KONSUMIMI I LULESHTRYDHEVE SJELL DOBI NË SHËNDETIN TUAJ. MËSONI PSE?

LULESHTRYDHET FRUTAT PRANVERORE, TË SHIJSHME DHE TË SHËNDETSHME TË CILAT KULTIVOHEN EDHE NË VEND

Dredhëzat apo luleshtrydhet janë fruta tipike të pranverës, prandaj tani është koha e duhur për t’i konsumuar. Ky frut i vogël i kuq është aq i shijshëm ndërsa edhe për organizmin ka përfitime të shumta. Për shkak të periudhës në të cilën kultivohen preferohet që nga fillimi i pranverës deri në mesin e verës të konsumoni dredhëza. Ato rriten edhe në vendin tonë, gjegjësisht në rrethin e Shkupit.

Në këtë kohë e gjeni të freskët edhe në tregjet dhe marketet e vendit. Në tregun e Bitpazarit në Shkup, shiten me çmim prej 150 denarësh (2,50 euro) kilogrami.

“Kultivuesit e rajonit të Dervenit, Karshiakës, apo Straçincës, i mbledhin dredhëzat në orët e hershme të mëngjesit për ti sjellë të freskëta në treg”, thotë Salimi, tregtar në tregun e Bitpazarit. Shton se “Përveç për konsum të menjëhershëm shkupjanët i blejnë edhe për reçel, apo për ti ruajtur të ngrira”.

Nëse vendosni ta blini këtë frutë bëni kujdes që ambalazhi të mos përmbajë lagështi apo ndonjë nga frutat të mos jetë prishur, sepse rrezikon të prishë edhe të tjerat shumë shpejt. Nëse luleshtrydhja ka pjesë të bardha ose jeshile, do të thotë se është ende e papjekur; nëse ngjyra është një kuqe e errët, kjo do të thotë që duhet të konsumohen në një kohë të shkurtër, sepse ajo është pjekur mjaft. Sa i takon madhësisë së frutës, preferohen ato të madhësisë mesatare sepse janë më të shijshme se sa të mëdhatë. Luleshtrydhet e ngrira janë po aq të shëndetshme sa ato të freskëta.

Ja pesë arsye përse duhet t’i konsumojmë luleshtrydhet:

  1. Ndihmojnë të dobësoheni.

Përveç se janë tepër të shëndetshme, kjo frutë mund të konsiderohet aleati kryesor për mbajtjen e linjave. Falë përmbajtjes së lartë me fibra, përveçse ndihmojnë aparatin tretës, rrisin edhe ndjenjën e ngopjes.  Konsiderohet frutë diuretike që ndihmon për të eliminuar lëngjet e tepërta dhe luftojnë në mbajtjen hidrike të organizmit sepse janë të përbëra prej rreth 90% ujë.

  1. Tetë luleshtrydhe përmbajnë më shumë vitaminë C se sa një portokall.

Luleshtrydhet janë të pasura me antioksidantë, të cilët na mbrojnë nga efektet e dëmshme të mjedisit mbi trupin tonë, veçanërisht dëmet e shkaktuara nga dielli. Fuqia antioksiduese e gjetur te luleshtrydhet zgjat deri në 24 orë pas konsumit; kjo i bën ato aleate kundër dëmeve të radikaleve të lira.

        3. Janë aleat të kujtesës.

Luleshtrydhet janë një minierë e vërtetë me acid folik. Sipas një studimi të “Tufts University” të Bostonit, substancat e pranishme te ky frutë stimulojnë autofaginë, një proces përmes të cilit trupi vetë pastrohet nga toksinat, të cilat akumulohen edhe në tru duke parandaluar rënien e aftësisë njohëse që mund të çojë në sëmundje të rënda të tilla si Alzheimer.

  1. Kjo frutë e mrekullueshme, me ngjyrë të kuqe forcon zemrën, ul rrezikun e kancerit, përmirëson shikimin, parandalon alergjitë dhe qetëson dhimbjet.

Luleshtrydhet janë plot me fibra dhe vitaminë C. Ky frutë është gjithashtu i shkëlqyer për fëmijë që mësojnë dhe janë para testeve apo provimeve, pasi forcon shumë memorien e ngjarjeve të fundit. Një ndër atributet më interesante të luleshtrydheve, është edhe mbrojtja kundër helikobakterit – një mikrob që shkakton ulcerë në stomak dhe ka predispozitë për zhvillim kancerogjen të tij.

  1. Me luleshtrydhe “luftojmë” luhatjet e temperaturave.

Konsiderohet fruti ideal për t’u konsumuar si vakt i ndërmjetëm apo për të pasuruar sallatrat e ndryshme, pasi janë detoksifikues dhe diuretik. Luleshtrydhet janë burim i shkëlqyer i vitaminës C, po kështu përmban edhe antioksidantë të tjerë të cilët janë të dobishme për forcimin e sistemit imunitar.

Vlerat ushqyese: 

Luleshtrydhet përmbajnë sheqer, magnez, fosfor, kalcium, fibra, vitaminë A, B1, B2, K e C dhe “Xylitol”, substancë mike e zemrës, veshkave, metabolizmit dhe trurit. Kjo substancë e pranishme edhe te luleshtrydhet ndihmon shumë anemikët sepse ndihmon në përthithjen e hekurit, ndihmon në prodhimin e kolagjenit dhe në parandalimin e rrudhave, si dhe forcon kapilarët. Xylitoli, parandalon krijimin e smaltit dentar dhe erën e keqe të gojës.

Konsumimi i luleshtrydheve këshillohet të konsumohet veçanërisht te të sëmurët me veshka, pasi mban trupin tonë gjithmonë të hidratuar. Falë pranisë së lartë të acidit folik, luleshtrydhet ndihmojnë kujtesën. Përmbajnë fibra, të cilat rregullojnë aparatin tretës dhe mbajnë nën kontroll urinë. Falë disa substancave luleshtrydhet kanë aftësinë të veprojnë kundër radikaleve të lira, duke shërbyer kështu edhe si aleat kundër plakjes.

Kush nuk duhet ti konsumojë?

Nuk këshillohen të konsumohen nëse jeni alergjikë, sepse luleshtrydhet përmbajnë substancë e cila provokon reaksione të ndryshme alergjike. Po kështu duhen evituar nëse keni probleme me ulcerën, gastritin dhe kolitin.

Leave a Reply

Your email address will not be published.