RRITET NUMRI I KURORËZIMEVE POR EDHE I SHKURORËZIMEVE NË RMV
Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave (ESSH), numri i martesave në vitin 2021 është rritur për 29,8 për qind, krahasuar me një vit më parë, dhe ka arritur në 13,337 martesa. Më së shumti martesa, 1981 ose 14,9 për qind, janë lidhur në muajin gusht, dhe më së paku në muajin prill, 667 ose 5,1 për qind.
Më e shpeshta është martesa e parë me pjesëmarrje prej 94.0 për qind për femrat dhe 93.3 për qind për meshkujt. Sipas të dhënave statistikore, 6.2 për qind e numrit të përgjithshëm të martesave kanë lidhur martesë të dytë, dhe 0.6 për qind në martesë të tretë.
Numri më i madh i martesave është lidhur në grupmoshën nga 25 deri në 29 vjeç, përkatësisht 4 392 ose 32,9 për qind për gratë dhe 4 959 martesa ose 37,2 për qind për burrat.
Mosha mesatare në martesën e parë është 27.0 vjeç për nusen dhe 29.8 vjeç për dhëndrin.
Të dhënat e ESHS-së tregojnë se edhe vitin e kaluar numri i shkurorëzimeve është rritur për 25.2 për qind, përkatësisht janë regjistruar 1964 shkurorëzime.
Martesat më pak gjatë vitit shkurorëzohen në muajin gusht dhe më së shumti në dhjetor. Gjatë vitit, numri më i vogël i martesave, 70 ose 3,6 për qind, janë divorcuar në muajin gusht, dhe më shumë, 202 ose 10,3 për qind, në muajin dhjetor.
Sipas moshës, megjithatë, numri më i madh i divorceve ka ndodhur në grupmoshën nga 35 deri në 39 vjeç, 364 ose 18.5 për qind për gratë dhe 365 ose 18.6 për qind për burrat.
Sipas kohëzgjatjes së martesës, shumica e divorceve, 451 ose 23.0 për qind, kanë ndodhur nga 5 deri në 9 vjet pas lidhjes së martesës.
Sipas Entit Shtetëror të Statistikave, vitin e kaluar kanë lindur 18.648 foshnja, nga të cilat 9.531 janë meshkuj dhe 9.117 femra.
Leave a Reply