A ËSHTË E RREZIKSHME PËR AVIONËT TEKNOLOGJIA 5G?

A është e rrezikshme për avionët teknologjia 5G?

Kompanitë amerikane të telekomit dhe kompanitë ajrore për javë të tëra po luftojnë mbi ndikimin e mundshëm të shërbimeve të gjeneratës së re të komunikimeve (5G) në aeroplanë, që është e kundërta e asaj që po ndodh me shtrirjen e 5G-së në vendet tjetra, teksa kjo teknologji po përdoret pa shfaqur shqetësime të reja të sigurisë. Më poshtë mund të mësoni lidhur me mosmarrëveshjen, pasi më 3 janar, kompanitë Verizon Communications dhe AT&T u pajtuan që të shtynin për dy javë përdorimin e kësaj teknologjie, duke u tërhequr nga një bllokim që kërcënonte të shkaktonte ndërprerje të fluturimeve. Marrëveshja premton që të shmangë shumicën, por jo të gjitha ndërprerjet e mundshme në udhëtimet ajrore nga vendosja e teknologjisë 5G.

Cili është problemi?

Shtetet e Bashkuara në fillim të vitit 2021 nxorën në ankand për rreth 80 miliardë dollarë frekuencat e intervalit të mesëm për kompanitë e telefonisë mobile në intervalin 3.7-3.98 GHz (giga herz) në spektër, i njohur si C-Band. Pse kjo është e rëndësishme për aviacionin? Pajisjet që masin lartësinë ndihmojnë në uljen e rrezikut të aksidenteve apo përplasjeve mes avionëve, pasi ato japin lexime të sakta të afërsisë së një avioni me tokën. Këto të dhëna po ashtu përdoren për të lehtësuar aterrimet e automatizuara dhe për të shmangur rrymat e rrezikshme ajrore.

Çfarë dallimi bën frekuenca?

Thënë shkurt, sa më e lartë të jetë frekuenca në spektër, aq më i shpejtë është shërbimi. Pra, në mënyrë që të marrin vlerën e plotë nga 5G, operatorët duan që të operojnë në frekuencat më të larta. Disa nga spektri C-Band, që janë shitur në ankand në SHBA, ishin përdorur për radio satelitore, por kalimi në 5G nënkupton se do të ketë shumë më tepër trafik. AT&T dhe Verizon janë pajtuar që të krijojnë zona ku do të ndalohet përdorimi i 5G në shumë aeroporte amerikane, njëjtë sikurse ishte vepruar në Francë për gjashtë muaj.Zyrtarët e FFA-së kanë theksuar se spektri i përdorur nga Franca (3.6-3.8 GHz) është shumë larg spektrit (4.2-4.4 GHz) që përdoret nga pajisjet për matjen e lartësisë në SHBA dhe se fuqia e 5G-së që përdoret në Francë gjithashtu është më e ulët sesa niveli i autorizuar në Shtetet e Bashkuara. Por, Verzion tha se nuk do të përdorë spektër që është afër spektrit që përdorë Franca tash e disa vjet.

A është ky problem edhe diku tjetër?

Pas disa vitesh diskutimesh ndërkombëtare, më 2019 Bashkimi Evropian vendosi standarde për frekuencat e intervalit të mesëm 5G, në intervalin 3.4-3.8 GHz. Ajo janë nxjerrë në ankand dhe janë vendosur në përdorim në shumicën e 27 shteteve të bllokut evropian, pa asnjë problem. Agjencia e Sigurisë së Aviacionit të Bashkimit Evropian (EASA), që mbikëqyrë 31 shtete, tha më 17 dhjetor 2021 se diskutimi i fundit ishte specifik për hapësirën ajrore të SHBA-së.

“Në këtë fazë, asnjë ndërhyrje e pasiguritë nuk është identifikuar në Evropë”, tha Agjencia.

Grupet e industrisë së aviacionit amerikan, në muajt e fundit, ngritën shqetësimet dhe Administrata Federale e Aviacionit (FAA), në nëntorin e vitit të kaluar lëshoi një paralajmërim zyrtar lidhur me rrezikun e ndërhyrjes me pajisjet e fluturimit. Në industrinë e linjave ajrore, pajisjet që masin lartësinë, operojnë me intervalin 4.2-4.4 GHz dhe ka shqetësime se nuk ka hapësirë të mjaftueshme ndërmjet frekuencave që të përdoren nga kompanitë e telekomit. Kompanitë janë përballur me presion nga Shtëpia e Bardhë, kompanitë ajrore dhe shoqatat e aviacionit, që kanë kërkuar vendosjen e teknologjisë pas shqetësimeve se 5G mund të ndërhyjë në pajisjet e ndjeshme elektronike të avionëve, siç janë pajisjet për matjen e lartësisë.

Në Korenë e Jugut, frekuenca e komunikimit të telefonave 5G është 3.42-3.7GHz dhe nuk ka pasur asnjë raportim për ndërhyrje në valë të radiove që nga komercializimi i 5G në prill të vitit 2019. Aktualisht stacionet për komunikim me telefon që kanë teknologjinë 5G funksionojnë pranë aeroporteve dhe nuk ka pasur raportime se një gjë e tillë ka shkaktuar probleme.CTIA, një grup amerikan i tregtisë për shpërndarjen e valëve, në një dokument dërguar Komisionit Federal të Komunikimeve tha se “transportuesit në 40 shtete në Evropë dhe Azi tani përdorin C-Band për 5G dhe nuk kanë raportuar se ka pasur ndonjë ndërhyrje në pajisjet që matin lartësinë që operojnë me të njëjtat intervale të frekuencave 4.2-4.4 GHz, interval i përcaktuar ndërkombëtarisht”. Ky grup po ashtu shtoi se “çdo ditë, avionët amerikanë transportojnë mijëra shtetas amerikanë, aterrojnë në këto shtete pa asnjë problem dhe pa shqetësime nga FAA apo rregullatorët e huaj të aviacionit./REL

Leave a Reply

Your email address will not be published.