STREHOHET NË KOSOVË GAZETARJA E PARË NGA UKRAINA

STREHOHET NË KOSOVË GAZETARJA E PARË NGA UKRAINA

Lyudmila Makey është gazetarja e parë nga Ukraina e cila strehohet në Kosovë, bëri të ditur Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës. Makey, e cila është larguar nga Ukraina për shkak të pushtimit rus, do të vazhdojë punën e saj nga Kosova. Ajo punon për platformën Open Democracy. Arritja e saj në Kosovë është bërë në kuadër të programit “Gazetarët në Rezidencë në Kosovë”.

“Falënderoj shumë të gjithë juve që më keni mundësuar të vij në Kosovë. Ky program më mundëson që të mbetem në profesionin e gazetares. Jam thellësisht e prekur me faktin se si njerëz tërësisht të huaj dëshirojnë të na ndihmojnë. Besoj që bashkëpunimi ynë dhe solidariteti nga gazetarët tjerë është një hap i rëndësishëm drejt paqes”, tha gazetarja Lyudmila Makey pasi arriti në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Puna e gazetarëve në Ukrainë është e rrezikshme thot ajo, duke treguar se deri më tani, forcat ruse kanë vrarë 21 gazetarë. Programi “Gazetarë në Rezidencë në Kosovë”, është program i iniciuar nga Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias (ECPMF) dhe Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ), që mbështetet financiarisht nga Qeveria e Kosovës. Qeveria e Kosovës ka shprehur gatishmëri që të strehojë 20 gazetarë ukrainas për çka ka ndarë 150,000 euro.

Sipas AKG-së, ky program u mundëson gazetarëve ukrainas pagë mujore, akomodim në banesë, kushte për punë, kurse të gjuhës dhe të integrimit, si dhe ndihmë psiko-sociale sipas nevojës. Pas arritjes në Kosovë gazetarja ukrainase u prit edhe nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Leave a Reply

Your email address will not be published.