BURRI VRET GRUAN NË LLAUSHË TË SKENDERAJT. REAGON MINISTRJA HAXHIU DHE OJQ-TË

BURRI VRET GRUAN NË LLAUSHË TË SKENDERAJT. REAGON MINISTRJA HAXHIU DHE OJQ-TË

51-vjeçari Skender Qerimaj ka vrarë bashkëshorten e tij Lirije Qerimaj në Llaushë të Skenderajt. Pesë ditë para vrasjes, më 1 janar, 48-vjeçarja Lirije Qerimi kishte raportuar në polici për dhunën fizike që dyshohej se i shkaktonte bashkëshorti i saj Skender Qerimi. Policia kishte njoftuar për këtë rast edhe prokuroren kujdestare që ishte Stojanka Kasaloviq. Viktima kishte thënë në Polici në Skenderaj se bashkëshorti po përdorte dhunë vazhdimisht por ishte e pajtimit që mos të ndahet nëse ai nuk ushtron më dhunë ndaj saj. E po ashtu ajo kishte kërkuar edhe urdhërmbrojtje sepse nuk e dinte ku do të shkonte nëse burri do e largonte nga shtëpia.

Por më 5 janar rreth orës 13:47, policia ishte njoftuar për një rast të dhunës në familje në fshatin Llaushë të Skenderajt. Kur kishte pranuar informacionin policia, ishte kërkuar që të njoftohet edhe Emergjenca në QKMF. Në vendin e ngjarjes njësia patrulluese që kishte marrë informacionin kishte gjetur 48-vjeçaren me inicialet L.Q., të plagosur nga arma e zjarrit. Gruaja ishte dërguar me plagë në emergjencë e më pas në Spitalin Rajonal ndërsa rreth orës 14:40 pra më shumë se një orë pasi kishte ndodhur ngjarja, e njëjta ka vdekur si pasojë e plagëve të marra. Rreth orës 14:00, burri ishte dorëzuar në polici dhe kishte pranuar se ka vrarë gruan e tij. Ai ishte futur brenda stacionit policor dhe ka dorëzuar një pistoletë të tipit “Zoraki M 906-B” dhe një karikator me tre fishekë. Rasti është iniciuar si vrasje e rendë ndërsa i dyshuari Skender Qerimaj është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Lidhur me këtë vrasje ka reaguar ministrja e drejtësisë Albulena Haxhiu, e cila thotë se sipas informatave zyrtare, prokurorja kujdestare ka kërkuar që rasti  të kualifikohet si “Dhunë në Familje” por edhe përkundër kësaj kishte kërkuar që rasti të procedohet në procedurë të rregullt pra që dhunuesi të mbetet i lirë! “Edhe përkundër kërkesave të vazhdueshme që të mos ketë tolerancë ndaj rasteve të dhunës në familje pra që dhunuesit të shkojnë prapa grilave, sërish neglizhohen këto raste të ndjeshme” ka thënë Haxhiu. Edhe sa gra duhet të vriten nga bashkëshortët, në mënyrë që të ketë veprime dhe reagime të menjëhershme në rastet e dhunës në familje?, pyet ministrja kosovare e drejtësisë. “Për vrasjen e rëndë në Llaushë të Skenderajt janë përgjegjës institucionet prandaj përveç dënimit maksimal për vrasësin, urgjentisht duhet të ndërmerren masa disiplinore e penale ndaj të gjithë atyre që nuk mbrojtën jetën e të ndjerës. Nuk kanë vend në institucione këta njerëz!” thotë ministrja Haxhiu.

Ndërsa OJQ “Gratë Intelektuale të Drenicës” duke dënuar vrasjen e Lirije Qerimaj kanë thirrur protestë kundër dhunës dhe vrasjes së grave. “Ne si gra kërkojmë dënim maksimal për dorasin”, thonë nga kjo organizatë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.