HETIME PËR 26.800 RASTE TË KEQPËRDORIMIT TË NDIHMAVE GJATË PANDEMISË NË GJERMANI

HETIME PËR 26.800 RASTE TË KEQPËRDORIMIT TË NDIHMAVE GJATË PANDEMISË NË GJERMANI

Në Gjermani kanë nisur hetimet për më shumë se 26.800 raste kundër personave të dyshuar se kanë përfituar me mashtrime ndihma nga fondi urgjent për pandeminë. Prokurorët gjermanë kanë nisur hetime në më shumë se 26,800 raste për mashtrime me ndihmat urgjente për pandeminë dhe pritet që të ketë edhe shumë më tepër raste të tilla. Deri tani përllogaritet se dëmi shkon në më shumë se 217 milionë euro, njofton gazeta Handelsblatt.

Truket e mashtruesve janë të ngjashme: Për të marrë ndihmë urgjente në kuadër të ndihmës për shkak të pandemisë, mashtruesit bënin kërkesë për fonde ndihme për sipërmarrje dhe kompani që në momentin kur qeveria shpalli programin e ndihmave nuk ekzistonin më. Sipërmarrës të tjerë kanë aplikuar në emër kompanish ekzistuese, por i transferuan paratë nga subvencionet në llogaritë e tyre private ose në llogari të kompanisë, por i kanë përdorur për qëllime private, në kundërshtim me rregulloren për ndihmat urgjente për virusin Korona.

Prokuroria e Bremenit njofton për një mashtrim të veçantë i cili ka shkaktuar bujë: mashtruesit postonin në internet shpallje pune për pozicione që nuk ekzistonin. Me ndihmën e të dhënave personale të mbledhura nga punëkërkuesit, ata aplikonin në emër të tyre për fonde ndihme për Koronën.

Rastet më të shumta të mashtrimeve janë në Berlin, njofton DW. Grupi hetimor i përbërë nga 30 vetë po heton aktualisht 8.672 raste. Për shkak të mungesës së kapaciteteve janë ende në pritje hetimet për mbi 9,000 raste të tjera dyshimesh për mashtrime për të marrë ndihmë urgjente për Koronën. Sipas shefes së policisë të Berlinit, Barbara Slowik, 285 raste ishin të lidhura edhe me spektrin islamik. Dëmi i shkaktuar ndaj shtetit prej mashtrimeve të mësipërme në Berlin është mbi 118 milionë euro, apo më shumë se gjysma e dëmit në mbarë Gjermaninë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.