TRENI U KA MARR JETËN DY EMIGRANTËVE NË MAQEDONINË E VERIUT

TRENI U KA MARR JETËN DY EMIGRANTËVE NË MAQEDONINË E VERIUT

Dy emigrantë humbën jetën në jug të Maqedonisë së Veriut mëngjesin e të mërkurës kur një tren mallrash i goditi teksa flinin pranë shinave në errësirë. Siç ka bërë të ditur policia, ngjarja ka ndodhur gjatë natës në Miravci, një fshat afër kufirit me Greqinë. Policia nuk ka dhënë informacione mbi identitetin apo kombësinë e viktimave.

Në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut thuhet se të mërkurën në ora 02:20 në Stacionin Policor të Gjevgjelisë është raportuar se në linjën hekurudhore, ndërmjet stacionit hekurudhor Miravci dhe stacionit hekurudhor të Klisurës, një tren mallrash i cili udhëtonte në linjën Stacioni Hekurudhor Gjevgjeli – Ngarkesa Trubarevë, ka goditur dy persona të cilët kanë qenë të shtrirë në hekurudhë. Organet kompetente po punojnë për identifikimin e trupave të pajetë.

Emigrantët shpesh përdorin shinat hekurudhore si udhërrëfyes ndërsa në mënyrë klandestine nisen drejt Evropës qendrore. Një aksident i ngjashëm u mori jetën 14 emigrantë nga Afganistani dhe Somalia në vitin 2015-të. Policia tha se ka kapur qindra emigrantë në muajt e fundit pasi e ashtuquajtura rrugë ballkanike, e cila kalon përmes Maqedonisë së Veriut, është bërë më aktive pas heqjes së kufizimeve të udhëtimit nga COVID-19.

Leave a Reply

Your email address will not be published.