VALA E NXEHTË KAPLON SPANJËN, FRANCËN, PORTUGALINË DHE BRITANINË E MADHE
Më pak se një muaj pas valës së fundit të të nxehtit, të hënën temperaturat në Gadishullin Iberik dhe në Francë u rritën sërish në një nivel jashtëzakonisht të lartë për këtë periudhë të vitit, të cilat shënuan 42 gradë Celsius.
Sipas ekspertëve, shfaqja gjithnjë e më e shpeshtë e valëve të nxehtit është pasojë e drejtpërdrejtë e ndryshimeve klimatike, pasi intensiteti, kohëzgjatja dhe shpeshtësia e emetimeve të gazrave që shkaktojnë efektin serë dyshohet se janë në rritje. Nga ana tjetër, disa shkencëtarë janë më të prirur t’i atribuojnë ndryshimin e klimës një cikli në të cilin po hyn planeti.
Në Spanjë, temperatura më e lartë prej 43.3 gradë Celsius është matur në Candeleda në pjesën qendrore të vendit, tha shërbimi meteorologjik spanjoll Aemet. 42 gradë Celsius u matën në qytete të tjera në pjesën qendrore dhe jugore të vendit si Sevilja dhe Badajoz.
Kjo valë e re e nxehtësisë, e dyta në rreth tridhjetë ditë pas asaj në mes të qershorit, është “plotësisht e pazakontë” në një vend ku temperaturat e larta gjatë verës nuk janë të rralla, tha Ruben del Campo, një zëdhënës i Aemet.
Vala e të nxehtit filloi të dielën dhe mund të zgjasë “nëntë deri në 10 ditë, duke e bërë atë valën e tretë më të gjatë të të nxehtit në Spanjë që nga viti 1975”, tha Del Camp për AFP.
“Ndryshimet klimatike janë shkaku i valëve të nxehtit, më të shpeshta dhe më të forta”, vlerëson Del Campo, duke kujtuar se numri i tyre është dyfishuar në Spanjë në dymbëdhjetë vitet e fundit.
Vapa do të jetë më e forta mes të martës dhe të enjtes, paralajmëron Aemet, kur temperatura në disa vende pritet të arrijnë deri në 46 gradë por nuk mund të parashikojnë nëse do të tejkalohet rekordi absolut i temperaturës së regjistruar në Spanjë gushtin e kaluar 2021 prej 47.4 gradë në Montora pranë Kordobës,.
Një valë e nxehtë të hënën goditi Francën nga jugperëndimi, njoftoi Meteo-France. Temperaturat në pjesën më të madhe të territorit francez kaluan 30 gradë Celsius dhe nga e marta mund të arrijnë deri në 39 gradë.
“Kulmi i kësaj vale ka të ngjarë të jetë midis së shtunës dhe të martës 19 korrik”, tha Sébastien Lea nga Meteo-France, duke vënë në dukje se është ende herët për të krahasuar fenomenin me valën vdekjeprurëse të të nxehtit që goditi Francën në verën e vitit 2003.
Në Britaninë e Madhe, ku të martën priten 33 gradë Celsius në jugperëndim, Shërbimi Kombëtar i Motit ka lëshuar një “paralajmërim portokalli” për “vapë ekstreme” që nga fillimi i javës me temperatura mbi 35 gradë Celsius.
Leave a Reply