Pandemia e COVID-19 e ka përkeqësuar gjendjen e sigurisë së grave në shtëpitë e tyre por ato nuk ndjehen më të sigurta edhe në hapësirat publike, thuhet në raportin e ri të OKB-së të përgatitur nga zyra e Kombeve të Bashkuara për gratë, UN Women. Në raport sipas statistikave të fundit thuhet se përafërsisht 1 në tre gra janë abuzuar gjatë jetës së tyre ndërsa një në dy gra kanë pranuar që ato vetë apo ndonjë grua që njohin kanë qenë viktima të dhunës gjatë pandemisë.

Në një ngjarje virtuale për të shënuar Ditën Ndërkombëtare për luftën kundër dhunës ndaj grave, shefja e UN Women Sima Bahous e përshkroi dhunën në bazë gjinore (GBV) si “një krizë globale”.

“Në të gjitha vendet ka gra dhe vajza të cilat jetojnë në rrezik. Në botë, konfliktet, fatkeqësitë natyrore të lidhura me klimën, pasiguria ushqimore dhe shkeljet e të drejtave të njeriut, të gjitha kontribuojnë në dhunën ndaj grave ”, tha ajo.

Si në vendet e pasura ashtu edhe në ato të varfra, paragjykimi gjinor ka nxitur akte dhune ndaj grave dhe vajzave. Sima Bahous thotë që kjo formë e dhunës shpesh kalon pa u raportuar, në heshtje nga stigma, turpi, frika nga autorët dhe frika nga një sistem i drejtësisë i cili nuk funksionon për gratë. Shton që COVID-19 ka shkaktuar dhunën në bazë gjinore në mënyre shqetësuese.

“Pandemia e COVID-19, që bëri të nevojshëm izolimin dhe distancimin shoqëror, mundësoi një pandemi të dytë në hije të dhunës ndaj grave dhe vajzave, ku ato shpesh u gjendën në izolim me abuzuesit e tyre. Të dhënat tona të reja nënvizojnë urgjencën e përpjekjeve të bashkërenduara për t’i dhënë fund kësaj gjendjeje,” tha Bahous.

Rreth 1 në 4 gra ndihen më pak të sigurta në shtëpi, ndërkohë që konflikti ekzistues është rritur brenda familjeve që kur filloi pandemia, thotë raporti i bazuar në të dhënat e anketave nga 13 vende . 21 për qind e grave kanë përmendur abuzimin fizik si një nga arsyet që i bënte të ndjeheshin të pasigurta në shtëpi ndërsa 40 përqind e të anketuarave thonë se jashtë shtëpisë ndjehen më të ekspozuara ndaj dhunës. Që nga fillimi i pandemisë ndjehen shumë më pak të sigurta kur ecin vetëm natën.

Pandemia e Covid 19 ka ndikuar edhe në rritjen e ngacmimit seksual në hapësirat publike. Faktorët rëndues socio-ekonomikë si vështirësitë financiare, punësimi, pasiguria ushqimore dhe marrëdhëniet familjare kishin gjithashtu një ndikim të madh, jo vetëm në ndjenjën e sigurisë apo tek dhuna, por edhe tek mirëqenia e grave në përgjithësi.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së António Guterres thotë se parandalimi i dhunës ndaj grave dhe vajzave nuk është i pamundur vetëm se vduhen programe dhe politika të duhura.

Dhuna ndaj grave nuk është e pashmangshme. Politikat dhe programet e duhura sjellin rezultate. Kjo do të thotë strategji gjithëpërfshirëse dhe afatgjata që të trajtojnë shkaqet themelore të dhunës, mbrojnë të drejtat e grave dhe vajzave dhe nxisin lëvizje të forta dhe autonome për të drejtat e grave. Ndryshimi është i mundur dhe tani është koha për të dyfishuar përpjekjet tona në mënyrë që së bashku, të mund ta eliminojmë dhunën ndaj grave dhe vajzave deri në vitin 2030”, theksoi Guterres.

Kryetari i Asamblesë së Përgjithshme Abdulla Shahid tha se një nga karakteristikat e dhunës në bazë gjinore është se ajo nuk njeh kufij social apo ekonomik dhe prek gratë dhe vajzat e të gjitha formave socio-ekonomike.

Kjo çështje duhet të trajtohet si në vendet në zhvillim poashtu edhe në ato të zhvilluara” deklaroi ai.

Raporti tregon se ndjenja e sigurisë tek gratë është zvogëluar duke sjellë pasoja të rënda negative për mirëqenien e tyre mendore dhe emocionale dhe vjen para fillimit të 16 ditëve të aktivizimit global kundër dhunës me bazë gjinore i cili zhvillohet nga 25 nëntori deri më 10 dhjetor.

Gazetare Leunora Kaliqi