dhe shtetet e pasura, përfshirë ato të Bashkimit Evropian, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara “u furnizuan me më shumë doza sesa iu duheshin, duke mbyllur sytë teksa kompanitë e mëdha farmaceutike vendosën fitimet para njerëzve”. Ky grup i të drejtave të njeriut tha se dështimi për të pasur një përgjigje globale ndaj pandemisë ndihmoi në krijimin e kushteve për konflikt më të madh dhe padrejtësi më të madhe, duke përmendur paralizën e krijuar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që sipas AI, dështoi të veprojë për mizoritë në Mianmar, për shkeljet e të drejtave të njeriut në Afganistan dhe për krimet e luftës në Siri.

“Në vetëm pak padrejtësi pati përgjigje ndërkombëtare, në pak raste pati drejtësi dhe llogaridhënie”, tha Callamard. “Në vend të kësaj, konflikti u zgjerua. Me kalimin e kohës, ndikimet e tij u përkeqësuan. Numri i palëve ndërhyrëse u rrit. Nisën konflikte të reja. Armë të reja u testuan. U rrit numri i vdekjeve dhe plagosjeve. Jeta u përçmua. Stabiliteti global erdhi në prag” të humnerës. Amnesty po ashtu theksoi se më 2021 ka pasur shtypje të zërave të pavarur dhe kritikë, pasi qeveritë përdorën “një gamë të gjerë mjetesh dhe taktikash”.

Në raport po ashtu përmendet aplikimi i teknologjisë për njohjen e fytyrës në Rusi për të arrestuan protestuesit paqësorë si një shembull se si qeveritë përdorin teknologjinë për të shtypur zërat kritikë. Ndërkaq, në shtetet si Kina dhe Irani, u ndalua qasja në internet në mënyrë që njerëzit të mos mund të publikonin informacione për represionin.

“Në vend se të krijohej hapësirë për diskutime dhe debate që ishin të nevojshme për t’u përballur me sfidat e vitit 2021, shumë shtete dyfishuan përpjekjet për të mbytur zërat kritikë”, shtoi Callamard.

Pavarësisht premtimeve për të kundërtën, pothuajse në çdo vendim, liderët dhe korporatat zgjodhën rrugën jotransformuese, duke zgjedhur që të thellojnë në vend se të luftojnë pabarazitë sistematike pas pandemisë. Megjithatë, njerëzit në mbarë botën e kanë bërë të qartë se duan një botë më të drejtë, të bazuar në të drejtat e njeriut, shtoi ajo./Ajo.mk

Leave a Reply

Your email address will not be published.