ITSHKSH SHPALL VITIN 2022 “VIT I DREJTSHKRIMIT DHE GJUHËS SHQIPE STANDARDE”

ITSHKSH SHPALL VITIN 2022 “VIT I DREJTSHKRIMIT DHE GJUHËS SHQIPE STANDARDE”

Këshilli i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve me propozim të drejtorit të Institutit, Skender Asani, në mbledhjen e sotme ka marrë vendim që duke qenë në 50-vjetorin e organizimit të Kongresit të Drejtshkrimit – viti 2022 të shpallet “Viti i Drejtshkrimit dhe gjuhës shqipe standarde”.

Po ashtu, në frymë të bashkëpunimit tashmë të ngritur ndërmjet ITSHKSH-së, Akademisë së Studimeve Albanologjike–Tiranë dhe Institutit Albanologjik – Prishtinë u theksua që Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve është bartës i aktiviteteve për shënimin e këtij përvjetori për Maqedoninë e Veriut.

Me këtë rast, duke diskutuar për rëndësinë e këtij përvjetori jo vetëm për gjuhën standarde, por edhe për konsolidimin e kombit shqiptar në Maqedoni, që ka vijuar pas Kongresit të Drejtshkrimit, Këshilli i Institutit vendosi që t’i dekorojë postmortum tre pjesëmarrësit e këtij kongresi nga Maqedonia e Veriut: Remzi Nesimi, Petro Janura dhe Sejfedin Sulejmani, thuhet në njoftimin e ITSHKSH-së, transmeton ajo.mk. Njëherit duke i nderuar edhe pjesëmarrësit e tjerë të këtij kongresi, Këshilli, sic theksohet, vendosi që t’i dekorojë edhe dy nga pjesëmarrësit e gjallë, njëherazi bashkëpunëtorë shkencor të Institutit, prof. Xhevat Lloshi dhe prof. Emil Lafe që të dy nga Tirana.

Motivacioni i këtyre dekoratave do të jetë: “Për kontributin e dhënë në Kongresin e Drejtshkrimit dhe në studimin, afirmimin dhe mbrojtjen e gjuhës shqipe standarde”.

Dekoratat do të ndahen në kuadër të Ditëve të Alfabetit, që çdo vit mbahen më 14-22 nëntor në ITSHKSH-Shkup.

Leave a Reply

Your email address will not be published.