NËNAT E REJA CAK I MARKETINGUT AGRESIV TË QUMËSHTIT FORMULË PËR FËMIJË-OBSH

 

NËNAT E REJA CAK I MARKETINGUT AGRESIV TË QUMËSHTIT FORMULË PËR FËMIJË-OBSH

Gratë shtatzëna në mbarë botën janë të ekspozuara ndaj marketingut agresiv të qumështit formulë për fëmijë, thotë një raport i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH). Raporti jep detaje për praktikat shfrytëzuese të marketingut të përdorura nga industria e qumështit formulë për foshnjat dhe tregon se prindërit, veçanërisht nënat, po targetohen në mënyrë tinëzare dhe të vazhdueshme në internet. Në raportin e ri të OBSH-së me titull “Shtrirja dhe ndikimi i strategjive të marketingut digjital për promovimin e zëvendësuesve të qumështit të gjirit” përshkruan teknikat e marketingut digjital të krijuara për të ndikuar te vendimet që marrin familjet e reja se si të ushqejnë foshnjat e tyre. Nëpërmjet mjeteve si aplikacionet, grupet virtuale ose “klubet e foshnjave”, influencuesit me pagesë në rrjete sociale, konkurset dhe forumet ose shërbimet e këshillimit, kompanitë e qumështit formulë për foshnjat mund të blejnë ose mbledhin informacione personale dhe t’u dërgojnë paketa të personalizuara grave dhe nënave të reja. Kompanitë e qumështit formulë për foshnja postojnë përmbajtje në llogaritë e tyre të rrjeteve sociale rreth 90 herë në ditë, duke arritur në 229 milionë përdorues; që përfaqëson tre herë më shumë njerëz sesa ata që arrihen nga postimet informuese për ushqyerjen me gji në llogaritë jokomerciale.

“Promovimi i formulave komerciale të qumështit duhet të kishte përfunduar dekada më parë,” tha Dr. Francesco Branca, Drejtor i Departamentit të Ushqyerjes dhe Sigurisë Ushqimore të OBSH-së.

Fakti që kompanitë e qumështit të formulave tani po përdorin teknika marketingu edhe më të fuqishme dhe tinëzare për të rritur shitjet e tyre është i pafalshëm dhe duhet të ndalet. OBSH thekson se përhapja e marketingut global dixhital të qumështit formulë shkel Kodin Ndërkombëtar të Marketingut të Zëvendësuesve të Qumështit të Gjirit, i cili u miratua nga Asambleja Botërore e Shëndetit në vitin 1981. Kodi është një marrëveshje historike për shëndetin publik, i krijuar për të mbrojtur publikun dhe nënat nga praktikat agresive të marketingut nga industria e ushqimit formulë për fëmijë që ndikojnë negativisht te ushqyerja me gji.

Sipas OBSH-së, ushqyerja me gji është mënyra më e mirë për t’u siguruar foshnjave lëndët ushqyese që u nevojiten për rritje dhe zhvillim të shëndetshëm dhe mund të parandalojë 13% të vdekjeve të fëmijëve. Ushqyerja me gji gjithashtu vepron si vaksina e parë e foshnjave, duke i mbrojtur bebet nga shumë sëmundje të zakonshme të fëmijërisë./Ajo.mk

Leave a Reply

Your email address will not be published.