NDIKIMI I PANDEMISË NË SHËNDETIN MENDOR TE GRATË SHTATZËNA-FLASIM ME DR. RINA PURRINI-SALIU

 

Dr. Rina Purrini-Saliu-Specializante në gjinekologji dhe obstetrikë

Ballafaqimi me situatën e pandemisë, frika, ankthi, depresioni dhe efekti i tyre te kategoritë e rrezikuara-gratë shtatzëna!

Pandemia po vazhdon të jetojë me ne. Në këtë kaos të krijuar nga frika dhe e panjohura ndër shqetësimet kryesore mbetet efekti i situatës në gjendjen shpirtërore, shëndetin mendor dhe fizik të njerëzve e në veçanti të kategorive të rrezikuara të popullatës ku përfshihen edhe gratë shtatzëna.  Në këtë temë ne kemi zhvilluar bisedë me Dr. Rina Purrini-Saliu, specializante e gjinekologjisë dhe obstetrikës, e cila është mjaft aktive në rrjete sociale me këshillat më të reja për ruajtjen e shëndetit reproduktiv, sëmundjet e ndryshme dhe gjithçka që ka të bëjë me preokupimet ditore të grave dhe vajzave. Biseda jonë u fokusua në shëndetin mental të grave shtatzëna, a trajtohen ato në mënyrë të duhur, vaksinimi dhe qasja e tyre deri te informacionet.

Ajo: Sa janë konsultuar gratë shtatzëna gjatë periudhës së mbylljes për gjendjen e tyre e në veçanti a keni diskutuar për shëndetin e tyre mental?

Dr. Rina : “Padyshim që pandemia e KOVID19 ka pasur efekt tek të gjithë, e posaçërisht ka prekur më të moshuarit, personat me sëmundje kronike si dhe gratë shtatzëna. Shtatzënat kanë qenë të cenuara nga infeksion i rëndë me këtë virus, i cili ka parashtruar rrezik të madh për mirëqenien e tyre dhe të fetusit të tyre. Fat në këtë fatkeqësi ka qenë fakti që transmisioni i virusit nga nëna tek fetusi është shumë I vogël e pothuajse i pamundshëm. Zakonisht shtatzënat kanë zhvilluar shtatzëni të mbarë dhe kanë lindur foshnja të shëndetshme. Mirëpo të shumta kanë qenë rastet kur tek shtatzënat janë zhvilluar probleme të shëndetit mendor si depresioni dhe anksioziteti, të cilat kanë qenë rezultat i izolimit, infektimit ose frikës nga infektimi me KOVID19. Unë, si dhe të gjithë mjekët e degës së gjinekologjisë dhe obstetrikës që nga fillimi I pandemisë kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me pacientët tonë për informim adekuat në lidhje me virusin si dhe për vizita gjinekologjike për të siguruar mirëqenien e tyre dhe të fetusit të tyre.”

Ajo: Kryesisht cilat pyetje ju parashtronin?

Dr. Rina : Kjo pandemi erdhi me një sërë pasigurish dhe pikëpyetjesh. Para KOVID19, pandemia e fundit botërore që kemi hasur ne, ka qenë gripi I derrit H1N1 në vitin 2009, mirëpo vdekshmëria ka qenë shumë më e vogël. Prandaj, virus sikur KOVID19, me përmasa kaq të mëdha na ka gjetur të papërgatitur.

Pyetjet më të shpeshta të drejtuara ndaj nesh si gjinekologë janë:

 Si ti zhvilloj vizitat rutinore në periudhë pandemie?

  • Çka nëse infektohem me KOVID19?
  • A është e detyrueshme të lindi me lindje cezariane nëse jam pozitive me KOVID19?

Organizata botërore e shëndetësisë si dhe organizata botërore të gjinekologëve dhe obstetërve dhanë vija të qarta për trajtimin dhe lindjen e grave shtatzëna në periudhën e pandemisë. Vizitat rutinore zhvillohen duke ju përmbajtur të gjitha masave restriktive si nga ana e pacientëve ashtu edhe nga ana e ordinancave dhe klinikave përkatëse. Trajtimi zhvillohet me komunikim të afërt mes gjinekologut, infektologut dhe pacientes të infektuar me KOVID19. Ndërsa në raste kur vjen momenti I lindjes tek pacientet të infektuara me KOVID19, lindja zhvillohet në formë spontane përveç nëse ka indikacion për lindje me prerje cezariane.

Ajo: Tanimë besoj keni vizita ditore të kontrolleve rutinore a është e zbutur ndjenja e frikës dhe panikut te ato? A ju parashtrojnë pyetje për sigurinë e vaksinave?

Dr. Rina : Realisht reagimi i popullatës ndaj pandemisë së KOVID19 ka qenë individual. Ka pasur raste të frikës ekstreme si dhe raste të skepticizmit të madh. Në pjesën e popullatës shtatzënë, frika dhe paniku ndaj infektimit me virusin korona ka qenë i madh që nga fillimi. Konkretisht, prezentë janë frika për zhvillimin e fetusit, shëndetit personal si dhe të familjes së ngushtë. Të gjithë këto faktor, kanë pasur efekt negativ në mirëqenien e gruas shtatzënë. Frikë dhe panik ka pasur edhe me paraqitjen e vaksinës kundër virusit korona. Shumë paciente që drejtoheshin në repartin e gjinekologjisë kishin pyetje të llojit se a duhen të vaksinohen në qoftë se janë shtatzënë? A ndikon vaksina në fertilitetin tek femrat dhe meshkujt? A duhen të vaksinohen nënat gjidhënëse? Cfarë efekti ka vaksina në fetusin në bark? Cila vaksinë është adekuate për shtatzëna dhe nëna gjidhënëse e shumë pyetje tjera. Fatmirësisht të gjitha studimet e deritanishme dëshmojnë që vaksinat në këto raste nuk shkaktojnë dëmtim të shëndetit të gruas ose fetusit por përkundrazi mundësojnë mbrojtje nga virusi korona dhe komplikimet e mundshme nga infektimi.

Ajo: Nëse keni raste ku te gratë shtatzëna identifikoni simptoma të ankthit apo depresionit a i propozoni të vizitojnë psikolog apo varësisht nga rasti i paraqitur i këshilloni ato si të veprojnë?

Dr. Rina : Periudha e shtatzënisë si dhe periudha postpartale janë periudha shumë sensitive për shëndetin mendor të gruas. Studime të shumta në botë kanë adresuar efektin e KOVID19 pandemisë në rritjen e depresionit dhe ankthit në periudhën perinatale. Ne si gjinekologë/obstetër kemi kontrolluar zhvillimin adekuat të shtatzënive si dhe kemi siguruar mirëqenien e fetusit tek gratë shtatzëna. Poashtu kemi këshilluar dhe trajtuar shtatzëna të infektuara me KOVID19. Mirëpo në raste kur depresioni dhe anksioziteti kanë vështirësuar shëndetit e shtatzënave atëherë ne si mjekë i kemi udhëzuar ato në trajtim tek profesionistët e shëndetit mendor, konkretisht tek psikologët. Pra, identifikimi i duhur dhe në kohë i problemeve të shëndetit mental si dhe adresimi adekuat i tyre nga profesionistë të duhur ka mundësuar kujdes perinatal optimal.

Ajo: Sa gratë shtatzëna kanë informacione rreth ballafaqimit me raste të ndryshme e ne veçanti me një periudhë si kjo sot kur kemi frikë nga një e panjohur për të gjithë ne? Sa janë ato të informuara për kujdesin ndaj shëndetit mendor? Marrë parasysh që vet periudha nëpër të cilën të gjitha gratë kalojnë në gjendje të ndryshme emocionale, psikologjike por gjithashtu edhe fizike. Sa ka rëndësi në këtë periudhë përkrahja në rreth të ngushtë familjarë? A i kryejnë kontrollet vetë apo në shoqërinë e partnerit të tyre?

Dr. Rina : Burim i parë I informacionit në lidhje me shtatzëninë janë gjinekologët/obstetër. Shtatzënia sjell një miks ndjenjash, dhe jo të gjitha janë të mira. Shqetësimi në shtatzëni është i zakonshëm, veçanërisht në shtatzëninë e parë ose në shtatzëni të paplanifikuar. Është shumë me rëndësi të bëni gjumë të mirë, të ushqeheni mirë, të keni aktivitet fizik dhe të merrni vitaminat e nevojshme. Me një stil të shëndetshëm të jetës dhe me trajtim adekuat nga psikologu mund ta luftoni edhe depresionin si dhe ankthin në shtatzëni. Është shumë me rëndësi që për të gjitha shqetësimet të bisedoni qoftë me partnerin tuaj ose me ndonjë familjar tuajin e pse jo edhe me psikolog dhe gjithmonë të kërkoni ndihmë dhe përkrahje. Fatmirësisht, në vendin tonë vizitat gjinekologjike të grave shtatzëna kryhen në shoqëri të partnerit të tyre, gjë që mundëson informimin e duhur për zhvillimin e foshnjës te të dy prindërit si dhe ndihmon gruan në ballafaqimin me çdo lloj shqetësimi.  

Ajo: Ju gjithashtu jeni vaksinuar gjatë periudhës së shtatzënisë. A mund të na thoni diçka më shumë për muajin kur pranove vaksinën? Si vendose? Cilat ishin simptomat apo gjendja nëpër të cilën kalove?

Dr. Rina : Unë u vaksinova me vaksinën Pfizer në muajin e tetë të shtatzënisë, ndërsa dozën e dytë e mora pas 8 javësh. Sipas guidelines-ave të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë të gjitha gratë shtatzëna duhen të vaksinohen. Arsyet janë të shumta. Shtatzënat kanë më shumë rrezik nga komplikimet nga infeksioni me KOVID19 sesa personat që nuk janë shtatzënë. Vaksinimi mbron nga sëmundja e rëndë me KOVID19. Vaksinimi gjithashtu mundëson krijimin e antitrupave dhe kalimin e tyre tek bebet, gjë që mbron bebet nga infeksioni i mundshëm me KOVID19 më tutje. Deri tani, nuk është hasur asnjë lidhshmëri mes vaksinimit dhe aborteve ose lindjes së parakohshme si dhe asnjë efekt i dëmshëm nga marrja e vaksinës në shtatzëni. Vaksinimin unë e kalova lehtë, me dhimbje minimale krahu dhe linda në javën e 40 të shtatzënisë. Unë vendosa ti besoj shkencës.

Hulumtimet e realizuara deri më tani në nivel global nënvizojnë që tek gratë shtatzëna pesë herë më shpesh në raste, infeksioni kalon në mënyrë asimptomatike por njëkohësisht rreziku është dyfish më i lartë që në rast të infektimit të përfundojnë në kujdes intensiv. Gjithashtu rreziku i vdekjes nga Kovid-19 tek gratë shtatzëna është më i lartë. Në përqindje, gratë shtatzëna janë të rrezikuara njësoj si personat nga mosha 70 deri 84 vjeçare./Ajo.mk

Intervista është realizuar enkas për portalin Ajo.mk. Të drejtën e shpërndarjes e kanë vetëm autorja dhe bashkëbiseduesja.

One Ping

  1. Pingback: Purrini për AJO.MK: Ndikimi i pandemisë në shëndetin mendor te gratë shtatzëna – Gazeta.mk

Leave a Reply

Your email address will not be published.